Mjekësia, zgjidhen specializantët; kontratë me shtetin

Ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së të diplomuarve në Mjekësi, që do të specializohen në fusha të ndryshme. Nga 279 aplikues pas intervistës me gojë dhe provimit që u realizua nga Agjencia Kombëtare e Provimeve janë renditur fitues 185.

Një pjesë e tyre mbulohen financiarisht nga shteti dhe lidhin kontratë që pas përfundimit të studimeve të punojnë atje ku i cakton ministria, sipas nevojës.

Në rast se shkelin kontratën, ata gjobiten mesatarisht me 2.5 milionë lekë të reja dhe për një periudhë 5-vjeçare nuk mund të punojnë në sistemin publik.

“Janë rreth 600 vajza dhe djem, që bashkë me këta të këtij viti specializohen për të marrë specialitetet e nevojshme në mjekësi. Për atë pjesë që quhen kuota të mbuluara, pra që do të garantojmë ne financiarisht këto studime, do të lidhim një kontratë të përgjithshme për të gjithë vendin duke u kërkuar atyre që pranojnë që kur të përfundojnë, pas 4-vjetësh, të shkojnë të punojnë aty ku do të ketë nevojë Ministria e Shëndetësisë”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Specializantët ndërkohë ofrojnë shërbim ndihmës pranë spitaleve ku kryejnë këtë kualifikim. Sipas rektorit të universitetit, Arben Gjata, ky proces, i cili ishte ndëprerë tre vite më parë kishte krijuar mungesa në shumë specialitete në shëndetësi, ndërkohë që u ishte ndërprerë karrriera në mes të diplomuarve për Mjekësi.

“Do jetë një proces, i cili do vazhdojë me dinamikë. Nuk ka më mundësi tani që të mos ketë specializime, sepse më parë kanë qenë ndonjëherë edhe vullnet i qeverisë. Kurse duke qenë në interesin e universitetit, universiteti ka të drejtë të hapë këto specializime dhe do t’i hapë vit pas viti”, ka thënë rektori Gjata./ Top Channel

Postime të ngjashme

Ministrja Sala: Do të ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve! Dializa dhe check up i kalojnë shtetit
Pse na rrudhen gishtat kur i mbajmë në ujë për një kohë të gjatë?
Rasti i pacientit në Durrës, MSHMS urdhëron nisjen e hetimeve
Dietologët zbulojnë ushqimin nr. 1 që mund të rrisë menjëherë sheqerin në gjak
Shpërthimi i sëmundjes së Legjionarëve në New York, 6 viktima dhe 90 raste të konfirmuara
Ministrja e Shëndetësisë: Nga shtatori, Check-Up mund ta bëjë çdo qytetar mbi moshën 35 vjeç
Eurostat: Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit
Rritet ndjeshëm konsumi i barnave, në tremujorin e parë të vitit