Mjekët, dhe në shtet dhe në privat, por jo në poste drejtuese

mjek studim 1Krahas punës në shtet, mund të angazhohen edhe në strukturat private, por me detyrimin që të mos jenë pjesë e organeve të tyre drejtuese. Bëhet fjalë për shefat e shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Në rregullat e përcaktuara për punësimet e reja në këtë qendër spitalore, është vendosur që shefat e shërbimeve të mos lejohen të kenë asnjë detyrë tjetër drejtuese në strukturat spitalore të rrjetit privat.

E për të dëshmuar këtë gjë, shefat e shërbimeve para emërimit duhet të plotësojnë një deklaratë të shoqëruar edhe me vërtetimin e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Përzgjedhja e punonjësve të rinj që do t’i vijnë në ndihmë shërbimeve mjekësore të kësaj qendre do të zhvillohet nëpërmjet konkurrimit të hapur, si në stafet e mjekëve e infermierëve, ashtu edhe për postet më të larta drejtuese të klinikave. Rregulla të forta do të aplikohen edhe për punësimet e mjekëve të rinj. Aktualisht në të gjitha shërbimet po zhvillohen kontrolle të vazhdueshme në lidhje me punësimet e kryera gjatë vitit të shkuar, si dhe respektimin e orarit të punës nga personeli mjekësor.

Mjeku i QSUT-së ndalohet të përdorë mjetet e institucionit për qëllime private apo përfitim vetjak jashtë rregullave të parashikuara statutin e spitalit. Nëse kjo ndodh, atëherë mjeku do të largohet menjëherë nga vendi i tij i punës. Për kategoritë e tjera të punonjësve ku mund të lindë konflikt interesash, drejtoria e kësaj qendre spitalore do të hartojë një rregullore të posaçme, e cila do të bëhet publike brenda pak kohësh.

Mjekët që janë të angazhuar me kohë të plotë pune në klinikat e kësaj qendre spitalore, kanë të drejtë që të angazhohen me mësimdhënie në institucionet e arsimit shëndetësor publik. Por për të bërë këtë më parë duhet të marrin lejen përkatëse që duhet marrë nga drejtoria e përgjithshme e spitalit. Gjithashtu mjeku dhe familjarët e tij në gjini apo lidhje gjaku të afërt nuk mund të konkurrojnë dhe as të përzgjidhen në prokurime që organizon administrata e QSUT-së.

QSUT 6-kateshiProcedura se si do të bëhet përzgjedhja

Në QSUT si rregull, personeli punësohet nëpërmjet konkursit. Vlerësimi për personelin e lartë mjekësor bëhet prej një komisioni të përbërë nga kreu i përgjithshëm i QSUT-së (kryetari), zëvendësdrejtorët, shefi i shërbimit përkatës dhe një përfaqësues nga drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Edukimit në Vazhdim. Ndërsa për personelin e administratës dhe personelin tjetër ndihmës respektohen dispozitat e Kodit të Punës.

Përzgjedhja mund të bëhet edhe kur paraqitet një kërkesë e vetme, vetëm në rastet kur provohet se është bërë njoftim publik për tre ditë rresht në një prej gazetave me tirazh më të madh. Në këto raste, në dosjen e praktikës përkatëse duhet të gjendet në çdo kohë një kopje e gazetës që ka shpallur njoftimin. Nëse kjo nuk gjendet, personi përgjegjës mban përgjegjësi sipas ligjeve në fuqi. Nga rregulli i mësipërm përjashtohen rastet kur merret në punë personel mjekësor me gradën profesor ose personel me kohë të pjesshme. Pedagogët ushtrojnë aktivitetin e tyre në bazë të një kontrate që lidhet me drejtorinë e spitalit.

Kontrata është e detyrueshme për të gjithë. Kontrata individuale e punës lidhet në pajtim të plotë me ligjin dhe kontratën kolektive të punës, që lidhet ndërmjet drejtorit dhe Sindikatës apo Sindikatave më të përfaqësuara./ Pranvera Kola

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë