Të gjitha mësueset mbi 50 vjeç në qytetin e Tiranës kanë mundësi të kryejnë mamografi falas në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3 në kryeqytet, përgjatë gjithë ditës.
Ministria e Shëndetësisë dhe Autoriteti Shëndetësor Rajonal kanë vendosur që gjatë muajit tetor, që përkon me sensibilizimin e popullatës kundër kancerit të gjirit, të kthejnë me dy turne orarin e mjekëve imazheristë, në mënyrë që të kryejnë një numër sa më të lartë të mamografive falas për popullatën, por në veçanti për të gjitha arsimtaret e kryeqytetit.
“Së fundmi ne nënshkruam një marrëveshje me Drejtorinë Arsimore të Tiranës, e cila ka për qëllim realizmin e ekzaminimeve të mamografisë falas, për të gjithë mësueset mbi 50 vjeç në qytetin e Tiranës. Kjo marrëveshje synon kontrollin dhe ekzaminimin e arsimtareve në Qendrën Shëndetësore Specialitet Nr.3, jashtë orarit zyrtar të funksionimit të këtij shërbimi.
I kemi kërkuar Drejtorisë së Arsimit ndërtimin e një grafiku sipas shkollave, në mënyrë që mësuesit të mos presin në radhë për të kryer ekzaminimin, por që orari i tyre të jetë i prenotuar ditë më parë”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme kreu i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Edmond Stojku.
Gjatë këtyre ditëve, departamenti i Promocionit të ASHR-së është duke kryer një fushatë të gjerë sensibilizimi në të gjitha shkollat e kryeqytetit mbi këshillat që nuk duhet të neglizhohen për të trajtuar sa më herët pasojat e rënda të kësaj sëmundjeje. Nga ana tjetër, drejtori i ASHR-së ka ftuar të gjitha zonjat e kryeqytetit të kryejë ekzaminimet në mënyrë që sëmundja të kapet në stadet e para, pasi mundësia e shërimit është më e madhe. Sipas tij, shërbimi i
mamografisë me dy turne nuk të jetë vetëm për mësueset e kryeqytetit, por për çdo qytetare tjetër e cila dëshiron të kryejë vizitat dhe ekzaminimet përkatëse.
Por edhe autoritetet e Bashkisë së Tiranës kanë konfirmuar se po bashkëpunohet me rrjetet spitalore publike dhe private në vend për të mundësuar kryerjen e mamografive dhe ekzaminimeve të tjera falas për të gjitha gratë që bëjnë pjesë në kategorinë në nevojë.
Bluzat e bardha vënë në dukje se aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të kancerit të gjirit. Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Kanceri i gjirit zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit.
Qelizat në një pjesë të gjirit bëhen anormale dhe fillojnë të rriten, grumbullohen e formojnë një tumor, i cili shtyp dhe përhapet jashtë kontrollit dhe shkatërron indin normal të gjirit. Nëse nuk trajtohen, këto qeliza anormale mund të përhapen dhe të dëmtojnë apo shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth. Gjithashtu, ato mund të përhapen edhe në pjesët më të largëta të trupit, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose nëpërmjet sistemit limfatik./ Pranvera Kola


