Kryefaqja Aktualitet Mentor Kikia: Të gjithë jemi të barabartë!

Mentor Kikia: Të gjithë jemi të barabartë!

0
Shpërndaje

Mentor Kikia“Vetëdija dhe ndërgjegja jonë shoqërore, në riformatim e sipër, duhet të përfshijë edhe një “element” shumë të rëndësishëm: atë të respektit ndaj femrës”

Shoqëria shqiptare duket se është në kërkim të një identiteti të ri. Po tregojmë se jemi më të ndjeshëm ndaj shkeljes së të drejtave tona, më të ndjeshëm ndaj politikave qeveritare që bien ndesh me interesat tona. Më shkoqur, ne po kërkojmë të ushtrojmë pushtetin tonë, sa përmes votës, aq edhe përmes formave të tjera të reagimit publik. Reagimi qytetar që çoi në tërheqjen e qeverisë nga një vendim i mundshëm për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, ishte një pikë e rëndësishme kthese e vetëdijes qytetare shqiptare dhe një provë e lindjes së mentalitetit të ri shoqëror, kryesisht në mesin e të rinjve.

Këto radhë i dedikohen, në fakt, një qëndrimi publik kundër dhunës ndaj grave dhe në dukje kjo që thashë më lart nuk ka lidhje. Por e solla këtë tendencë të re të shoqërisë, për të kujtuar se vetëdija dhe ndërgjegja jonë shoqërore, në riformatim e sipër, duhet të përfshijë edhe një “element” shumë të rëndësishëm: atë të respektit ndaj femrës. Askush nuk numëroi se sa ishin djem apo vajza, burra apo gra, ata që kontribuan në reagimin qytetar për armët kimike. Por unë pashë plot vajza të reja që rrëmbyen mikrofonin dhe ngritën zërin fort për një kauzë që ata mendonin se ishte e drejtë.

Pashë shumë vajza e gra që e kaluan natën jashtë, bashkë me burra e djem, në bulevardin e Tiranës. Ato demonstruan fuqinë e tyre, si të barabarta në luftën për një kauzë dhe kontribuese të fuqishme të saj.

Kur flasim për dhunën ndaj gruas dhe femrës në tërësi, shpesh u referohemi statistikave për numrin e vrasjeve, numrin e grave që kërkojnë urdhër mbrojtjeje në gjykata, numrin e padive që bëhen e më pas tërhiqen si pasojë e presioneve etj etj.

Dhe këto shifra ende na dëshmojnë se jemi një mjedis mashkullor i dhunshëm, një mjedis ku burri ende mendon se ka të drejta pronësie mbi gruan dhe ajo është një shërbëtore e tij.

Por në këto radhë nuk dua të ndalem shumë tek këto statistika dhe ky realitet, fatkeqësisht ende brutal. Por tek ajo që nisa që në fillim. Fryma e re që dua të besoj se po injektohet në shoqërinë tonë. Një frymë që do të bëjë shoqërinë jo vetëm më të ndjeshme ndaj problemeve të saj, por edhe më civile, duke lënë pas patriarkalizmin mesjetar. Dhe unë u bëj thirrje, së pari femrave, të ngrenë zërin e tyre kur shikojnë se u vendosin kufij se deri ku e kanë lirinë e tyre. Sikurse u bëj thirrje të gjithë burrave e djemve që të bashkojnë zërin e tyre me atë të femrave, pasi të gjithë jemi të barabartë, të gjithë kemi të njëjtat të drejta e të njëjta përgjegjësi në vendin dhe për vendin ku jetojmë.

Edi RamaEdi Rama – Kryeministër i Shqipërisë

“Duhet të zgjojmë shoqërinë shqiptare nga indiferentizmi dhe t’i themi stop dhunës në familje gratë parlamentare socialiste, në bashkëpunim me shoqatat civile në mbrojtje të të drejtave të gruas dhe familjes, kanë përgatitur një paketë projektesh, që do të përfshihet në programin tonë, me qëllim luftën ndaj këtij fenomeni”.

jozefina topalliJozefina Topalli – Deputete e PD-së

Dhuna ndaj grave, kjo formë e skllavërisë moderne nuk njeh kufij. Kjo plagë e tmerrshme globale, edhe e këtij shekulli, është sjellja kriminale më e pakuptimte. Sa nëna, motra, vajza, gra sot nuk janë më për shkak të dhunës? Sa të tjera jetojnë çdo ditë me dridhërimën e frikën e jetës? Shoqëria duhet të reagojë. Shoqëria duhet të ngrihet, të rinjtë duhet të ngrihen për nënat e tyre.

Ilir MetaIlir Meta – Kryetar parlamenti

“Dhuna është një fenomen që duhet të menaxhohet duke u kufizuar. Viti 2013 është shpallur si viti i luftës kundër dhunës në familje. Duhet të bëhet më shumë në drejtim të sensibilizimit në instancat më të larta dhe në hartimin e një pakete ligjore. Gjithashtu jam dakord për reformimin e kodit të familjes dhe kodit penal. Këto do të rrisin mundësitë për të parandaluar një dhunë në rritje në familje”

Eglantina GjermeniEglantina Gjermeni –Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Dhuna ndaj gruas dhe dhuna në familje është një nga plagët e shoqërisë shqiptare. Kompleksiteti i këtij problemi kërkon që përpjekjet tona të jenë të përbashkëta dhe të koordinuara në familje, në shkollë, në komunitet. Të gjithë bashkë mund të kontribuojmë për t’i dhënë fund këtij fenomeni! Vetëm ligjet nuk e ndalojnë dot dhunën, por të gjithë bashkë ne mundemi!

erion veliajErion Veliaj – Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Burrat të parët të ndalin dhunën. S’ka as burrni e as trimëri ai që ngre dorë mbi një vajzë a grua! Unë si burrë, si djalë, si mashkull, si vëlla, si partner, bëj një thirrje të gjithë meshkujve të Shqipërisë, se nuk ka asnjë shenjë burrërie në dhunën ndaj kujtdo, sidomos ndaj nënave, motrave, partnereve, vajzave që rrethojnë jetën tonë. Ai që është burrë, nuk ushtron dhunë, përkundrazi i zgjidh gjërat me argumente”

Ban Ki munBan Ki Mon-  Sekretari i përgjithshëm i OKB-së në Shqipëri

“I mirëpres të gjithë zërat që kërkojnë t’i japin fund dhunës, që një në tre femra përjeton në jetën e saj. I përgëzoj liderët që po kontribuojnë për të forcuar ligjin dhe të ndërrojnë mentalitet. U jam mirënjohës heronjve në mbarë botën që ndihmojnë viktimat e dhunës, dhe bëhen nismëtar të ndryshimit”

Rexhep QosjaProf. Dr. Rexhep Qosja

“Dhuna ndaj grave është fatkeqësi e madhe për familjen në të cilën ndodh, dhe në shoqërinë në të cilën jeton ajo familje. Dhunën ndaj grave e ushtrojnë sidomos meshkuj të mjerë, qyqarë, të cilët mjerimin e vet e tregojnë më shpesh aty ku është më e lehtë: ndaj të dobëtit! Në shtetin e së drejtës, që ne ende na mungon, këta mjeranë që ushtrojnë dhunë ndaj grave, ndëshkohen rëndë”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here