Në përgjigje të deklaratës së sotshme (12/01/2015) të kreut në detyrë të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë (UMSH), z. Din Abazaj, lidhur me nismën e shpallur nga ministri Ilir Beqaj më 8/1/2015 për testimin e mjekëve, infermierëve, si dhe punonjësve të tjerë teknikë mjekësorë, si mami, fizioterapeut, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie, logopedist/e, etj., në vend, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të bëjë me dije opinionin publik për sa më poshtë vijon:
-vlerësimet e këtyre 16 muajve në detyrë për funksionimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, në të gjitha nivelet e tij; si dhe,
-gjetjet e raportit të studimit vëzhgimor të zhvilluar nga KZLN-ja me mbështetjen e USAID-it “Vëzhgim për Qendrat Shëndetësore në Shqipëri,” publikuar më dt. 16/10/2014;
-gjetjet dhe rezultatet e procesit të trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për Programin e Kontrollit Bazë Pa Pagesë 40-65 vjeç; po ashtu, edhe
në numrin ndjeshëm të lartë dhe përgjigjet që rezultojnë negative, qoftë të analizave laboratorike, apo -qoftë atyre imazherike që kërkohen rëndom nga mjekët e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend; si dhe,
-shkallën e lartë krahasimisht me vendet e tjera të rekomandimit dhe përdorimit terapeutik të disa barnave, dhe kryesisht atyre të llojit antibiotikë;
-konkluzionet e Konferencës së organizuar në bashkëpunim me OBSH “Shëndet për të gjithë” që u zhvillua në Ditën Botërore të Mbulimit Universal shëndetësor më dt. 12/12/2014;
Ministria e Shëndetësisë ka arritur në konkluzionin se, për të përmirësuar nivelin e burimeve njerëzore në përmbushje të Programit të Qeverisë, ku synimi kryesor është arritja e Mbulimit Universal në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend, për të programuar qartë dhe saktë nevojat për përmirësimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, si dhe për të orientuar drejt ofertën e edukimit në vazhdim, ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të testojë mjekët, infermierët, si dhe të punonjësit e tjerë teknikë mjekësorë.
Dëshirojmë të ritheksojmë se ky program testimi as nuk e cenon dhe as nuk e dëmton procesin e nisur tashmë prej pesë vitesh të edukimit në vazhdim. Ministria e Shëndetësisë mbështet procesin e edukimit në vazhdim dhe është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga Vendimi i Bordit të QKEV-së, dt. 08/07/2014, i cili është marrë në dakordësi me të gjithë anëtarët e tij, përfshirë edhe përfaqësuesit e urdhërave të profesionistëve të shëndetit.
Së fundi, Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen që Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ndryshon qëndrimet e veta brenda harkut kohor të më pak se dy ditëve, gjë që tregon se ky institucion nuk është i interesuar të informohet më shumë lidhur me këtë program testimi.
Përpara se të flasë për zbatimin apo moszbatimin e ligjit, UMSH duhet të përmbushë detyrimet për zbatimin e ligjshmërisë së funksionimit të tij, në përputhje me Nenin 21, të Ligjit Nr. 123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.


