Denisa Canameti / Shendeti.com.al
Duke marrë shkas nga proceset e shumta gjyqësore apo arrestimet e mjekëve në vitet e fundit, siç ishte dhe ai i dy mjekëve në maternitetin ‘Koço Gliozheni’, bluzat e bardha, të përfaqësuar nga shoqatat e mjekëve, u kanë dërguar një letër disa drejtuesve të vendit, si presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama, ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, ku u kërkojnë të rishikojnë nenet që kanë të bëjnë me mjekimin e pakujdesshëm (lexo këtu).
Vepra penale e“Mjekimit të pakujdesshëm” parashikon që në rastet kur mjekimi i pakujdesshëm nga ana e mjekut ose personelit mjekësor rrezikon jetën e pacientit, ose shkakton vdekje të tij, dënohet me gjobë ose dënim deri në 5 vjet.
Duke iu referuar shembujve që vijnë nga vendet e BE-së, ku çështjet e pakujdesisë mjekësore trajtohen si çështje civile, ata thonë se edhe Shqipëria duhet ta trajtojë këtë nen si çështje civile dhe jo penale.
“Në botë, çështjet e pakujdesisë mjekësore janë çështje civile, ndërsa në Shqipëri janë penale. Pse “Pakujdesinë” në Kujdesin Mjekësor bota e trajton si çështje civile? Pasi çështjet civile, në dallim me ato penale, kanë nivel të ulët prove, dhe këtu hyn edhe mjekësia, e cila nuk është një shkencë e saktë. Mjekimi i pakujdesshëm kurrsesi nuk mund të përdoret si baza e një akt-akuze, përndryshe do të futeshin në burg të paktën një herë përgjatë jetës gati 50 për qind e mjekëve dhe kryesisht ata të rinj”, shkruhet në deklaratë.
“Në trajtimin e rasteve të tilla, Shteti dhe Ligjbërësit duhet të marrin parasysh edhe interesin publik. Shqipëria sot ka rreth 3.4 mjekë për 1000 banorë (gati 3 herë më pak se mesatarja evropiane). Mjekët klinicistë do të humbin kështu lirinë për diagnostikimin dhe trajtimin rutinë të pacientëve sidomos atyre me risk të lartë. Pra sistemi shëndetësor shqiptar është i dobët për të përballuar këto goditje”.
Ata kërkojnë që përgjegjësia penale mos të bie vetëm mbi mjekun, por të ndahet midis institucionit mjekësor e sistemit të garantuar prej tij dhe mjekut konkret.
“Nuk mund të pretendohet të gjendet përgjegjësia penale në çdo rast vetëm te mjekët, të cilët në të gjitha rastet fatkeqe të ndodhura në spitalet e institucionet shëndetësore, janë të vetmit të cilët hetohen, ndalohen madje dhe arrestohen nga ana e prokurorisë sikur të ishin kriminelë të rëndomtë, në kushtet kur këta mjekë janë duke ushtruar detyrën e tyre dhe përveç rasteve të veprimeve dhe neglizhencës të rëndë konkrete te pacienti, nuk mund të jenë përgjegjës për vetë funksionimin e sistemit”.
Ne paraqesim kërkesën tonë për krijimin e normave konkrete të së drejtës penale, për ndëshkimin e këtyre rasteve në të ardhmen, duke qartësuar dhe ndarë sakaq përgjegjësitë midis institucionit mjekësor e sistemit të garantuar prej tij dhe mjekut konkret. Në të kundërt, vijimi i punës nga mjekët, nën një klimë gati terrori dhe kërcënuese për lirinë e tyre, ështëiI pamundur dhe me pasoja po kaq të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e pacientëve”, përfundon deklarata.
Deklarata është firmosur nga disa përfaqësues të shoqatave të mjekëve.



