Mjeku i familjes, vetëm “përcjellës” apo edhe doktor?!

Bisedoi: Denisa Canameti

 Qendra shëndetësore është njësia bazë që ofron shërbime të kujdesit shëndetësor parësor. Misioni i saj është të ofrojë shërbim shëndetësor të cilësisë së lartë, të vazhdueshëm, të integruar e të arritshëm nga të gjithë. Mjekët e këtij shërbimi duhet të kujdesen kryesisht për pacientë me sëmundje kronike, por edhe të kurojnë sëmundjet akute, të merren me depistimin dhe parandalimin. Kështu, mjeku i familjes, në rolin e tij, nuk është thjesht një vulë që duhet marrë për hir të sistemit të referimit.

Megjithatë, midis profesionistëve dhe pacientëve ka  skeptikë që mendojnë se qendrat shëndetësore çalojnë në realizimin e misionit të tyre e kjo jo për faj të mjekëve. Një mal me shkresa duhet të plotësohen çdo ditë. Kjo bën që të bjerë cilësia, të zvogëlohet koha e kontaktit  mjek-pacient, që pacientët shpesh të largohen nga mjeku pa kuptuar se çfarë i është thënë.

Lidhur me këtë çështje, Bruna Shiroka, mjeke familjeje dhe drejtuese e Qendrës Shëndetësore numër 3 në Tiranë, shpjegon për gazetën “Shëndet+” se pavarësisht numrit të lartë të pacientëve që mbulon një mjek familje, koha mund të menaxhohet. Sipas mjekes, dokumentacioni që duhet të plotësohet për çdo pacient është i nevojshëm, dhe në asnjë rast i tepërt.

 Doktoreshë, cili është dokumentacioni që duhet të plotësoni për një pacient, pasi thuhet se ka një ngarkesë të tepërt për mjekët e familjes?

Dikur plotësonim dy herë më shumë dokumente për pacientët.  Dokumenti bazë i ndjekjes së një pacienti është kartela. Që fillon që nga gjeneralitetet, nga anamneza e një pacienti etj. Kartela është informacioni i mundshëm për pacientin, ky dokument është bazë për mjekun e familjes por dhe për specialistët besoj. Kartela është mjeti që identifikohet një pacient.

Sa pacientë ka mesatarisht një mjek familje? 

Një mjek familje ka mesatarisht 2000-3000 pacientë. Unë kam 3100 pacientë.

Që nënkupton 3100 kartela dhe dokumente…

3100 kartela janë shumë, edhe puna është shumë, vizitat janë shumë. Nëse do ta marrim në sensin sa pacientë duhet të ketë një mjek familje, sigurisht që ka normatura që përcaton Ministria e Shëndetësisë. Kështu, mjeku i familjes lejohet në maksimumin e mundshëm të presë 12 vizita në ditë. Kjo gjithmonë është jashtë çdo praktike ditore, sepse nuk arrihet dot, se çdo ditë numri i pacientëve që vizitojmë ne është 30-40. Dje, për shembull, që ishte një ditë e ngarkuar kishim 60 vizita, se ishte sëmundshmëri akute, që nuk e planifikon dot. Ne mund të planifikojmë vetëm vizitat kronike.

Si arrini ta menaxhoni kohën që secili prej pacientëve të marrë vëmendjen e duhur, duket kohë e pamjaftueshme?

Mund të duket e pamjaftueshme, sikur nuk ia jep vëmendjen e duhur. Në fakt bën një lloj diferencimi, pa dashur të diferencoj pacientët. Për një pacient kronik që është stabilizuar, bëjmë një matje, jepet mjekimi i muajit dhe kaq. Një pacient që vjen për herë të parë, do të shikohet ka probleme ose jo të sëmundje të mushkërive, të zemrës apo do të interpretohen analizat, kjo sigurisht që merr kohën më të madhe.

Me kalimin e kohës jemi mësuar të menaxhojmë më mirë kohën dhe ndoshta kjo na bën edhe ta përballojmë. Ndonjëherë na kap rutina dhe vjen ora 14-15 dhe ne prapë jemi në punë.

A ka dokumente të panevojshme që mund të shmangen?

E thashë, ne kemi pasur dhe më tepër që kaq. Kishim një librezë pacienti, tani kemi një kartë shëndeti.

A nuk ishte më mirë libreza, a nuk kishte më shumë informacion për pacientin?

Jo! Pacienti nuk është një letër që vjen. Pacientit që vjen i hapet një kartelë dhe këtu shënohet gjithçka që bën me pacientin. Dhe nëse e kam këtë kartelë, dhe specialisti që e ka e di shumë mirë, që edhe nëse s’e ka librezën që të shohë mjekimin, e ka në kartelë.

A kanë besim pacientët te mjeku i familjes apo e shikojnë si një hallkë që duhet kaluar, si një vulë më shumë?

Jo, nuk mendoj kështu. Mendoj që mjeku mendon të bëjë punën e mjekut, e që nuk mendon të bëjë punën e përcjellësit apo informatorit për të dërguar pacientin, pse jo të riskojë ta mbajë, të menaxhojë situatën, të kërkojë të jetë vetja, por edhe informacione shtesë, por edhe konsulta nëse e ka të nevojshme  për ta mbajtur vetë pacientin.

Dhe një herë po e mbajte vetë pacientin me shumë guxim dhe shumë përgjegjshmëri, ai pacient nuk ikën më. Nëse dua të vij e të iki në shtëpi, duke i kaluar pacientët direkt te specialisti për një dhimbje koke apo një dhimbje veshi, kjo nuk është puna e mjekut. Një mjek i familjes i përgatitur mund të menaxhojë shumë situata pa i kaluar te specialisti.

Por në fakt te dera e kardiologut vërshojnë njerëzit për një matje tensioni, për një EKG. A e ka tagrin mjeku i familjes që ta ndjekë vetë këtë pacient?

Absolutisht po. Ne punojmë me një listë barnash të rimbursueshme. Në fund të fundit, çdo pacient është i interesuar të përfitojë për sëmundjen që ka, sepse do të lehtësojë xhepin e shpenzimeve . Ky protokoll barnash ka kufizimet e veta, që e bëjnë të pamundur që mjeku i familjes një pjesë të madhe të barnave ta menaxhojë situatën vetë duke parë situatën e pacientit.

A keni përplasje me mjekët specialistët sa i përket çështjes së barnave?

Jo, nuk kemi. E shoh nga përvoja. Ata janë të kujdesshëm që as ne të mos rëndohemi. Sepse pacienti nëse merr nga specialisti një terapi përkatëse të cilën nuk arrin dot me kufizimet e listës së barnave, do të ketë kontradita. Por gjatë udhës kemi rënë në një ujdi, në një konstante.

Pacienti që nuk takon asnjëherë mjekun e familje…

Me hyrjen e kontrollit të bazë patëm mundësinë që të marrim një grup popullate që nuk vinin te ne. Erdhën dhe u rregjistruan, u morëm numrat e telefonit. Këtë vit mjekët pjesën më të madhe të pacientëve e kanë lajmëruar dhe pacienti ndihet shumë mirë kur e lajmëron në shtëpi. Por pjesën e kronikëve e kemi të gjithë të kontaktuar./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore