Kryefaqja Aktualitet Mjekët bashkohen për të dhënë ndihma për të përmbyturit

Mjekët bashkohen për të dhënë ndihma për të përmbyturit

0
Shpërndaje

Situata në jug ka sensibilizuar edhe mjekët, të cilët nëpërmjet një fushate të nisur në rrjetet sociale kanë vendosur që në shenjë solidariteti të grumbullojnë sa më shumë veshmbathje dhe ushqime. Kjo ndihmë modeste do të shkojë për familjet e përmbytura dhe për familjet që janë përpara një rreziku të tillë, nëse moti vazhdon që të jetë me shi.

PermbytjeNuk dihet se kur kjo nismë e mjekëve do të bëhet konkrete, nëse ka nisur puna për mbledhjen e materialeve të tilla si veshmbathje dhe ushqime. Por, ajo çfarë dihet deri më tani është se nisma është ndërmarrë midis tyre, pra midis mjekëve dhe se nuk ka një organizim “nga lart”. Nisma, me sa duket, është ndërmarrë nga të njëjtët mjekë që njihen dhe si organizatorë të protestave që mbahen përpara spitaleve çdo të hënë.

Jugu i vendit gjendet përballë nevojave urgjente për shkak se janë të shumta ato familje që kanë dalë nga shtëpitë duke i braktisur ato për disa ditë si dhe përveç të tjerash kanë humbur bagëtitë e tyre. Sigurisht, që një numër i madh i problematikave do të dalë në pah kur gjendja të normalizohet dhe të bëhen llogaritë e dëmeve të shkaktuara. Edhe pse përballë një gjendje të tillë, qeveria nuk ka dashur të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, por kjo nuk ka ulur ndjenën e sensibilitetit tek grupet e ndryshme të shoqërisë, midis tyre edhe mjekëve, të cilët dinë ta vlerësojnë situatën emergjente në të cilën gjenden këta banorë.

Reshjet e dendura të para disa ditëve shkaktuan një dëm të madh për jugun e Shqipërisë. Mijëra hektarë janë përmbytur duke bërë kështu që dhjetëra apo qindra familje të braktisin banesat e tyre për tu strehuar tek të afërmit. Kjo situatë shënoi edhe një viktimë ku një grua 38 vjeçe u rrëmbye nga uji ndërsa po përpiqej të ndalonte rrjedhën e tij të hynte brenda në banesë, por vërshimi i lumit ka qënë i menjëhershëm dhe e ka rrëmbyer atë. Përgjatë këtyre ditëve qeveria, opozita, bizneset, grupet rinore janë organizuar për të dërguar ndihma në jug.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here