Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Marsela Aliaj
Uji dhe mjalti mund të jenë një armë e fuqishme kundër infeksioneve urinare tek pacientët, thonë kërkuesit anglezë. Zakonisht pacientët përdorin katetere, tuba që përdoren vetëm nga profesionistët, në këtë rast mjekët, për të larguar urinën e tepërt ose për të monitoruar gjendjen e brendshme. Në jo pak raste, këto mjete mund të kthehen në mbajtëse bakteresh të ndryshme dhe të shkaktojnë infeksione.
Shkencëtarët e Universitetit të Southampton kanë treguar me eksperimentet e ndryshme laboratorike që mjalti i holluar ndihmon në parandalimin e formimit dhe mbledhjes së baktereve të zakonshme, të cilat më pas formojnë shtresa të trasha dhe të vështira për t’u hequr.
Në teori, mjalti i holluar në ujë mund të përdoret edhe për të dezinfektuar paraprakisht kateteret për t’i mbajtur ato të pastra dhe pa baktere. Më shumë studime do të nevojiten për të treguar nëse kjo praktikë do të jetë e sigurt për t’u përdorur tek njerëzit.
Ilaçi natyral
Mjalti është përdorur për shekuj me radhë në mjekësi për natyrën e tij antiseptike. Njerëzit e kanë përdorur për të kuruar të djegurat dhe plagë të ndryshme. Në ditët e sotme janë të shumta ilaçet që kanë përmbajtje të mjaltit.
Në testimet laboratorike, të publikuara tek revista “Clinical Pathology”, u kontrolluan dy baktere të zakonshme që shkaktojnë infeksione të rrugëve urinare dhe fshikëzës: E.coli dhe proteus.
Edhe kur ishte shumë e holluar, 3.3%, përzierja me mjaltë ndaloi bashkimin dhe formimin e shtresave të baktereve. Gjatë studimit, hulumtuesit përdorën mjaltë me ngjyrë të errët, pasi ai njihet se ka veti më të fuqishme kundër baktereve.
Ata thonë se çfarëdolloj mjalti mund të jetë efikas gjithsesi. Studime të mëtejshme do të jenë të nevojshme për të treguar nivelin e tolerancës së mjaltit në fshikëz.
Burimi: BBC / https://shendeti.com.al/


