Mjekja shpjegon pse vajzat dhe gratë kanë oreks të shtuar para ciklit menstrual

Mjekja endokrinologe Tea Shehu, në kuadër të ciklit të podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar pse shumë vajza dhe gra përjetojnë një rritje të oreksit në ditët para ciklit menstrual.

Sipas saj, kjo është një dukuri që lidhet me luhatjet hormonale gjatë ciklit menstrual, veçanërisht me fazën luteale.

“Mund të kemi dëgjuar shpesh vajzat që përpara se t’u vijë cikli kanë oreks të shtuar dhe kjo ka një shpjegim. Ka një shpjegim hormonal”, tha Shehu.

Ajo shpjegoi se në fazën luteale, e cila i paraprin menstruacioneve, mbizotëron hormoni progesteron, i cili mund të ndikojë në rritjen e oreksit.

“Në fazën luteale, që është faza përpara fillimit të ciklit menstrual, mbizotëron një hormon që është progesteroni dhe progesteroni është hormon oreksogjen. Le të themi se është një përshtatje e organizmit për të rritur marrjen e kalorive për të përballuar ato ditë që do të vijnë më pas”, u shpreh mjekja.

Sipas endokrinologes, ndryshimet hormonale gjatë ciklit mund të ndikojnë në sinjalet që kontrollojnë urinë dhe ngopjen, duke bërë që në fazën luteale të rritet ndjesia e urisë.

“Edhe luhatjet e vogla hormonale që ndodhin gjatë ciklit menstrual shoqërohen me ndryshime në sinjalet e oreksit dhe të urisë dhe, në rastin e fazës luteale, ato favorizojnë oreksin”, përfundoi Tea Shehu.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?