Kryefaqja Aktualitet Mjekët e spitalit të Lushnjës: Kërkojmë ndihmë për gjak. Gjaku me pagesë,...

Mjekët e spitalit të Lushnjës: Kërkojmë ndihmë për gjak. Gjaku me pagesë, zgjidhje e pasigurt

0
Shpërndaje

Elona Tereziu

Nevojat për gjak janë shumë të mëdha. Transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident (të çdo forme) apo ndërhyrje kirurgjikale të shoqëruar me

hemorragji, por edhe si kurë shoqëruese në disa patologji si anemitë, talasemia, hemofilia, anemitë hemolitike, leucemitë, të transplantuarit etj.

Më parë, pjesa më e madhe e gjakut në Shqipëri sigurohej nga dhënësit me pagesë, të cilët duke qenë njerëz nevojtarë, shpesh sëmureshin, duke dhënë kështu gjak jo të sigurt për ata që kishin nevojë. Aktualisht, në sajë të informimit dhe promovimit të bërë nga institucionet shëndetësore dhe organizatat vullnetare, gjaku sigurohet kryesisht nga familjarët dhe dhuruesit vullnetarë.

Megjithatë ende në Shqipëri dhurohet 10 herë më pak gjak se sa janë nevojat për të. Kjo situatë reflektohet veçanërisht te të sëmurët nëpër rrethe, të cilët shpesh herë mbeten zbuluar duke vënë seriozisht në pikëpyetje jetën e tyre, e duke vënë me shpatulla pas murit personelin mjekësor.

Kjo situatë ka ndodhur edhe në Lushnjë. Mediat kanë raportuar ditët e fundit për një gjendje alarmi. Banka e gjakut në këtë spital ka mbetur pothuajse bosh, duke rrezikuar seriozisht jetën e rreth 200 të sëmurëve me talasemi, të cilët nuk plotësojnë nevojën për transfuzion.

Detyrimet kryesore të strukturave të shërbimit shëndetësor në fushën e transfuzionit janë: Promovimi i dhurimit vullnetar, të rregullt dhe falas të gjakut. Por, pavarësisht promovimit, duket se kultura e dhurimit të gjakut nuk është në nivelet e dëshiruara apo në nivelet optimale. Pacientët talasemikë vijojnë të vuajnë mungesën e gjakut, e kjo jo vetëm në periudha të caktuara por në mënyrë periodike.

Ariana Zaka, mjeke hematologe dhe shefja e qendrës rajonale Lushnje

 Gjithmonë situata e gjakut, problematike.

Mjekja hematologe në spitalin e Lushnjës rrëfen gjithë problematikën që ka shoqëruar qendrën e dhurimit të gjakut prej kohësh.

Në qendrën tonë ndiqen pacientë nga Lushnja, Fieri, Berati dhe Elbasani dhe janë rreth 200 pacientë me diagnozë Thalessemia Major dhe Drepanocitoze homozigote, të cilët marrin gjak çdo 2-3 javë. Por, ka edhe pacientë që marrin më rrallë sipas nevojave.  Në qendrën tonë gjithmonë situata e gjakut është problematike sepse pacientet rriten dhe nevoja shtohet. Jetëgjatësia është rritur kështu dhe nevojat për gjak shtohen. Në një vit që pacientët të marrin sasinë duhur të gjakut duhen gjithsej 3500 flakonë gjak.

Bashkëpunimi me bankat e tjera, jo fort i mirë.

Nga banka e spitalit Fier pothuajse nuk na dërgojnë fare gjak dhe në rastin kur dhurohet gjak nga qytetarët e Fierit shkon banka jonë atje, megjithëse janë vetëm 1 mjek dhe 2 infermierë. Ndodh që gjaku dërgohet në spitalin e Fierit si spital rajonal sepse spitali ynë nuk është rajonal .

Disa herë na ka ardhur në ndihmë spitali i Sarandës. Na ka ndihmuar Qendra Kombëtare e Transfuzionit, Tiranë, por për nevojat tona është shumë pak.

Gjaku që dhurohet çohet vetëm në Tiranë!?

Edhe shoqatat e ndryshme që merren në Tiranë me dhurimet vullnetare tëcilat kam mundur ti kontaktoj më kanë thënë se gjakun duhet ta çojnë në Tiranë dhe nuk e di pse ? Tirana megjithëse ka një popullatë shumë herë më të lartë se e jona dhe ka më pak të sëmurë. Në spitalet e Tiranës bëhen shumë operacione me planifikim, kështu që ka edhe dhurime, kurse në spitalin tonë numri i operacioneve me planifikim është i ulët. Këtu ndikon edhe afërsia me qytetin e Tiranës.

E gjejmë shpëtimin te dhurimet me pagesë

Vetëm popullata e Lushnjës nuk mund t’i ndihmojë këta të sëmurë. Përgjigjja e popullit për dhurim aktualisht është më lartë, por mentaliteti për fat të keq vazhdon të mbizotërojë. Njerëzit kanë frikë të dhurojnë dhe kjo mund të vijë edhe nga mungesa e informacionit. Thirrja jonë vazhdon për të gjithë banorët në zonat përreth.

Në disa raste krize na ka ndihmuar Tirana, megjithatë më shumë ne jemi zgjidhur nga dhurimet me pagesë të cilat nuk janë të mira sepse këta janë njerëz që dhurojnë për shkak të nevojave ekonomike, por ne na kanë zgjidhur kur kemi qenë ngushtë.

Kërkojmë ndihmë për të mbledhur gjak, përpunimin mund ta bëjmë vetë

Unë nuk mund të them sa është numri që mund të ndiqet në spitalin tonë, sepse ne nuk kemi probleme me ndjekjen por me plotësimin me gjak. Këta pacientë kanë një ndjekje shumë të mirë. Këtu ka mjek pediatër hematolog që i ndjek ata deri në moshën 14-15 vjeç dhe më pas hematolog për të rritur. Mjekët specialistë i konsultojnë më lehtë sepse edhe kontakti me ta është më i lehtë në një spital të vogël. Këtyre pacientëve u kryhen të gjitha ekzaminimet që duhen sa herë që vijnë, sepse tek ne është një laborator shumë modern që është ngritur për këta të sëmurë dhe që ndihmon edhe spitalin. Të sëmurët kanë infermiere që merren vetëm me ata. Këta marrin gjak të centrifuguar dhe me strukturë të përshtatshme. Atëherë me kaq punë sa bëhet nuk mund të them se nuk mund t’i ndjekim, por kemi nevojë për ndihmë, për gjak. Në qendrën e transfuzionit Tiranë është një ekip më vete për mbledhje të gjakut mbi 4-5 veta, kurse në bankën tonë janë vetëm 3 veta. Kështu në kërkojmë nga spitalet përreth, në Tiranë si dhe shoqatat vullnetare të dhurimit. Vetëm ndihmë për të mbledhur sepse për ta përpunuar mund ta bëjmë vetë.

Prindërit na besojnë fëmijën, prandaj nuk është e lehtë

Marrëdhëniet me të sëmurët janë relativisht të mira sepse ne duke i njohur nga afër për shkak të viteve dhe të kohës bashkohemi padashur me hallet dhe problemet e tyre. Ata janë prindër dhe pacientë. Të lodhur dhe të mërzitur sepse kështu është diagonoza dhe detyrohemi të bëjmë edhe rolin e psikologut me ta. Ndihesh edhe mirë edhe keq kur të thotë prindi “Unë nuk kam çfarë të bëj, në dorën tënde e kam lënë fëmijën”.  Prandaj nuk është e lehtë.

Ela Pinguli, kryetare e Shoqatës së Pacientëve me Talasemi

Në QSUT shpesh nuk merret gjaku në sasinë e duhur

Edhe pse Tirana ka një numër më të vogël pacientësh talasemikë dhe është pika ku mblidhet gjaku që dhurohet, sërish ka probleme. Kryetarja e shoqatës së pacientëve me talasemi, Ela Pinguli, njëkohësisht paciente prej vitesh, shprehet se situata edhe për QSUT-në shpesh bëhet e vështirë.

Në Tiranë ka një përmirësim të dukshëm të situatës së furnizimit të qendrës me gjak. Megjithatë ende nuk kemi sasinë optimal. Çfarë do të thotë, këtu nuk kthehen pacientë për mungesë gjaku. Por mund të marrim gjak në sasi më të pakët sesa duhet. Sigurisht që kjo shkurton kohën e ardhjes sërish, çka nënkupton shpime të tjera, që për ne është traumë më vete. Veç kësaj, kur trupi nuk furnizohet siç duhet me gjak, dihet që është më i lodhur.

Njësitë ku sot trajtohen pacientët me talasemi janë:

Qendra e hemoglobinopatisë në QSUT. Në stafin e qendrës ka një mjek hematolog, dy infermiere të specializuar për kryerjen e transfuzioneve dhe manipulimeve me këta pacientë dhe një punonjëse sociale.

Qendra e hemoglobinopative në Lushnje: Në stafin e qendrës ka një mjek hematolog dhe dy infermierë.

Shërbimi i patologjisë në rrethin e Durrësit: Këtu të sëmurët  ndiqen nga hematologu i spitalit të rrethit.

Dhurimi i gjakut, veprim vullnetar, falas

Sipas ligjit,  Nr.9739, datë 21.5.2007:  Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë, dhurimi i gjakut  është veprim vullnetar, falas. Dhe se gjaku njerëzor nuk mund të përdoret në shërbimin shëndetësor për qëllime fitimi./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here