Në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të” ishte e ftuar Dr. Ruden Cakoni ku tregoi për dietat efektive për rënien nga pesha.
Ajo zbulon se në fakt ka shumë dieta, ka shumë teori dhe shkollat e besimit janë nga më të ndryshmet.
“Mund të përmendim disa dieta. Është dieta mesdhetare, ajo që i ka mbijetuar kohërave dhe studimeve. Ajo nuk është një dietë strikte, pra nuk mund të themi që jemi duke folur për një dietë me rregulla të rrepta. Është më shumë një stil jetese i shëndetshëm që për fatin tonë dhe zona gjeografike në cilën ne ndodhemi është një zonë në të cilën është adaptuar më së miri kjo dietë” shprehet ajo.
Gjithashtu Cakoni thekson se kjo dietë është parë që ul riskun për obezitet dhe për shumë sëmundje të tjera metabolike dhe jo vetëm dhe duke ulur inflamacionin në trup, ul edhe riskun për të zhvilluar tumore e sëmundje të tjera jetë-kërcënuese.
“Veç dietës mesdhetare ekzistojnë dhe dieta të tjera si dieta DASH për shembull, që është një dietë e karakterizuar nga reduktimi kripërave dhe, yndyrnave, veçanërisht atyre të dëmshme. Është një dietë e cila përtej reduktimit të peshës trupore ndikon në uljen e riskut kardiovaskular. Veçanërisht përdoret në pacientë cilët kanë kaluar evente kardiake ose vuajnë nga hipertensioni. Më pas janë dhe dieta të tjera të cilat konsistojnë në reduktimin e karbohidrateve, deri në të famshmen dietën ketogjenike, e cila është një dietë pa karbohidrate për një periudhë kohe mjaft të largët dhe më pas konsiston në integrimin e karbohidrateve gradualisht. Deri në dietat e tjera pastaj që janë intermittent fasting ose ndryshe e njohur si agjërimi i ndërprerë, pra një dietë e cila në bazë të teorisë ku bazohet edhe dhënia mundet të jepet në fasha orari të caktuara gjatë ditës. Ajo që përdoret më shpesh në frekuencë është ajo që bën të ushqemi në një dritare prej tetë orësh, duke qëndruar gjashtëmbëdhjetë orë pa u ushqyer. Më pas edhe dieta të tjera, dieta që konsistojnë në deficit kalorik. Kryesisht dietat funksionojnë, por deri në njëfarë pike” tregon Cakoni.
Pra, pothuaj çdo dietë funksionon, por deri në njëfarë pike thotë ajo.
“Nuk arrijnë ndoshta vetëm dietat të reduktojnë peshën trupore dhe të përmirësojnë situatën e një pacienti i cili vuan nga sëmundja obezitetit” shprehet mjekja.


