Në vitin 2008 hyri në fuqi ligji Nr.9887, datë 10.3.2008 “ Për mbrojtjen të dhënave personale”.
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është i vetmi autoritet përgjegjës, që
mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin, mbrojtjen e të dhënave personale.
Ky ligj parashikon në nenin 7 përpunimin e të dhënave sensitive, mbrojtjen e këtyre të dhënave dhe rastet e përpunimit nga kontrolluesit. Dispozitat e këtij ligi vendosin standardet minimale që Kontrolluesit duhet t’i përmbahen gjatë mbledhjes, përpunimit dhe ruajtjes së të dhënave personale.
Të drejta mbi të dhënat tuaja shëndetësore do të thotë:
ju duhet të informoheni në lidhje me të dhënat tuaja shëndetësore
ju keni zgjedhje (akses) dhe kontroll mbi të dhënat tuaja shëndetësore
ju mund të kërkoni që të shikoni dosjen tuaj me të dhënat shëndetësore dhe nëse ju mendoni se në të ka të dhëna jo të sakta ju mund të kërkoni korrigjimin e tyre
ju duhet të informoheni se pse dhe kur kontrolluesi i të dhënave tuaja
shëndetësore bën përpunim apo i nevojitet të shpërndajë këto të dhëna.
Mbledhja e të dhënave shëndetësore
Të dhënat shëndetësore duhet të mblidhen me pëlqimin tuaj me përjashtim të rasteve të parashikuar nga ligji. Ndonjëherë në lidhje me kujdesin tuaj shëndetësor, në raste emergjence ndodh që të dhënat tuaja shëndetësore të mblidhen me pëlqimin e dikujt tjetër siç mund të jetë bashkëshorti/tja, kujdestari apo ndonjë anëtar i familjes.
Zakonisht kur një punonjës i shërbimit shëndetësor ka nevojë që të mbledh të dhënat tuaja personale, ai duhet të kërkojë pëlqimin tuaj. Për të dhënë pëlqimin ju duhet të kuptoni çfarë do të ndodhë me të dhënat tuaja, prandaj punonjësit e shërbimit shëndetësor duhet të japin informacion të qartë, në mënyrë që ju të jeni në gjendje që të merrni vetë vendim për dhënien e këtyre të dhënave.
Përpunimi dhe shpërndarja
Të dhënat tuaja shëndetësore mund të shpërndahen ndërmjet subjekteve shëndetësore që kujdesen për trajtimin tuaj shëndetësor. Por kjo duhet të realizohet me mënyra dhe ndërmjet subjekteve që ju vetë pranoni. Informacioni juaj shëndetësor mund të nevojitet edhe për gjera të tjera, të tilla si menaxhimi i llogarive të veprimtarisë të subjekteve që kryejnë shërbimin shëndetësor, etj. Kontrolluesi/subjekti shëndetësor duhet t’ju informojë ju, për të gjitha qëllimet që do të përdor të dhënat tuaja shëndetësore, që ju të dini çfarë pasojash do të keni në dhënien e pëlqimit.
Aksesi dhe Korrigjimi
Ju mund të dëshironi të dini se çfarë të dhënash shëndetësore përmban dosja juaj shëndetësore dhe nëse këto të dhëna janë të sakta. Gjithashtu ju mund të kërkoni dhe një kopje të dosjes suaj shëndetësore. Nëse ju mendoni se në dosjen tuaj shëndetësore ka të dhëna jo të sakta, ju mund të kërkoni që këto të dhëna të korrigjohen apo të përditësohen.
Çfarë mund të bëni nëse mendoni se privatësia juaj është shkelur?
1. Mundohuni të zgjidhni problemin direkt me kontrolluesin/subjektin që ofron shërbimin
shëndetësor duke komunikuar me të dhe duke i shpjeguar se çfarë ka ndodhur. Këtë
komunikim mund ta bëni në formë zyrtare me shkresë apo me e-mail.
2. Pas 30 ditësh, nëse ju nuk keni marrë asnjë përgjigje apo nuk jeni të kënaqur me
përgjigjen që keni marrë ju mund të ankoheni pranë Komisionerit për mbrojtjen e të
dhënave personale në adresën e mëposhtme:
Rr. e Kavajës, Nd 80, H.1, Tiranë,
Telefon: +355 4 2237200, Telefax: +355 4 22 35735, e-mail: info@idp.al
Ky artikull u prodhua nga “Together for Life” në kuadër të projektit “Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë”, si pjesë e skemës së granteve të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Save the Children në partneritet me Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e vetme e “Together for Life” dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Save the Children dhe Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.


