Ministria e Shëndetësisë hedh sytë nga Trauma: 100 milionë lekë për blerjen e protezave

Denisa Canameti / Shëndet+

Në spitalin e Traumës ka vetëm allci, asnjë protezë për operacionet ortopedike. Është ky denoncimi i bërë para disa javësh në gazetën “Shëndet +”.

Mungesa e protezave si dhe kostoja shumë e lartë e tyre është një nga shqetësimet me të cilën përballen pacientët në këtë spital. Në kushte të tilla, pacientët ose shkojnë drejt privatit ose përpiqen të fusin mik nëpër dyqane për një protezë të lirë.Ilir Beqaj

Beqaj: “100 milionë lekë të reja në dispozicion vetëm për të blerë proteza”.

I pranishëm në një konferencë me mjekë të Traumës, Ministri Ilir Beqaj është shprehur sot se mungesa e protezave nuk është për faj të mjekëve dhe as përgjegjësia e tyre.

“Sigurisht, te Trauma ne kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi edhe sot një boshllëk, i cili kohët e fundit ka qenë pjesë edhe e një lloj shkëmbimi opinioni me pak qefmbetje nga mjekët, por nuk ka qenë një pretendim ndaj mjekëve. Nëse spitali nuk ka sot proteza, kjo nuk është as faji i mjekëve dhe as përgjegjësi e mjekëve, por të paktën me buxhetin e këtij viti, meqenëse këtu u fol se në fund të fundit duhen edhe para për të bërë më shumë për traumën, janë 100 milionë lekë të reja në dispozicion vetëm për të blerë proteza. Sigurisht me të drejtë duhet të blihen sa më shpejt, por bashkë me përfaqësuesit e QSUT-së dhe Spitalit të Traumës kemi kaluar një periudhë të parë dhe na është dashur ta bëjmë sa më mirë dhe në mënyrë sa më të qëndrueshme, që pastaj, nga ky vit e në vazhdim, të kthehet në një procedurë që bëhet në mënyrë shumë më rutinore” është shprehur Ministri.

Mjekët: Kostoja e protezës, deri në 3000 euro

Të kontaktuar nga stafi i gazetës mjekët e këtij shërbimi janë shprehur se :

“Protezën nuk e siguron spitali dhe pacientët duhet ta blejnë vetë, me një kosto që shkon deri në 3000 euro(vetëm proteza). Në rastet kur pacienti kërkon që ndërhyrja të kryhet në spitalin shtetëror, i paralajmërojmë pacientët se rreziku për marrjen e infeksionit është i madh. Kemi shumë pacientë që janë infektuar dhe janë detyruar ta heqin protezën. Kjo për faktin se në pajisjet me të cilat punohen, nuk është investuar prej kohësh, duke rritur shumë rrezikun e infeksionit”, janë shprehur asokohe mjekët.

Drejtori i spitalit të Traumës: Janë shumë të shtrenjta

Ndërkohë, drejtori i spitalit të Traumës, Gjovalin Bushi, i pyetur drejtpërdrejt për mungesën e materialeve ortopedike është shprehur se e njeh si problematikë. Ai ia vë fajin kostos së lartë të këtyre materialeve, dhe mungesës së buxhetit.

“Këto janë shumë të shtrenjta. Se ne mund t’i blejmë 100 proteza, dhe na shkon gjysma e buxhetit. Për herë të parë në 2015-n është tenderuar blerja e materialeve ortopedike. Duke pasur parasysh këtë problem të madh, Ministria e Shëndetësisë me Ministrinë e Financës kanë hyrë me një buxhet të veçantë” tha Bushi.

 

Postime të ngjashme

Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese
Studimi: Vaksina kundër kancerit mund të zhdukë plotësisht tumoret
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi