Kryefaqja Uncategorized Margret Radovani, violinistja që dashuron diellin

Margret Radovani, violinistja që dashuron diellin

0
Shpërndaje

Bisedoi: Kesilda Gjoka

Të ecësh para nga dashuria për jetën, nga dëshira për të njohur veten, për të mos e parë kurrë jetën si një garë, e mos të ushqesh një ambicie të sëmurë, ndoshta është çelësi i qetësisë shpirtërore dhe mendore, e për rrjedhojë filozofia e një jete të lumtur.

Margret Radovani, ka studiuar për violinë në Akademinë e Arteve, në Tiranë. Pavarësisht studimeve, gjithashtu ka ndjekur pasionet e saja për muzikën, duke sprovuar veten në disa organizime, që nga koncertet live e deri në evente ndërkombëtare, si Eurovisioni.

Në një intervistë për lexuesin e gazetën “Shëndet Plus”, Margret rrëfen shumë për veten, violinën, dashurinë për të bukurën dhe disa fjalë për shëndetin.

Kush është Greta Radovani? Mund të na tregoni pak më shumë për veten?

Në fakt është e vështirë të flasësh për veten, por ajo që e them me siguri është që jam shumë e lidhur me muzikën. Mami më ka kënduar edhe gjatë shtatzënisë (mesa më ka thënë) por edhe foshnje e kjo do ketë ndikuar me patjetër. Kështu duke qenë edhe familje shkodrane (nga të dyja anët e fisit, e me muzikantë plot) në festat familjare, me muzikë dhe hare, është vënë re që unë kam vesh muzike. Në ditën e fundit të regjistrimeve prindërit, me këmbënguljen e burrit të tezes (Cin Simoni, violinist) dhe burrit të hallës (Loro Sata, muzikolog/kritik arti), vendosën të më regjistronin dhe kështu bëra konkursin e pranimit (me rrahjet e shuplakave ritmike, dëgjimet në piano dhe një këngë të mësuar).

Unë doja piano por nuk i kisha gishtat e gjatë, kështu më përzgjodhën për violinë, në fillim me Mimoza Kollarin e pastaj, Suzana Gruda, shumë e rëndësishme për mua. Që në fillime jam përballur me skenat, publikun, konkurset e koncertet. Kam qenë shumë emotive dhe gjithnjë e kam ndjerë fort përgjegjësinë e skenës. Sigurisht me kalimin e viteve, bëhesh pak më e ftohtë ose më racional por emocionet janë të pashmangshme.

Kam patur një fëmijëri dhe adoleshencë fantastike, plot ngjyra! Nga ana njerëzore më mbajnë për të drejtpërdrejtë, për kritike dhe jo të gjithë ma mirëkuptojnë. Por për mua thelbi në aspektin njerëzor është dashuria. Unë dua dritën e diellit, dua natyrën, primare për mua është të kaloj kohë me njerëzit që dua. Kam pasur mundësinë të largohem nga vendi por nuk e kam bërë sepse jam shumë e lidhur me prindërit. Mendoj se kam kohë të bëj çdo gjë për sa kohë të kemi dhe shëndetin sigurisht (qesh) se kjo është kryesorja.

Përmendët që keni pasur një fëmijëri dhe adoleshencë të bukur, por a ka pasur momente që jeni ndjerë i privuar nga “kënaqësitë” apo “dëfrimet” që provojnë fëmijët e tjerë për shkak të angazhimeve tuaja që në moshë të vogël?

Normal që muzikantët ose të gjithë ata që kanë talente dhe që i kultivojnë që në moshë të vogël e kanë këtë pjesën e sakrificave dhe të privimit në krahasim me fëmijët e tjerë. Nuk mund të them që kam qenë shumë e privuar krahasuar me të tjerët, por nuk kam dal aq sa kanë dal dhe moshatarët e mi që të luaj; apo të shkoja në plazh gjatë verës, sepse unë vazhdoja leksionet dhe vazhdoja të isha në kontakt me violinën që të isha gati për vitin tjetër shkollor. Ishte emocion dhe stres pasi do isha përballë mësueses sime dhe më duhet të isha sa më cilësore në çdo takim që kishim.

Tek unë është vënë re pjesa e talentit në doza të konsiderueshme, por nuk jam shquar për ndonjë vullnet te madh. Pra, më ka munguar disi ajo disiplina sistematike por gjithnjë ia kam dalë. Sot po të më pyesësh, mendoj që jeta është vetëm një, kështu që ekuilibri midis karrierës dhe jetës personale (aspekteve që të plotësojnë e të bëjnë të ndihesh mirë) është thelbësor. Kam qenë me fat që jam aktivizuar që e vogël me orkestrën e shkollës, “Virtuozët e vegjël”. Ne kemi qenë brezi i fundit, me dirigjent  Zhani Cikon, si fillim. Kemi përshkuar rrugë të tëra në Evropë, e kemi fituar çmime të shumta. Më pas në të mesme fillova të bëj audicione për orkestra internacionale e gjithnjë jam përzgjedhur fatmirësisht. Kjo ka ndikuar që unë të kem goxha eksperiencë orkestrale por më vonë edhe në muzikë dhome!

Në aspektin profesional, sigurisht që muzikën e mendoj parësore por krahas kësaj mendoj që po të hulumtosh brenda vetes, gjen edhe talente të tjera që mund ti kultivosh kurdo qoftë. Këtë fillova ta kuptoj përgjatë universitetit. Kënaqesha me mësimet e violinës të Prof. Ramazan Pekut dhe të muzikës së dhomës me Prof. Dorina Laro. Por duke qenë se nuk ndihesha e plotësuar nga energjia që të ofronte mjedisi i Akademisë së Arteve, kërkoja që t’i krijoja më shumë dinamika ditëve të mia.

Të ka penguar fakti që ndjek “rregulla” në jetë, dhe që nuk bën kompromise me to?

Nuk e kam shumë të theksuar ambicien, që të jem e para e para në çdo gjë. E para, mendoj se bota ka vend për të gjithë. Një kompozitore (Bela Bartok) ka thënë “Gara nuk është për njerëzit por për kuajt”.

Mendoj që njerëzit s’duhet ti bien në qafë të tjerëve për të arritur qëllimet e tyre. Bota ka vend për të gjithë. Pra unë jam në Shqipëri dhe kam gjetur hapësirat e mia. Nuk i kam hyrë në pjesë askujt e as ka për të ndodhur ndonjëherë. Vetëm në baza aftësie.

A ka shumë më mirë? Patjetër që po. Deri te Filarmonia e Vjenës apo orkestra të tjera me emër, që për ne janë ëndrra. Por janë shumë rrethana që të çojnë aty, se nuk është puna që ti të kapësh vetëm majat nga ana e karrierës, do jetosh, do shkosh në një vend që do të ndjehesh ngrohtë nga ana psikologjike, të kesh këtë ngrohtësi shpirtërore që nuk ka të paguar.

Violinist apo muzikantë ka shumë. Në një konkurs do të prezantohen qindra pjesëmarrës. Patjetër unë si individ ashtu si nga ana njerëzore ashtu dhe nga ana artistike kam diçka unike që nuk e ka dikush tjetër. Çdokush apo edhe kur futem unë në skenë, jam e bindur që përcjell atë që më karakterizon mua dhe kjo është e veçantë dhe kjo i mbetet në mendje, i ke dhënë emocion. Përsëri vijmë tek emocioni sepse kjo është e rëndësishme.

Ju njohim më shumë si violiniste por edhe si vokaliste. Mund të na flisni për eksperiencat tuaja si vokaliste/backvokaliste në koncerte të ndryshme?

“I pëlqente gjyshit të na dëgjonte”. Ishte dhe periudha që iknit dritat me orë të tëra e strukeshim të gjithë në një dhomë e ia fillonim edhe këngës.

Kontakti i parë ishte me një grup “Lutus” që kërkonin vokaliste dhe kështu u bëra pjesë e grupit. Më pas krijova një grup timin me disa miq të akademisë dhe pa pritur dhe kujtuar u përhap fjala që unë këndoj. Atë vit fillova të aktivizohesha në Top Channel si violiniste duke qenë se kishin filluar që Top Fest të ishte live. Sigurisht aty u angazhova dhe me programe të tjera të Top Channel si “The Voice”, apo emisione të tjera.

Aty hasa nga afër edhe Elton Dedën i cili më vonë shpalli një njoftim në facebook për backvocale në Rockstock dhe u përzgjodha (ku shoqëroja emra të rëndësishëm të muzikës sonë të lehtë). Pra aty nisi gjithçka! Më pas jam angazhuar me këngëtarë të ndryshëm si Juliana Pashën, Alban Skënderajn, Elvana Gjatën, Dren Abazin, Aurela Gaçen (ka shumë ndikim tek unë, si njeri mbi të gjitha) etj.

Për herë të parë kam marrë pjesë dhe si vokaliste me Linda Halimin në Eurovizion. Ishte një eksperiencë shumë e veçantë e cila arriti kulmin kur vajta për herë të dytë me Eugent Bushpepën, i cili është i preferuari im.

Nëse do të zgjidhje mes këngë dhe violinës, cila do të ishte zgjedhja jote?

Violina, pa dyshim. Kur më thonë: A ti këngëtarja? Jo jo unë s’jam këngëtare, jam violiniste. Sepse violina është ajo që më përfaqëson mua. Sigurisht, që dhe kënga më jep jetë, më qetëson, madje organizoj dhe karaoke për qejf, në një nga lokalet në bllok. Por violina është zgjedhja ime.

Ku mund t’ju dëgjojmë live Greta?

Në vende të ndryshme, kam performuar tek Venue me Aurela Gaçen. Në aktivitete të tjera në vende të ndryshme. I fundit ishte një tribute për Fela Kutin, me Alban Nimani dhe All In Band. Ndërkohë në aspektin klasik, baza ime momentalisht është kuarteti “Gabriel” dhe trio Bonaè, plus ftesave që vijnë për projekte të shkurtra.

Projektet e tua më të fundit, që shumë shpejt do t’i dëgjojmë?

Koncertet klasike me Kuartetin dhe jo vetëm, si dhe projekte të muzikës moderne por që s’mund të them ende asgjë më shumë.

Projekti që keni më për zemër?

Nëse do të përmendja diçka nga muzika klasike do të përmendja quartetin “Gabriel” në Korçë, ishte një emocion i paparë. Dua të përmend dhe pjesëmarrjen time si backvokaliste në Eurovizion me Eugent Bushpepën. Pastaj, çdo koncert simfonik që kam pasur jashtë shtetit si me orkestrat {Orkestra Mesdhetare e të Rinjve, apo internacionale në Gjermani, Lubjanë} janë koncerte simfonike që më kanë rrëmbyer zemrën. Të gjitha kanë impaktet e veta dhe nuk i ndanë dot. Për mua sa herë që shkel në skenë ka një ndjesi shumë të veçantë.

Marrëdhënia juaj me shëndetin?

Më shumë kujdesem për të tjerët sesa për veten në fakt. Por është shumë e rëndësishme, pa të nuk jemi. Por përpiqem ta dëgjoj trupin tim, nëse më dhemb diçka filloj të mendoj përse më dhemb, futem dhe kërkoj. Nuk jam aq e rregullt sa duhet me vizitat mjekësore por që gjithsesi përpiqem se s’dua të përkeqësohet diçka kur e vë re.

Një mesazh për të gjithë lexuesit e gazetës “Shëndeti plus”.

Shëndeti i mirë, fillon nga shëndeti mendor, nga shëndeti emocional. Këto të dyja arrihen duke qëndruar me njerëzit e zemrës dhe duke bërë gjërat që do, gjëra që ty të frymëzojnë dhe të bëjnë ta shijosh ditën tënde. Të bëjmë sa të mundemi, të fokusohemi te gjëra që na ndrisin zemrën, shpirtin dhe na ndihmojnë të jemi të shëndetshëm mendërisht, sepse aty fillojnë të gjitha. Sëmundjet përkeqësohen, ose përmirësohen nga gjendja mendore/ psikologjike e gjithë secilit. Carpe diem, shijo momentin, të sotshmen, sepse nesër nuk i dihet.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here