Përgjigjet për “Shëndet+” neuro-pediatri Artan Haruni
Prejardhja është e paqartë. Trashëgimia, sidomos nga ana e nënës, bie në sy nga vetë familjarët. Stresi është një tjetër faktor që shkakton migrenë. Në një studim të kryer në 2009-n është vënë re se fëmijët të cilët kanë përjetuar momente debati në familjen e tyre janë më të prirur për të pasur migrenë.
Një dhimbje koke nuk duhet kaluar asnjëherë pa u marrë në konsideratë. Veçanërisht në rastet kur fëmija ka dhimbje koke për
një javë, të tillë që nuk e lejon të shkojë as në shkollë apo të kryejë aktivitetin e tij të përditshëm duhet patjetër që të sillet te pediatri apo neuropediatri.
Është e këshillueshme që në këto raste të mbahet një ditar për të shënuar:
- Si ndodh dhimbja e kokës te fëmija?
- Sa zgjat dhe nëse ka ndonjë gjë që e përmirëson.
- A shoqërohet me të përziera apo të vjella?
- Nëse ka pasur një progres të dhimbjes përgjatë ditëve?
- Gjithashtu duhen mbajtur shënim ushqimet që hahen në 24-orëshin para se të fillojë dhimbja e kokës.
- Duhet shënuar ndonjë situatë që e ka stresuar fëmijën, dhe se çfarë keni bërë për ta qetësuar. A e ka qetësuar ajo që keni bërë?
Shenjat klinike me të cilat shoqërohet migrena:
- Dhimbje e fortë koke pulsuese
- Dhimbje koke që përkeqësohet nga aktiviteti fizik
- Të përziera
- Të vjella
- Fotofobi (fobi nga drita)
- Ndjeshmëri ndaj zhurmave
- Lodhje
- Puls i shpjetuar
- Anoreksi
Shpesh krizat e migrenës mund të ngatërrohen me ato të një abdomeni akut. Fëmija është i zbehtë, ka mpirje të duarve e këmbëve. Bie në sy fotofobia, nuk duron dritën, zhurmat, aromat, dëshiron të qëndrojë i mbyllur në dhomë të errët e të qetë. Pas krizës bie në një gjumë çlodhës. Dhimbjet nxiten nga faktorë të brendshëm e të jashtëm si mosha, adoleshenca, stresi, lodhja, shqetësimet, uria, drita e fortë, zhurma e madhe, disa ushqime si çokollatat, ushqime pikante, pijet freskuese, alergjia ushqimore etj.


