Përgatiti për Shëndet+ dhe Shëndeti Online: Arlinda Gjypi
Vetëm pak kohë më parë, ekspertët dhe studiuesit lëshuan alarmin për atë që e quajtën ulje drastike e fertilitetit në Europë. Kjo ulje është vërtetuar thuajse në të gjitha studimet e fundit të kryera në Kontinentin e Vjetër. Në Londër u mbajt konferenca e radhës lidhur me fertilitetin. Shumica e ekspertëve të pranishëm në këtë konferencë dhanë alarmin për atë që ata e quajtën “kriza e spermës”.
Pjesa më e madhe e studimeve të kryera në avendet e zhvilluara të Europës arrijnë në përfundimin se në 15 vitet e fundit, numri i meshkujve të shëndetshëm nga 18 në 25 vjeç ka rënë dukshëm. Studiuesit fajësojnë për këtë jetën sedentare. Ata bëjnë thirrje për më shumë aktivitet fizik dhe ndërgjegjësim për prindërit që të edukojnë me kulturë fizike fëmijët e tyre.
Por ç’thonë mjekët shqiptarë për rrezikun e një jete sedentare në shëndetin tonë. Lexoni disa prononcime të tyre më poshtë për “Shëndet+”, për sëmundje të ndryshme:
Doktor Agron Islamaj, neurolog:
Për të minimizuar sëmundjet e enëve të gjakut të trurit, është e rëndësishme shmangia e faktorëve që çojnë në këto sëmundje, si: qëndrimi ulur për një kohë të gjatë apo jeta sedentare, mbipesha, përdorimi i duhanit, përdorimi i alkoolit, përdorimi i ushqimeve të tepërta etj.
Ajo çka këshillohet është rritja e aktivitetit fizik, marrja me sport, ecje në natyrë, në ajër të pastër, shmangia sa të jetë e mundur e streseve etj.
Enida Xhumari, specialiste e Higjienës dhe Promocionit në MSH:
Në rastet e deformimeve të shtyllës kurrizore te fëmijët, një rol thelbësor luajnë dhe mjekët e shkollave, si dhe mësuesit e aktivitetit fizik në shkolla, të cilët duhet t’i drejtojnë më shumë rreth aktiviteteve fizike, si: futboll, arte marciale, hedhje. Këto do të shënonin një diferencë të madhe në jetën e tyre të përditshme.
Mjeku kardiolog Muhamed Kondi:
Hipertensioni njihet gjerësisht si presioni i lartë i gjakut. Hipertensioni nuk është gjë tjetër veçse humbja e aftësive që kanë enët e gjakut për t’u tkurrur dhe relaksuar atëherë kur duhet. Ai ndahet në hipertension kryesor dhe dytësor. Shkaqet e hipertensionit kryesor nuk dihen, por mendohen të jenë një sërë faktorësh, si: trashëgimia, mbipesha, kequshqyerja, mungesa e aktivitetit sportiv etj.
Ka disa faktorë favorizues që ndikojnë në shfaqjen e andropauzës te burrat. Është parë se stili i jetesës (jeta sedentare apo pa lëvizje), por dhe abuzimi me alkoolin dhe duhanin ndikojnë në përshpejtimin e shfaqjes së andropauzës.
Valer Manushi, mjek kardiolog:
Personat më të prirur për të pasur nivel të lartë të yndyrnave në gjak, janë ata që bëjnë një jetë sedentare me aktivitet fizik të pakët, kanë një dietë të pasur me mish bagëtie të imët, e kanë në trashëgimi, vuajnë nga diabeti ose abuzojnë me alkoolin. Për ta shmangur një gjë të tillë është e rëndësishme të kryeni sa më shumë aktivitet fizik, eliminoni alkoolin, privilegjoni menynë mesdhetare dhe bëni kontrolle të herëpashershme në nivelit të triglicerideve në gjak.
Jeta Lakrori, specialiste në departamentin e Promocionit në Institutin e Shëndetit Publik:
Ndërsa deklaron se diabeti mund të prekë çdo njeri, specialistja e shëndet publik thotë se ka disa faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit. Mes tyre veç trashëgimisë, ka të bëjë edhe stili i jetesës. Mungesa e aktivitetit fizik është një faktor i rëndësishëm rreziku në drejtim të prekjes nga kjo sëmundje.
ISHP: Jeta sedentare rrit numrin e fëmijëve obezë
Fëmijë obezë që në moshën 9-vjeçare. Mënyra e të ushqyerit, jeta sedentare, mungesa e aktivitetit fizik dhe dëshira për të qëndruar për orë të tëra përpara kompjuterit ose televizorit, janë shkaqet kryesore. Në këtë konkluzion kanë arritur specialistët e nutricionit në Institutin e Shëndetit Publik. Në studimin e fundit që kanë kryer me 4000 fëmijë në të gjithë vendin, jepen të dhëna mjaft interesante që dëshmojnë se shpesh të kesh nuk do të thotë edhe të dish të rrisësh shëndetshëm një fëmijë.
ISHP: Ndikimi në shëndetin mendor të fëmijëve
Disa persona e quajnë këtë shëndet emocional apo mirëqenie mendore. Ajo çka i ndihmon fëmijët të gëzojnë një shëndet të mirë mendor është:
- Të kenë një shëndet të mirë fizik.
- Të kenë kohë dhe liri të luajnë
- Të jenë pjesë e një familje të qetë
- Të jenë në një shkollë me mësues mirëkuptues dhe të përkushtuar.
- Të marrin pjesën aktiviteteve të ndryshme sportive.
- Të ndjehen të dëshiruar, të besuar, të kuptuar, të vlerësuar dhe të mbrojtur.
- Të jenë të interesuar për jetën.
- Të ndjehen optimistë dhe me shpresë.
- Të jenë në gjendje të mësojnë dhe të jenë të sukseshëm.
- Të pranojnë atë që janë dhe atë që janë në gjendje të bëjnë.
- Të ndjehen pjesëtarë të rëndësishëm të familjes, shoqërisë dhe komunitetit.

