Kryefaqja Shendeti a-z A Morbus Alzheimer, trajtimi dhe sfidat

Morbus Alzheimer, trajtimi dhe sfidat

0
Shpërndaje

Prof. Asc. Ilirjana Zekja, mjeke neurologe

Demenca është një grup çrregullimesh që shkaktojnë keqësim të pakthyeshëm të sferes konjitive, si rezultat i mekanizmave të ndryshëm patologjikë që dëmtojnë qelizat cerebrale (të trurit). 4% e individëve mbi 65 vjeç rrezikojnë demencën, ndërkohë që 50 – 75% rrezikojnë të preken nga sëmundja e alzhaimerit.

Përcaktimi për sëmundjen e alcajmerit (e emërtuar nga psikiatri dhe neuroanatomisti Alois Alzheimer) nga DSM IV dhe ICD 10, bazohet në 2 kriteret e mëposhtme:

Keqësim i dukshëm i të paktën dy nga 4 funksionet konjitive:

a) Kujtesa,

b) Aftësia për të folur në mënyrë koherente, apo për të kuptuar gjuhën e folur / të shkruar,

c) Kapaciteti për të planifikuar, gjykuar dhe kryer detyra komplekse,

d) Aftësia për të përpunuar dhe interpretuar informacionin viziv.

Keqësimi është aq i rëndë, saqë ndikon në jetën e përditshme.

Sipas Shoqatës Amerikane Psikiatrike, demenca është zhvillimi i deficiteve konjitive (njohëse) të shumëfishta ku përfshihet dëmtimi i kujtesës dhe të paktën një nga alterimet e mëposhtme:

  • Afazia (çrregullim i komunikimit që pengon aftësinë e njeriut për të përdorur dhe kuptuar fjalët)
  • Apraksia (çrregullim motorik i shkaktuar nga një dëmtim i trurit në të cilën individët kanë vështirësi të kryejnë veprimet që duan)
  • Agnozia (çrregullim, në të cilin pacienti nuk arrin të njohë objektet, format, aromat, njerëzit etj)
  • Çrregullim në funksionet ekzekutive.

Këto deficite mund të jenë aq të rënda, sa të shkaktojnë dëmtim të funksionimit social apo okupacional të individit dhe mund të paraqesin keqësim krahasuar me nivelet funksionale më të larta të mëparshme. Në nëntor të vitit 1906, psikiatri dhe neuroanatomisti Alois Alzheimer raportoi “Një proces patologjik të rëndë e të veçantë të korteksit cerebral”. Ai përshkroi një grua 50-vjeçare të paraqitur me paranojë, çrregullime progresive të gjumit dhe kujtesës, agresivitet dhe konfuzion për 5 vite, deri sa ajo vdiq. Në raportin e tij evidentoi pllakat dhe lëmshat neurofibrilare në histologjinë cerebrale. Kjo ngjalli pak interes, por Kraepelin e përfshiu “Sëmundjen Alcajmer” në edicionin e tretë të tekstit të tij “Psikiatria” në vitin 1910.

Shkaqet janë të panjohura, por sëmundja e alcajmerit shkaktohet nga një sërë procesesh komplekse që ndodhin në indin cerebral gjatë një periudhe të gjatë kohe. Mendohet shkaqet të jenë: faktorët gjenetikë dhe mjedisorë.

Efektiviteti i disa medikamenteve sugjeron faktin se sëmundja e alzheimerit shkaktohet nga sinteza e reduktuar e acetilkolinës. Janë propozuar edhe efekte të tjera kolinergjike, si: nxitja e agregimit masiv të amiloidit, gjë që çon në neuroinflamacion të gjeneralizuar.

Sëmundja e alcajmerit karakterizohet nga grumbullimi i proteinave në indin cerebral, që edhe pse nuk mund të vlerësohet tek individët, mund të evidentohen në ekzaminimet post – mortem, ku manifestohet në dy mënyra:

Pllakat amiloidike – depozitime të proteinës beta-amyloid në hapësirat midis qelizave nervore.

Lëmshat neurofibrilare – depozitime të proteinës tau që akumulohet në brendësi të qelizave nervore.

Diagnoza

Vendosja e diagnozës për pacientin me sëmundjen e alcajmerit bazohet në:

Anamnezën personale dhe informacionin e marrë nga familjarët e pacientit;

Realizohen testet neuropsikologjike, ku bëhet vlerësimi i dëmtimeve konjitive (njohëse) dhe grada / stadi i këtyre dëmtimeve.

  1. M.M.S.E (Mini Mental State Examination) / testi Folstein: pyetësor me 30 pikë që përdoret për të matur dëmtimet konjitive (njohëse); për të studiuar demencën e vlerësuar ecurinë dhe rëndesën e dëmtimeve njohëse.

Administrimi i testit: 5–10 minuta, ekzaminon funksione si: vëmendja, përllogaritja, kujtesa, të folurit, orientimi, aftësia për të zbatuar komanda të thjeshta.

Testi nuk kërkon pajisje të specializuara apo përgatitje të veçantë dhe ka vlefshmërinë, si dhe besueshmërinë për diagnozën dhe vlerësimin  në sëmundjen e alcajmerit.

Disavantazhet: Ky test ndikohet nga faktorët demografikë dhe më tepër nga mosha dhe niveli i edukimit.

  1. MoCA ( Montreal Cognitive Assessment): test 30 – pikësh që vlerëson kujtesën afatshkurtër; orientimin viziv-hapësinor, kujtesën afatgjatë, funksionet ekzekutive, të folurën etj dhe realizohet në 10 minuta.

MoCA është instrument me vlerë për zbulimin e dëmtimeve të lehta të njohjes dhe në alcajmerin e hershëm.

Imazheria

Ekzaminimet imazherike të avancuara shërbejnë për përjashtimin e patologjive të tjera cerebrale apo nëntipeve të demencës.

Trajtimi dhe menaxhimi

Qëllim i trajtimit është përmirësimi / ngadalësimi i çrregullimeve njohëse dhe ruajtja e pavarësisë për aktivitetin  e përditshëm sa më gjatë të jetë e mundur.

Punohet me një ekip multidisiplinar (neurologu, infermieri, neuropsikologu, fizioterapeuti, punonjësi social), që ofrojnë mbështetje dhe këshillim psikologjik, edukim dhe hartim të strategjive të nevojshme për të kontrolluar çrregullimet e sjelljes si manifestime të sëmundjes.

Ende nuk ka një mënyrë për trajtimin përfundimtar të sëmundjes së alcajmerit./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here