Monika Stafa: Shëndeti, të jesh e bukur dhe të ndihesh e tillë gjithnjë

monikastafa1Kontrolle të rregullta mjekësore, përkujdesje e vazhdueshme për shëndetin janë “rregullat e arta” që nuk duhen anashkaluar asnjëherë. Për më tepër, duhet të kënaqemi me kënaqësitë e vogla duke gjetur pranë tyre lumturinë e çastit, pa e kthyer kokën pas

Arlinda Gjypi

Monikës i pëlqen të kujdeset për veten. Bukuria që shfaq në televizion nuk është thjesht imazh. Është edhe kohë e mjaftueshme e kushtuar për shëndetin, të cilin ajo nuk e lë kurrë pas dore. Vërtet! Nëse do të thonim që shqiptarët janë të shkujdesur, është e sigurtë që Monika Stafa nuk hyn në atë pjesë. Një nënë që i kushton shumë vëmendje ushqimit të të voglit të saj, madje duke shpjeguar me durim edhe pse ai duhet të hajë këtë apo atë ushqim. Ndërkohë, edhe vizita të rregullta shëndetësore, këshilla nga dermatologia që ndiqen me kujdes dhe një dëshirë e madhe për të qenë e bukur. Sepse vetë fjala “shëndet” në tërësi nënkupton të qenët dhe të ndjerët e bukur kurdo, edhe atëherë kur duket sikur asgjë nuk është në rregull. Më poshtë një intervistë e Monika Stafës për gazetën “Shëndet Plus”.

Monika, ç’nënkupton për ty fjala “shëndet”?

Të jesh e bukur e të ndihesh e tillë dhe kur je mes një rutine të lodhshme ditore. Të mendosh për të qenë e tillë edhe kur mëritë dhe mërzitë duan të ta prishin humorin e mëngjesit hyjnor që të vijmë rrotull.

Shëndetin që keni, ia dedikoni kryesisht përkujdesjes apo genit?

Të dyjave bashkë. Nuk mund të ndahen kurrsesi. Një krah s’do të ishte mjaftueshëm pa tjetrin dhe një dorë po ashtu s’mund të jetë e plotë. Hyji na krijoi me të tëra dhe njëra pa tjetrën s’do të ishte e mjaftueshme.

Kryeni vizita mjekësore pa pasur probleme shëndetësore? Me mjekun e familjes si i keni marrëdhëniet?

Po, natyrisht që kryej vizita mjekësore çdo vit në muajin shtator. I bëj rregullisht. Jam shumë në merak për t’i kryer gjithmonë me kujdes dhe korrektesë.

Vlerësoni më shumë ilaçet apo mjekësinë popullore?

Përpiqem të mos marr shumë ilaçe. Mundohem të ha shëndetshëm dhe me cilësi. Gjithmonë e mendoj mirë atë që përtyp. Asgjë nuk më shkon pa një përllogaritje drejt shëndetit të mirë fizik.

monika1Përsa i takon ushqyerjes, ndiqni ndonjë rregull apo preferoni të ushqeheni sipas dëshirës?

Me dëshirë më shumë se me rregull. Unë nuk para i ndjek rregullat, sidomos kur ato janë njësh me “kanonet”, vetëm se dëshira duhet të jetë e shëndetshme, domethënë duhet të më shërbejë mua. 🙂

A gatuani në familje?

Po, unë gatuaj në shtëpi. Më pëlqen kur dua të çlodhem, të merrem me gatim. Por kur ditën e kam të rëndë ama, më pëlqejnë të ma shtrojnë. Më çlodhen ndjesitë.

Sa hapësirë zë në jetën tuaj aktiviteti fizik?

Unë eci më së shumti dhe mundohem të shtoj kilometrat e mi në këtë mënyrë, por dhe në fundjavë, mëngjeseve dal për vrap kur sytë nuk janë të pangopur me gjumë.

Jeni pro apo kundër ndërhyrjeve estetike?

Pas një moshe të caktuar, mbi 45 po jam dakord. Por para kësaj moshe është problem psikologjik varësie që nuk ka justifikim. Dhe ndërhyrjet të jenë të vogla, jo të një shkalle të tillë që të mund të transformojne portretin.

Cila është marrëdhënia juaj me produktet e kozmetikës (sigurisht jashtë ekranit)?

Është shumë e dashur marrëdhënia ime me to. Jam shumë e kujdesshme të zgjedh ato që duhet të përdor për lëkurën time, pa e dëmtuar dhe rënduar. Mundohem të ndjek këshillat e dermatologes që konsultoj sa herë kam nevojë për të.

Si nënë, sa rëndësi i kushtoni ushqimit të fëmijës (djalit)?

Shumë! Pothuaj çdo gjë kur ia shtroj, mundohem t’ia shpegoj se çfarë vitaminash dhe çfarë të mirash i sjell organizmit. Atij i pëlqen që të më dëgjojë. Im bir është dëgjues i mirë dhe unë kënaqem për këtë.

Sa rëndësi i kushtoni shëndetit dentar?

Jashtëzakonisht. E lidh menjëherë me paraqitjen e parë fizike që ka njeriu përballë tjetrit. Dhe për këtë meriton respekt dhe kujdes të vazhdueshëm.

Puna, shëndeti dhe familja. Si e shihni lidhjen mes të triave?

Ah, të pazgjidhshme, ashtu si tri nimfat e bukura të tablosë së pikturës së Mikelanxhelos, të pandara në bukurinë dhe sensualitetin e tyre. Në vrap e sipër për t’i qëndruar besnike të triave pa të cilat ditën nuk do ta jetoja dot. Jam e lumtur që i kam.

A mendoni se si popull jemi të kujdesshëm ndaj shëndetit apo jemi neglizhentë?

Jo, ende nuk jemi të kujdesshëm sepse ne nuk dimë ose, më mirë, nuk lexojmë. Nëse kemi edukatë, ende të ngrënit shëndetshëm dhe egoja e momentit na përfshin ashtu si dhe vizionin e kemi: dritëshkurtër e aspak largpamës për të parë më tej.

Një mesazh për lexuesit e “Shëndet Plus”?

Të kënaqemi me kënaqësitë e vogla duke gjetur pranë tyre lumturinë e çastit, pa e kthyer kokën pas.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën