Kryefaqja Lajm kryesor Morbus Crohn (sëmundja që shkatërron zorrët), shkaqet

Morbus Crohn (sëmundja që shkatërron zorrët), shkaqet

0
Shpërndaje

Dr. Gerald Kola, Konsulent Mjekësor 

Morbus Crohn (Sëmundja e Crohn) është një sëmundje që zakonisht prek zorrën e vogël dhe më pak zorrën e trashë (kolonin), por mund të përfshijë edhe pjesën tjetër të traktit gastrointestinal – gojën, ezofagun dhe stomakun. Inflamacioni kronik, i cili është baza e sëmundjes së Crohn shkakton ulcera, enjtje dhe çarje të pjesëve të zorrëve që përfshin. Morbus Crohn ka disa emra si përshembull: enterit granulomatoz, enterit rajonal, ileitis dhe kolit granulomatoz në rastet kur përfshin zorrën e trashë.

Çfarë e shkakton Morbus Crohn?

Shkaku i inflamacionit kronik në sëmundjen e Crohn është i panjohur. Teoria kryesore është që inflamacioni iniciohet nga bakteret që jetojnë brenda zorrëve. Normalisht shumica e inflamacionit zakonisht shtypet nga imuniteti dhe sëmundja e shkaktuar nga inflamacioni shërohet, ndërsa në sëmundjen e Crohn, inflamacioni nuk shtypet dhe vazhdon të progresojë. Inflamacioni i vazhdueshëm ndoshta ndodh për shkak të faktorëve ambiental (bakteret), si dhe faktorët gjenetikë që ndikojnë në sistemin imunitar. Morbus Crohn në fëmijë dhe adoleshentë Sëmundja e Crohn më së shumti
prek fëmijët në adoleshencën e vonë dhe të rinjtë të moshës 20 deri në 30 vjeç. Ndonjëherë mund të prekë edhe foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Morbus Crohn nuk është e rrallë. Për fëmijët, problemet sociale të krijuara nga simptomat e sëmundjes së Crohn janë të vështira për t’u përballuar meqë sëmundja mund të kufizojë aktivitetet ditore. Inflamacioni kronik gjithashtu frenon rritjen dhe vonon pubertetin. Faktorët emocionalë dhe psikologjikë gjithmonë duhet të konsiderohen në të rinjtë me sëmundjen e Crohn.

Si ndikon sëmundja e Crohn në zorrë?

Shenjat e para të sëmundjes së Crohn janë ulcerat e vogla, të quajtura ulcerat aftoze, të shkaktuara nga gërricjet në shtresën e brendshme të zorrës si pasojë e inflamacionit. Ulçerat bëhen gjithmonë më të mëdha dhe më të thella. Me zgjerimin e ulcerave vjen enjtja e indit dhe çarja e sipërfaqes së zorrës, duke ngushtuar dhe tendosur zorrë. Si përfundim, ngushtimi i zorrës mund të shkaktojë pengesë në kalimin normalisht të ushqimit përmes zorrës. Ulçerat e thelluara mund të depërtojnë plotësisht në muret e zorrëve dhe të hyjnë (penetrojnë) në organet e afërta, siç është fshikëza e urinës, vaginal si edhe në pjesë të tjera të zorrës. Këto lloj penetrimesh quhen fistula.

Ku ndryshon sëmundja e Crohn nga koliti ulcerative?

Si Morbus Crohn ashtu edhe koliti ulçerativ janë sëmundje kronike inflamatore të zorrëve. Koliti ulcerativ përfshin vetëm pjesën e kolonit të traktit gastrointestinal, ndërsa sëmundja e Crohn mund të prekë çdo pjesë të traktit gastrointestinal nga goja deri në anus. Inflamacioni i kolitit ulcerativ përfshin vetëm shtresën sipërfaqësore të zorrës së trashë, ndërsa inflamacioni i sëmundjes së Crohn shkon më thellë në muret e zorrëve madje edhe përtej mureve duke i çarë ato. Shenjat (simptomat) e Morbus Crohn Simptomat më të zakonshme të sëmundjes së Crohn janë dhimbjet e barkut dhe diarreja. Shenjat e tjera të inflamacionit janë ethet dhe barku i ndjeshëm (sensibël) në prekje. Duke qenë se simptomat mund të përkeqësohen nga ushqyerja, ngrënia e ushqimit pakësohet dhe kjo çon në humbje të peshës dhe në keq-ushqyerje.

Humbja e ngadaltë e gjakut në zorrë që ndonjëherë nuk kapet as me analizën e feçeve mund të bëjë anemi nga mungesa e hekurit. Ndërlikimet (komplikacionet) e Morbus Crohn Komplikacionet e sëmundjes së Crohn përfshijnë keq-ushqyerjen, humbjen e peshës, aneminë, vonesën në rritje dhe pubertetin e vonuar. Dy ndërlikimet më serioze janë shtrëngimi ose ngushtimi i zorrëve për shkak të çarjeve dhe formimit të fistulave. Gjakderdhja (hemorragjia) masive dhe shpimi i zorrëve janë të pazakonta. Ekzistojnë edhe manifestime ekstra-intestinale (jashtë zorrëve) të sëmundjes së Crohn, disa prej të cilave mund të përkeqësohen. Këto përfshijnë artritin, pezmatimin (inflamacionin) e syrit që mund të dëmtojnë shikimin, sëmundjet e lëkurës që ndryshojnë nga të lehta (erythema nodosum) deri në të rënda (pyoderma gangrenosum), gurët e tëmthit dhe humbja e densitetit kockor për shkak të mangësive nga ushqimi. Shumica e këtyre manifestimeve besohet të jenë si shkak i inflamacionit që ndodh jashtë zorrëve./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here