Marjana Kondi: Artisti duhet të ketë dinjitet

Zakonisht, njerëzit shumë të zgjuar nuk e kanë karakterin e mirë. Kanë një individualitet, janë për vete, nuk të japin shumë të dhëna. Njeriu gjithmonë duhet të kërkojë një të mesme

Denisa Canameti

Të gjithë e duan Marjana Kondin. E duan për talentin, për karizmën, për vlerat që i ka dhënë artit në vend. Në çdo rol ajo ka dëshmuar qartazi talentin e saj të padiskutueshëm. Një figurë e duartrokitur dhe e dashur, sidomos në bashkëpunimet e saj me Met Begën.

Marjana Kondi (6)Gjithmonë në ekran Marjana ka treguar profilin e një artisteje të buzëqeshur, e që çdo situatë e kalon me pozitivitet. Por çfarë ndodh përtej ekranit? Aty ku talentet shtypen nga më të “mëdhenjtë”, nga ata që, siç thotë edhe ajo vetë, “dehen natën nëpër kafene”? Sa shpërblehen artistët për atë që i ofrojnë publikut, për duartrokitjet që marrin?

Në këtë intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Marjana Kondi na rrëfen shumë gjëra për veten e saj, për artin, për marrëdhënien me miqtë, me familjen, me kafshët, marrëdhënien me të bukurën, marrëdhënien me duhanin e natyrën.

Marjana, çfarë do të thotë për ty fjala VIP?

VIP? Ku janë VIP-at? Ne nuk kemi VIP-a. Nuk quhesh VIP se bën një këngë apo luan një rol. Absolutisht jo! VIP do të thotë të jesh i/e kompletuar. Plus-minus, sepse nuk ekziston që të ketë njerëz shumë të zgjuar dhe me karakter të mirë. Zakonisht, njerëzit shumë të zgjuar nuk e kanë karakterin e mirë. Kanë një individualitet, janë për vete, nuk të japin shumë të dhëna. Njeriu gjithmonë duhet të kërkojë një të mesme.

Po njerëzit çfarë kërkojnë?

Njerëzit në këto momente kërkojnë moralin, karakterin. Njerëzit duan dhe presin që unë të flas fjalë të mençura. Dikur, kur jepja intervista, mundohesha të përgatitesha. Por, përgatitesh kur ke një stimul.

Sot, një këngëtare del dhe tregon bukurinë që i ka falur natyra, bën një këngë me ato pajisjet dhe shpërblehet shumë mirë financiarisht. Njerëzit kanë shumë qejf që ta shikojnë (dhe shumë mirë bëjnë). Ndërsa unë për të bërë një rol, një dansing, kam nevojë për më shumë përgatitje, sepse kam më shumë përgjegjësi se ato. Këtu ndahen njerëzit: ata që e kanë këtë profesionalizëm, kanë seriozitet që i shërben shoqërisë. Ka dhe të tjerë që çajnë në rrugën e tyre në formë të tjera. Por është punë edhe për ato.

E dëgjojmë shumë shpesh që arti po shkon drejt degradimit. Si mundet që nuk po arrijmë të “zëvendësojmë” emra si Robert Ndrenika?

Brezi i Robert Ndrenikës, i Roza Anagnostit, i Margarita Xhepës është një brez i artë që nuk ka për të ardhur më kurrë. Ata patën fatin e madh që u lançuan. Sigurisht, përveç talentit të padiskutueshëm. Që kur u fut paraja, artisti u tundua. Dhe unë kam bërë gjëra të gabuara për hir të parasë. Po në thelb të këtyre gjërave, flas për brezin tim dhe më të vegjël se unë, është një brez me mungesë kulture, dije, shkollimi. Sepse njeriu nëse ka talentin, lexon edhe dy libra, formohet. Ka humbur libri. Ne kur ishim në gjimnaz, lexonim fshehtas. Kjo është mungesa e kulturës. Qoftë edhe te brezi im, si edhe tek të rinjtë.

Në brezin tim ka edhe shumë probleme të tjera. Probleme të tilla, si mosvlerësimi i vlerave reale të artit dhe artistit. Mosmarrja përsipër e një ngjarjeje që ty të ndodh në çdo vend pune, ku njerëzit bëhen indiferentë apo të ligë. Por njerëzit harrojnë karmën. Sot je ti, nesër unë.

Marjana Kondi (9)Nuk funksionon siç funksiononte dikur. Artistët e mëdhenj dikur u mblodhën për mosprishjen e teatrit. Po sot ku i ke? Ka hyrë frika, indiferentizmi, ligësia. Të tre këto gjëra janë shkatërrim i vendit, shkatërrimi i artit, shkatërrimi i çdo gjëje. Nuk po flasim vetëm për profesionin tonë. Sot është frikë, sot është inat, sot është ligësi. Shopenhauri ka një shprehje shumë të bukur: ”Mendimet e liga dhe përpjekjet e poshtra gradualisht vendosin shenjën e tyre në fytyrë, sidomos në sytë”.

Marjana, ti përcjell moral… Ndërkohë që humori sot është bërë shumë banal…

Që të bësh humor është gjëja më e vështirë. Unë nuk qesh më. Por dua t’u dal në krah atyre që bëjnë humor. Banaliteti është shumë i bukur në humor, por gjithmonë në situatën ku ndodhesh. Humori varet nga situata. Nga situata në të cilën je, del humori i bukur. Si për të bërë dramën, shoun, komedinë, baletin, muzikën, A –ja e një artisti është kultura. Paralel me kulturën, artisti duhet të ketë mirënjohjen, paralel me mirënjohjen duhet të ketë korrektesën. Ky është art, kjo është mirëqenia, kjo është kultura.

Ndihesh e vlerësuar për punën që ke bërë?

Unë nuk jam humoriste. Unë jam aktore. Që kur kam mbaruar shkollën, kam dashur të shkoj në teatrin kombëtar. Ndërkohë që teatri i estradës u bë me aktorë shumë të mirë ato vite. Dhe unë detyrimisht do të shkoja aty, se në të kundërtën do të shkoja në Peshkopi. U detyrova të shkoja me estradën e Tiranës me shumë lot. Por atje u bë një grup shumë i bukur. Atëherë kishte goxha aktorë, aktorë karizmatikë, sharmantë, aktorë që e donin punën. Ne ishim aktorë që nga një gjë e vogël do të nxirrnim një gjë të madhe. Mos harro dhe censurën mbi kokë. U formuam aq bukur, sa nuk ke idenë.

Met Bega, që ishte i vetmi në llojin e tij, ishte një aktor humori i kompletuar, me një moral shumë të mirë, ai mbetet. Secili ka veçantitë dhe vlerat e veta, por Meti mbetet.

Marjana Kondi (1)Që atje unë duhet të shkoja në teatër, por ka qenë shumë e vështirë. Si përfundim u futa dhe sot që po flas, më kanë hequr. Hiqem unë nga teatri? Pse? Dikur kishe edhe ku të ankoheshe, sepse njiheshin vlerat e artit, ndërkohë sot gjërat funksionojnë me inat. Është indiferenca, është injoranca, është ligësia. Prandaj shkojnë gjërat kështu.

Njerëzit të duan dhe të vlerësojnë…

Kam hyrë në ndërgjegjen e tyre. Gjithë jetën jam munduar të mbaj dhe të kem sensin e ruajtjes së masës. Ruajtja e masës në art quhet art tamam. Jam munduar me kohë ta realizoj këtë gjë. Sot ti mund të hysh kollaj në zemrat e njerëzve, por do kohë që të jesh një artist i mirë, një aktor i mirë.

Çfarë vlerash duhet të kesh që të quhesh artist, aktor i mirë?

Duhet të kesh dinjitetin.

Mund të ecësh me dinjitet në vendin tonë?

Në këto momente jo. Në këto momente duhet grushti. Duhet të ngrihesh dhe të bëhesh njësoj si ai. Me “përplasjet” që kam pasur tani, kam vendosur të tërhiqem, se nuk dua të jem baraz me ata. 1 unë, zero ata.

Si e vlerësoni të ardhmen e artistëve dhe të artit të mirëfilltë në vendin tonë?

Artistë që rrinë gjithë ditën nëpër kafene, pjesa më e madhe e gdhijnë deri në 5 të mëngjesit duke pirë (të paktën flas për institucionin ku punoj). Çfarë mund të presësh nga ata njerëz? Nga ata që janë gjithë kohës tapë dhe vijnë të të drejtojnë? Vendos të marr çantën, të ul kokën dhe të iki, për të mos i lejuar vetes që të kthehem në njeri të ulët si ai që kam përballë.

Për të dalë pak nga kjo “atmosferë” pyetjesh… Thonë që e bukura është relative, çfarë është e bukura për Marjanën?

Kur ta jep Zoti të bukurën, është një gjë shumë e mirë. Sot dëgjojmë se të bukurat nuk kanë mend. Nuk jam shumë për këtë se, kur Zoti i krijoi ashtu të bukura, nuk i krijoi për të mos pasur mend.

Marjana Kondi (7)Në fakt, ekrani është mbushur sot me të bukura…

Dalim tek ajo që thashë më parë. Është bërë një lloj biznesi: nëse unë kam flokë të bukur, mund të bëhem ministre, mund të bëhem moderatore. Megjithatë, nuk ndodh gjithmonë kështu. Ka moderatore, siç janë Alketa Vejsiu, Ornela Bregu, Albana Osmani. Këto të tria i diferencoj shumë. Janë të bukura dhe të mençura. E meqë jemi në këtë fushë, si një moderator shumë të mirë do të veçoja Adi Krastën, që për mua është edhe mik shumë i mirë.

Sa ju ka mbështetur familja në rrugën tuaj?

Nuk më ka mbështetur. Unë e kam mbështetur familjen. Si tim shoq, si vajzën edhe çunin e bukur, çunin e zi që quhet Tërri (qeni).

A mund t’ia dalësh pa mbështetjen e familjes?

Ia kam dalë. Sot jam ajo që jam, ajo që njerëzit e duan.

Cila është marrëdhënia me vajzën, çfarë moshe ka ajo, ia jep këto idetë e smirës, ligësive apo i thua që bota është e bukur?

Unë i them të kundërtën, im shoq i thotë të kundërtën.

Cilat janë pasionet e saj?

Ajo nuk ka lidhje me artin. Ka vazhduar drejtësi. Punon, bën master. Ka pasion të shikojë filmat premierë në “Millenium”, ka pasion të dëgjojë radion. Ne si familje kemi pasion e të dëgjuarit muzikë vetëm në radio. Unë kam shumë kontradikta me të. Një herë flet i ati, ajo e kryen, 100 herë flas unë dhe s’bën asgjë.

Je karakter i vështirë apo…?

Unë ndoshta mund të jem pak nevrike. Bërtas shumë. Ndërsa i ati i thotë të ecë me Evropën (qesh).

Ke bashkëpunuar me shumë persona, si është marrëdhënia me ta? A keni miq të mirë?

Ka miq të mirë, se do ishte përmbysur kjo botë po të mos kishte njerëz të mirë. Miqtë e mi i kam që ata të klasës së parë e deri në këto momente ruajmë po të njëjtat miqësi. Përsa i përket shoqërive të reja e këtij 10-vjeçari, janë po ashtu shoqëri të mira. Në shoqërinë tonë hyn korrektesa. Po pati korrektesë, dhe po pati dëshirë të jetë i mirë, ka shoqëri të mirë. Prandaj vazhdojmë dhe jetojmë me këta njerëz. Njeriu po pati intelektin dhe po pati gjëra pozitive brenda vetes, mund të kesh miq të mirë. Unë nuk jam zhgënjyer nga miqtë e mi.

Ka ndonjë emër që mund ta veçosh?

I veçoj njerëzit që kam miq: Dashnor Diko, Erand Sojli, Ornela, Artiola Toska, Eranda, Rovenda Dilo, Irma Libohova, miqtë e estradës. Brezi ynë është brez që nuk e shesim njëri-tjetrin, e duam.

Cila është marrëdhënia me mjekun?

Unë kam dashur të bëhem mjeke. Sot i shikojmë mjekët dhe gjithçka është kthyer në biznes. Gabim i mjekësisë dhe i çdo fushe tjetër është se ata që vihen në krye, nuk marrin mendimet e atyre që punojnë brenda atij institucioni. Duhet të jetë një marrëdhënie shumë e fortë midis ministrisë dhe atyre që punojnë.

Nëse Ministria e Kulturës do t’ju kërkonte të bënit një testim, një testim që përfshin brezin tuaj dhe brezin e ri, si do ta prisnit?

Do ta quaja budallallëk. Nëse do të më bëjë një testim se çfarë librash kam lexuar unë dhe çfarë librash ke lexuar ti, po. E të shikojmë kush ka lexuar më shumë. Se nëse do të testohem, do të testohem me pjesët që kam luajtur, me interpretimet që kam bërë.

A janë mjekët tanë për testim?

Ata që kanë eksperiencë jo, nuk mund t’i testosh. Je në dorë të tyre. Nuk e di se çfarë pyetjesh mund të bëjë ai që do të testojë një mjek. Po sikur të dalë ai mjeku që mund të dijë më shumë se ai që vjen e i bën pyetjen. Se në qendrat spitalore janë me tituj profesorë.

Në ç’gjendje e shikon sistemin shëndetësor sot?

Në gjendje skandaloze, si repart ushtarak, si ato kazermat e luftës. Rresht ato krevatet, dikush bërtet, dikush fut diçka në xhepin e mjekut.

Marrëdhënia me dentistin?

Është i vetmi vend ku shkoj me qejf. E kam shumë merak gojën. Po dhe dentisti te mjekësia futet.

E keni bërë kontrollin falas?

E kam dëgjuar. Më vjen për të qeshur. Edhe më përpara ka qenë që mund të bëja një analizë pa lekë. Të më bëjë falas gjërat e tjera. Nëse kam një problem me kockat ose nëse kam nevojë për ilaçe të shtrenjta, ato të më japë shteti.

Marrëdhënia me natyrën?

Natyra dhe kafshët janë gjithçka. Edhe nëse tani Kryetari i Bashkisë do të më vinte të merrem me kafshët, do të merresha me kënaqësi.

Marrëdhënia me duhanin?

Duhanin e konsumoj kur jam me nerva. E vlerësoj si shumë pozitiv ligjin antiduhan. Ai që do të pijë cigare, le të dalë në natyrë. Zoti e ka bërë njeriun që të jetojë. Ai që do t’i fusë vetes siklete të tilla e që e ka të domosdoshme, të paktën mos të dëmtojë të tjerët.

Jeni e lumtur?

Lumturi nuk ka. Unë kam qetësi.

Ç’mendim ke për kirurgjinë plastike? Do ta bëjë një ndërhyrje?

Jo, nuk dua të ndërhyj. Sepse në portretin tim ka rrudha dhe rrudhat janë kujtime. Nga vjet në shtator dhe deri tani që po flas, kam një rrudhë shumë të madhe që tregon largimin tim nga puna dhe kjo do ma kujtojë. Rrudhat kanë kuptimin e vet, kanë filozofinë e tyre. Por nuk jam kundër për ato që i bëjnë. Një mjek radiolog thoshte: “Nga pamja e jashtme mund të rregullohesh, por kur të vish tek unë, të tregoj se çfarë ke brenda” (qesh).

Mjekësia alternative?

Mjekësinë popullore duhet ta fillojmë që tek fëmijët. Kur flas për mjekësinë popullore, kam parasysh që në vend se të pish një antiinflamator për dhimbjen e kokës, pi një sherebel, një dafinë. Jeta që nga fillimi e deri sot njësoj është, asgjë nuk ka ndryshuar. Janë shpikur raketa për në hënë, por ama njësoj urrehet, njësoj dashurohet, njësoj mërzitemi, njësoj sëmuremi.

Këshilla për të rinjtë sot..

Të lexojnë.

Shpesh në jetën tonë ndjekim një rrugë, një zë, një mundësi… Ti çfarë ke ndjekur?

Unë kam ndjekur një rrugë. Rrugën e familjes. Kur ishim të vegjël, dëgjonim që familja është gjithçka. Është e vërtetë: familja është çdo gjë.

Një mesazh për lexuesin e gazetës “Shëndet+”?

Nëse njeriu do të jetojë shumë, duhet të shmangë tre gjëra: indiferencën, injorancën dhe ligësinë.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!