Mjekët e rretheve, pak njohuri për shëndetin riprodhues

Puna në Qarkun e Beratit me fokus përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në nivelin parësor

Aksesi ndaj shërbimeve të shëndetit riprodhues për grupet vulnerabël në prefekturën e Beratit, ku përfshihen qytetet Kuçovë, Berat dhe Skrapar ishte tematika e takimit të organizuar në Tiranë me mbeshtetjen e Fondit Konferenca UNFPA (2)të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në bashkëpunim me Organizatën Asistencë për Komunitetin në Shqipëri (ACA). Ndërhyrja e përqendruar në qarkun e Beratit synonte përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, si dhe rritjen e aksesit ndaj këtyre shërbimeve në nivel komuniteti.

Gjatë takimit ku u prezantua kjo ndërhyrje, Berati u cilësua si një histori suksesi duke qenë se, ashtu siç e theksoi edhe drejtuesja e ACA-s, Holta Koçi, ka qenë promovues i nismave në fushën e shëndetit riprodhues.

Fillimisht u bë një prezantim i projektit, si dhe hapat e ndjekur deri në realizimin e punës konkrete. Ky prezantim u bë prej mjekes e njëkohësisht trajnueses Lindita Myzyri. Në trajtesën e saj, Myzyri u ndal shkurtimisht në të gjitha hallkat nëpër të cilat kishte kaluar puna deri në arritjen e rezultateve konkrete e të suksesshme. Ajo theksoi se puna në terren është kryer jo vetëm nga personeli shëndetësor, por edhe nga vullnetarë, përfaqësues të komuniteteve, në rolin e mediatorëve të shëndetit.

Personeli shëndetësor i qarkut të Beratit së bashku me anëtarë të komunitetit ka marë pjesë në një cikël trajnimesh ku janë trajtuar të gjitha tematikat e shëndetit riprodhues, ashtu si dhe janë të përfshira në paketën bazë të shërbimeve shëndetësore në nivelin parësor.

Në fakt, çështja e trajnimit të mjekëve dhe infermierëve përsa i përket çështjeve të shëndetit riprodhues u trajtua si një sukses më vete, kjo për faktin se këta të fundit u shprehën se kanë bërë shumë trajnime, por jo të këtij niveli. Myzyri u ndal në faktin se tema të tilla, si: planifikimi familjar i integruar, HIV/AIDS, kuadri social dhe shëndetësor, stigma dhe diskriminimi, infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe parandalimi i tyre, kujdesi për gruan shtatzënë, infertiliteti dhe aborti etj., janë tema mjaft të rëndësishme për t’u trajtuar, sepse realiteti (në bazë të studimeve të kryera) tregon se personeli shëndetësor ka shumë pak ose aspak njohuri rreth tyre.

Konferenca UNFPA (1)Zonja Dashuri Beqiri, mami – infermiere, foli rreth punës konkrete në terren. Ajo prezantoi se si u organizua puna në komunitet, ku:

-10 grupe pune u ngritën në Urën Vajgurore

-7 grupe pune në Poliçan

-10 grupe pune në Berat

-7 grupe pune në Kuçovë.

Si të veçantë dhe të rëndësishme për t’u përmendur, znj. Beqiri konsideroi pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga komunitetet, pasi puna me ta e bëri gjithë projektin edhe më të besueshëm e të suksesshëm. “Ishte e vështirë, – theksoi ajo, – që të ndërgjegjësonim njerëzit rreth problemeve të shëndetit riprodhues, rreth kontrolleve, analizave që duhet të kryenin si PAP Test, mamografia etj. Ndërkohë që suksesi i projektit u evidentua nga impakti që pati në njerëz”. Kështu, disa nga rezultatet konkrete të lidhura me zbatimin e kësaj ndërhyrjeje në qarkun e Beratit janë:

-7000 prezervativë të shpërndarë në 2013 në Berat e Kuçovë,

-5000 prezervativë të shpërndarë në 2014 në Urë Vajgurore dhe Poliçan

-U dyfishua numri i vizitave të planifikimit familjar në Poliçan dhe Urën Vajgurore në 2014

-U rrit me 80% numri i vizitave të para te planifikimi familjar.

Tjetër tregues pozitiv ishte edhe depistimi i hershëm në shtatzëni në masën 100% në Urën Vajgurore dhe Poliçan për periudhën tetor-dhjetor 2014, kryerja e 25 mamografive e ndërkohë regjistrimi i 300 grave nga Ura Vajgurore dhe Poliçani. Duke u ndalur në këtë pikë, znj. Beqiri u kërkoi organizatave që sjellja e një mamografie lëvizëse në Berat do të konsiderohej pa ekzagjerim një akt heroik, pasi njerëzit vërtet që kanë nevojë.

Ndërkohë, përfaqësuesi i komunitetit rom, i pranishëm në këtë takim, në fjalën e tij theksoi se për këtë komunitet trajtimi i këtyre temave ka qenë mjaft i rëndësishëm, sepse niveli i njohurive është mjaft i ulët. “Komuniteti rom nuk e ka ditur asnjëherë se çfarë është planifikimi familjar, këto kanë qenë tema tabu  e krejtësisht të panjohura”.

Një tjetër çështje e rëndësishme u cilësua edhe dhënia e informacionit nëpër shkolla duke vlerësuar interesin e madh ndër të rinj për çështje të lidhura me shëndetin seksual dhe riprodhues. Në mënyrë që të lehtësohet puna e ekipeve të edukatorëve të shëndetit në shkolla u propozua që në fillim të vitit shkollor të bëhej një memorandum bashkëpunimi midis organizmave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit në mbështetje të nismave të tilla.

 

Në mbyllje të takimit u theksuan disa nga problematikat që duhen adresuar në mënyrë që komunitetet të kenë akses në shërbime shëndetësore cilësore, si dhe të përfitojnë informacion sa më të plotë për çështje të lidhura me shëndetin e tyre. Po kështu, u përcaktuan disa hapa konkretë për vazhdimësinë e punës së ekipeve të edukatorëve të shëndetit në qarkun e Beratit, si dhe për shtrirjen e këtij modeli në qarqe të tjera të vendit.

Postime të ngjashme

Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale