Kryefaqja Aktualitet Mjeku Aliahmeti: Oksid etileni në akullore do të thotë të helmosh...

Mjeku Aliahmeti: Oksid etileni në akullore do të thotë të helmosh me duart e tua fëmijët!

0
Shpërndaje

Nga Ilir Aliahmeti (Mjek)

Tmerr! Makthi i çdo prindi!

Që më datë 27 Korrik 2021 Spanja përmes sistemit RASSF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) ka njoftuar 47 shtete, përfshirë Shqipërinë, se disa lloj akulloresh që shiteshin edhe në vendin tonë përmbanin OKSID ETILENI.

Më 30 Korrik 2021, tre ditë më vonë, ky informacion i ka shkuar edhe me email drejtuesit të Agjensisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) që duhet të merrte masa të menjëhershme për të ndaluar qarkullimin e akulloreve të kontaminuara.

Të jemi të qartë! Prodhuesi është fajtori kryesor, por “Beso dhe Kontrollo” thotë populli, kështu që nga ana e saj:

Çfarë bëri AKU-ja?

Asgjë!

Edhe pasi u lajmèrua zyrtarisht ….. ASGJË!

Më 10 Nëntor 2021, pas auditimit të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH):

KLSH ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore.

KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

 Pra ky tmerr është evidentuar në vitin 2021!

  •  Çfarë ka ndodhur që atëherë?
  • A është dënuar kush?

Dhe çështja më e rëndësishme për të cilën duam informacion të gjithë:

A JANË ENDE NË SHITJE KËTO AKULLORE TË KONTAMINUARA?

Por çfarë është oksidi i etilenit miqtë e mi?

Oksidi i etilenit është një substancë e ndaluar për përdorim në ushqime që në vitin 2011 në Europë, pasi është zbuluar se ka efekte të forta mutagjenike, gjenotoksike dhe karcinogjenike.

Me fjalë më të thjeshta: është substancë që ka risk për të shkaktuar kancer.

Pra, nëse zbulohet oksid etileni në ushqim, ato duhet të asgjësohen!

Informacion teknik:

Limiti laboratorik i zbulimit të oksidit të etilenit ose i 2-kloretanolit në ushqim është 0.02 miligramë (mg), 0.05 mg ose 0.1 mg për kilogram ushqim, në varësi të llojit të ushqimit.

Informacion praktik:

AKU-ja, pra institucionet shtetërore, nuk kanë fare laborator për ta bërë këtë lloj analize.

Llojet më të raportuara të kancerit nga oksidi i etilenit janë limfomat dhe leucemitë.

Më rrallë është raportuar se oksidi i etilenit mund të shkaktojë edhe kancer stomaku apo kancer gjiri.

Referenca:

Health Effects Notebook for Hazardous Air Pollutants: Ethylene Oxide. Washington, DC: U.S. Environmental Protection Agency, 2018.

International Agency for Research on Cancer. Ethylene Oxide, IARC Monographs on the Evaluation of Carcinogenic Risks to Humans, Volume 100F. Lyon, France: World Health Organization, 2012.

National Toxicology Program. Ethylene Oxide, Report on Carcinogens, Fifteenth Edition. Triangle Park, NC: National Institute of Environmental Health and Safety, 2021.

Jones RR, Fisher JA, Medgyesi DN, et al. Ethylene oxide emissions and incident breast cancer and non-Hodgkin lymphoma in a US cohort. Journal of the National Cancer Institute 2023; 115 (4): 405-412.

Sipas vlerësimit të Institutit Federal Gjerman të Vlerësimit të Riskut (BfR):

Doza ditore e oksidit të etilenit për të shkaktuar një rast kanceri ndër 100.000 persona është 0.037 mikrogramë për kilogram peshe trupore.

Pas kërkesës nga Komisioni Europian, gjetjet e Institutit Federal Gjerman u konfirmuan edhe nga EFSA (European Food Safety Authority).

https://efsa.onlinelibrary.wiley.com/…/j.efsa.2022.7147

⚠️ Kujdes:

Niveli 0.037 mikrogramë për kilogram peshe trupore nuk është një prag toksikologjik nën të cilin nuk priten efekte shëndetësore negative.

Nëse ndiqen parimi ALARA (“as low as reasonably achievable”), ose në shqip “sa më pak që të jetë e mundshme”, parim i cili aplikohet në rastet e substancave mutagjenike, gjenotoksike dhe karcinogjenike, atëherë duhet të evitohet krejtësisht marrja e oksidit të etilenit dhe e 2-kloretanolit përmes ushqimeve.

I pabesueshëm mbetet fakti që në Shqipëri jo vetëm që AKU-ja nuk i teston vetë në laborator ushqimet, por edhe kur lajmërohet zyrtarisht nga vendet Europiane vendos të mos bëjë asnjë veprim!

Pse? Thjesht për “shpërdorim detyre”?

Çfarë tha Kryeministri për “krimin kundër njerëzimit përmes kancerit”…?

Alo? SPAK-u? …

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here