Kryefaqja Aktualitet Mosmbajtja e urinës tek të rriturit, shkaqet dhe trajtimi

Mosmbajtja e urinës tek të rriturit, shkaqet dhe trajtimi

0
Shpërndaje

Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online

Inkontinenca e urinës ose humbja e kontrollit të vezikës për të mbajtur urinën është një problem shqetësues dhe i shpeshtë. Shkaqet e inkotinencës janë të ndryshme në mosha të ndryshme, në meshkuj dhe femra. Në fëmijëri, kontrolli i vezikës urinare zhvillohet më herët te vajzat se te djemtë dhe njomja e dyshekut është më e zakonshme te djemtë se te vajzat.

Megjithatë në moshat e rritura , femrat janë më të prirura se meshkujt për zhvillimin e inkontinencës urinare për arsye të diferencave anatomike në zonën e legenit, si dhe ndryshimet që ndodhin nga shtatzania dhe lindja. Sidoqoftë, shumë burra vuajnë nga inkontinenca. Me kalimin e moshës ajo shtohet, por nuk është pjesë e paevitueshme e plakjes. Mjeku urolog Rezar Rusi në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” shpjegon problematikën e sëmundjes, si dhe jep zgjidhjen për secilin rast.

REZAR RUSI
Dr. Rezar Rusi duke folur për gazetën Shëndet+ dhe Shëndeti Online

Doktor, cilat janë format e inkontinencës urinare?

Disa njerëz lagen më pak dhe rrallë, të tjerë janë vazhdimisht të njomur. Dallohen disa forma të inkontinencës urinare:

Inkontinenca e stresit. Kjo konsiston në rrjedhje të pavullnetshme të urinës gjatë kohës që personi kollitet, teshtin, qesh, bën ushtrime fizike ose ngre pesha të rënda, veprime të cilat përcjellin shtrëngimin e barkut në vezike.

Inkontinenca nga ngacmimet (e urgjencës). Është një rrjedhje e pavullnetshme e urinës si rezultat i një ndjenjë të fortë urgjente të papritur për të urinuar që nuk mund ta ndalosh dot. Mund të lindë nevoja për të urinuar shpesh, duke përfshirë dhe natën. Inkontinenca e urgjencës mund të shkaktohet nga shkaqe të vogla, siç është infeksioni, ose nga shkaqe më të forta siç janë çrregullimet neurologjike ose diabeti.

Inkontinenca e mbimbushjes. Pacienti mund të ketë derdhje të shpeshtë ose të vazhdueshme të urinës në porcione të vogla si rezultat i moszbrazjes tërësisht të vezikës.

Inkontinenca funksionale. Një dëmtim fizik ose mendor mund të bëjë që pacienti të mos arrijë në banjë në kohë. P.sh nëse pacienti ka një artrit të theksuar, ai s’është në gjendje të zbërthejë shpejt pantallonat.

Inkontinenca e përzier. Do të thotë që pacienti vuan nga disa lloje inkontinencash urinare.

Kur duhet bërë vizita te mjeku

Pacienti mund të ketë ndrojtje për të diskutuar shqetësimin e tij për moskontrollimin e urinimit me mjekun, por nëse inkontinenca është e shpeshtë ose prek cilësinë e jetës, është e rëndësishme të këshillohesh, mbasi prezenca e inkontinences urinare mund:

  • Të tregojë se ka një problem serioz të fshehur.
  • Të shkaktojë një kufizim të aktiviteteve ose kufizon ndërveprimet shoqërore.
  • Të shtojë rrezikun e rrëzimit të të moshuarve kur ata nguten për të shkuar në banjë.

Shkaqet

Inkontinenca urinare nuk është një sëmundje, por një simptomë. Ajo mund të shkaktojë probleme mjekësore apo fizike të padukshme. Konsultimi me mjekun mund të zbulojë çfarë fshihet pas inkontinencës.

infeksione urinareInkontinenca urinare e përkohshme

Disa pije, ushqime dhe medikamente mund të veprojnë si diuretike (shkarkues të ujit), duke stimuluar vezikën dhe duke shtuar volumin e urinës. Këto janë:

  • Alkooli
  • Kafeina
  • Çaji dhe kafeja e dekafeinuar (pa kafeinë)
  • Pijet e gazuara
  • Sheqeri artificial
  • Shurupi i misrit
  • Ushqimet pikante, si dhe ato acide ose me shumë sheqer, veçanërisht agrumet
  • Medikamentet për sëmundje të zemrës ose tensionit të gjakut, qetësues dhe relaksues të muskujve
  • Doza të larta vitaminë B dhe C

Inkontinenca e urinës mund të shkaktohet edhe nga sëmundje që mjekohen lehtë, si:

Infeksione të traktit urinar. Infeksionet mund të irritojnë veziken duke shkaktuar një ndjenjë të fortë, urgjente, urinimi dhe nganjëherë inkontinencë. Shenja të tjera të infeksionit të traktit urinar janë: djegie gjatë urinimit dhe urinë me erë të rëndë.

Kapsllëku (konstipacioni). Rektumi është i vendosur pranë vezikës dhe shumë nga nervat e tij janë të përbashkët për të dy organet. Nevoja (feçe) e fortë dhe kompakte që gjendet në rektum, ngacmon këto nerva, i bën ato tepër aktive si rezultat shton frekuencën e urinimit.

Inkontinenca urinare e vazhdueshme

Inkontinenca urinare mund të jetë gjithashtu e vazhdueshme, e shkaktuar nga probleme fizike, ose ndryshime të tjera, si:

Shtatzënia. Ndryshimet hormonale dhe shtimi i peshës së mitrës, mund të shkaktojë inkontinencë stresi.

Procesi i lindjes. Lindja natyrale nëpërmjet vaginës, mund të dobësojë muskujt që shërbejnë për kontrollin e vezikes, si dhe mund të dëmtojë nervat e vezikës dhe indet mbështetëse duke çuar në rrëshqitje të dyshemesë së legenit. Kjo bën që vezika, mitra, rektumi dhe një pjesë e zorrës së hollë të shkasin poshtë pozicionit normal duke hyrë në vaginë. Kjo gjendje mund të shoqërohet me inkontinencë.

urineNdryshimet e moshës. Plakja e muskulit të vezikës mund të zvogëlojë kapacitetin e vezikës për të depozituar urinën.

Menopauza. Mbas menopauzës gratë prodhojnë me pak estrogen, një hormon që ndihmon në mbajtjen e shëndetshme të shtresave të vezikës dhe të uretrës. Përkeqësimi i këtyre indeve mund të rëndojë inkontinencën.

Histerektomia (Heqja e mitrës). Vezika dhe mitra ndihmohen pothuajse nga të njëjtët muskuj dhe ligamente. Çdo ndërhyrje kirurgjikale që kryhet në sistemin riprodhues duke përfshirë heqjen e mitrës, mund të dëmtojë muskujt mbeshtetës të dyshemesë së legenit duke çuar në inkontinencë.

Prostata e zmadhuar. Veçanërisht në burra të moshuar, inkontinenca shpesh është si rezultat i zmadhimit të gjendrës së prostatës e njohur si hiperplazia beninje e prostatës (BPH).

Kanceri i prostatës. Ne burrat, inkontinenca e stresit ose inkontinenca e urgjencës, mund të shoqërohet me kancer të prostatës të patrajtuar, por me shpesh ajo vihet re si një komplikacion i kancerit të trajtuar.

Obstruksioni. Një tumor kudoqoftë përgjatë pjesës së poshtme të traktit urinar, mund të bllokojë rrjedhën normale të urinës, duke të çuar në inkontinencë të mbimbushjes. Gurët urinare që janë masa të forta të formuara në vezike, disa herë japin kullim të pavetëdijshëm të urinës.

Çrregullimet neurologjike. Skleroza e shumëfishtë, sëmundja e Parkinsonit, goditja cerebrale, tumori në tru ose një dëmtim i palcës së kurrizit mund të çrregullojnë kalimin e sinjaleve te nervat që kontrollojnë vezikën duke shkaktuar inkontinencë urinare.

Faktorët e rrezikut

Faktorët që rrisin rrezikun e inkontinencës janë:

Gjinia. Gratë janë më të prirura për të pasur inkontinencën e stresit. Shtatzania, lindja, menopauza dhe anatomia normale e femrës, janë faktorë të veçantë vetëm për gratë. Megjithatë, burrat me probleme të prostatës kanë rrezik të rritur për inkontinencën e urgjencës dhe atë të mbimbushjes.

Mosha. Me rritjen e moshës, muskujt e vezikës dhe të uretrës humbin forcën e tyre.

Mbipesha. Mbipesha rrit presionin në vezikë dhe muskujt që e rrethojnë duke i dobësuar ato, kështu që procesi i kollitjes dhe teshtitjes shoqërohet me pikim të urinës në mënyrë të pavullnetshme.

Sëmundje të tjera. Sëmundjet neurologjike dhe diabeti mund të rrisin rrezikun e inkontinencës.

Ndërlikimet

Ndërlikimet e inkontinencës kronike përfshijnë:

  • Probleme të lëkurës.
  • Infeksione të traktit urinar.
  • Ndikim në jetën personale.

Ekzaminimet dhe diagnoza

Është i rëndësishëm përcaktimi i llojit të inkontinencës. Në bazë të saj vendoset për mënyrën e mjekimit. Mjeku fillon duke pyetur për historinë e sëmundjes dhe vazhdon me ekzaminimin fizik. Njëkohësisht pacientit i thuhet të bëjë një veprim të thjeshtë që konsiston në mbylljen e gojës, shtrëngimin e hundës me gishta dhe i kërkohet të sforcohet sikur do të nxjerrë frymën. Mbas kësaj mjeku do të kërkojë:

  • Analizë të urinës.
  • Ditari i vezikës.
  • Matja e urinës së mbetur në vezike pas urinimit.
  • Ekzaminime speciale

Trajtimi dhe medikamentet

Trajtimi i inkontinencës urinare varet nga lloji i inkontinencës, ashpërsia e shenjave dhe shkaqeve të saj. Mund të nevojitet një trajtim i kombinuar. Fillimisht mjeku rekomandon mjekimin më të lehtë dhe pastaj sugjeron opsione të tjera, nëse i pari s’jep rezultat.

Teknika ndihmëse

Trajnimi i vezikës, për të vonuar urinimin në momentin që lind nevoja urgjente për urinim. Fillohet me mbajtjen e urinës për 10 minuta sa herë që ka nevojë për urinim urgjent. Qëllimi është që të zgjatet koha midis urinimeve deri në dy ose katër orë.

Urinimi i dyfishtë. Kjo nënkupton një urinim normal, pastaj pritet pak minuta dhe provohet përsëri për të urinuar. Ndihmon në zbrazjen më të plotë të vezikës duke evituar inkontinencën e mbimbushjes.

Grafiku i urinimit, për të urinuar çdo dy ose katër orë në vend të urinimit sipas nevojës.

Menaxhim i dietës dhe lëngjeve, për të rifituar kontrollin e vezikës. Duhen evituar alkooli, kafeja dhe ushqimet me aciditet. Paksimi i konsumimit të lëngjeve, rënia në peshë ose shtimi i aktivitetit fizik mund të lehtësojnë problemin.

Ushtrimet e muskujve të dyshemesë së legenit

Mjeku rekomandon kryerjen e ushtrimeve të shpeshta që ndihmojnë në forcimin e muskujve që marrin pjesë në kontrollin e urinimit. Këto ushtrime, që njihen ndryshe dhe si ushtrimet Kegel, janë në mënyrë të veçantë efektive në inkontinencën e stresit, por mund të ndihmojnë gjithashtu edhe inkontinencën e urgjencës.

Për të bërë këto ushtrime të muskujve të dyshemesë së legenit, ju do imagjinoni sikur po tentoni të ndaloni rrjedhjen e urinës:

Shtrëngoni muskujt që shërbejnë për ndalimin e urinës për pesë sekonda, pastaj lëshojini për pesë sekonda të tjera (nëse kjo është mjaft e vështirë, fillohet duke e mbajtur për dy sekonda dhe lëshohet për tre sekonda)

Vazhdohet duke e mbajtur të shtrënguar çdo herë deri dhjetë sekonda.

Qëllimi është të kryhet ky ushtrim tre herë rrjesht duke e përsëritur dhjetë herë në ditë.

Stimulimi elektrik

Përdoren elektroda që vendosen përkohësisht në rektum ose në vaginë për të stimuluar dhe forcuar muskujt e dyshemesë së legenit. Stimulimet e lehta elektrike mund të jenë efikase për inkontinencën e stresit dhe inkontinencën e urgjencës, por mund të jetë e nevojshme që ato të përsëriten shumë herë gjatë disa muajve.

Medikamentet

  • Antikolinergjikët.
  • Alfablokuesit.
  • Estrogene lokale.

Pajisje mjekësore

Pajisje të projektuara për trajtimin e grave me inkontinencë:

Tampon uretral, është një pajisje e vogël si tampon, njëpërdorimësh që futet në uretër përkohësisht, përpara një aktiviteti fizik të veçantë, siç është tenisi, i cili mund të shkaktojë inkontinencë. Kjo shërben si një tapë për të parandaluar lagien dhe hiqet para urinimit.

Unazë e fortë që futet në vaginë dhe lihet gjithë ditën. Kjo pajisje mban lart vezikën, meqë ajo shtrihet pranë vaginës duke parandaluar kullimin e urinës. Mund të përfitojnë prej saj rastet me inkontinencë që janë pasojë e rrëshqitjes (prolaps) së vezikës ose mitrës.

Terapitë intervenuese

Këtu përfshihen:

  • Injeksione të materialeve mbushëse.
  • Toksina butilinike tip A (Botox
  • Stimuluesit e nervave.

Mjekimi kirurgjikal

Nëse metodat e tjera s’japin rezultat, atëherë mund të përdoren procedura të ndryshme kirurgjikale.

Problemet që dalin nga njomja me urinë kërkojnë një kujdes shtesë për të parandaluar irritimin e lëkurës:

  • Të përdoren peceta për t’u pastruar
  • Të lihet lëkura të thahet në ajër
  • Të evitohet larja e trupit dhe dushi i shpeshtë mbasi këto dëmtojnë mbrojtjen natyrale të vezikës nga infeksionet
  • Të përdoret krem për të mbrojtur lëkurën nga urina

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here