Pacientët akohen për mangësi të theksuara të medikamenteve dhe të materialeve bazë në spital. Mjekët: situata e vështirë
Blerja e ilaçeve nga pacientët apo të afërmit e tyre është kthyer në ritual tashmë në spitalin më të madh në vend, “Nënë Tereza”. Nëse gjendesh i shtruar në cilindo prej pavioneve duhet të ndihesh me fat nëse medikamentet që të nevojiten mund ti gjesh në spital. Prej kohësh QSUT dhe jo vetëm, vuan nga mungesa në masë e medikamenteve kryesore por kjo situatè duket se u vjen mbarë farmacive pranë spitalit të cilat kanë lulëzuar si kërpudhat pas shiut.
Pacientët
“Pothuajse të gjitha ilaçet i kemi blerë vetë. Kam shtruar burrin në repartin e kardiologjisë po asnjë prej ilaçeve që më shkruajti doktori në recetë nuk është në spital. Kur i pyeta pse nuk kanë, infermieret mu përgjigjën se nuk na ka ardhur furnizimi” tregon Shpresa Hysi, banore e Tiranës. Për të konfirmuar mungesën e ilaçeve në këtë spital mjafton të hedhësh një sy rrotull. Dhjetëra qytetarë me receta në duar duke u drejtuar në farmaci për të blerë ilaçe. Ilaçe që kushtojnë jo pak. “Ilaçet e recetës që më dha doktori kushtoni 72 mijë lekë (të vjetra). Ne mezi kthehemi, tani duhet të blemë edhe ilaçet. Këtu përveç mjekëve nuk ka asgjë tjetër” thotë Shpresa. Familjarët e pacientëve thonë se përveç ilaçeve blejnë edhe shiringa, vigonë, apo serumë, materiale bazike të një spitali. Vetë mjekët pranojne se ka mungesa medikamentesh, por ata nuk kanë çfarë të bëjnë, duhet të punojnë në këto kushte. Sipas tyre disa mungesa vijnë për shkak të procedurave të tenderave.
Mjekët
Sipas mjekëve tenderimi i barnave kryhet me tre mujore dhe kjo bën që në periudha të caktuara të ketë mungesë të tyre. Por ky është një justifikim klishe i tyre pasi në çdo periudhë të vitit në QSUT ka mungesë të theksuar të medikamenteve bazë, për të mos folur për ato të shtrenjtat, të cilat nuk i gjen asnjëherë. Mungesat e medikamenteve në QSUT rëndojnë shëndetin dhe ekonominë e pacientëve, ndërkohë drejtoria e QSUT nuk ka mbyllur ende të gjitha kontratat e nevojshme për furnizimin me medikamente për pacientet, ose në disa raste janë nënshkruar me shumë vonesë.
Ankesat
Silvana Shehu, prej disa ditësh kujdeset për mamanë e saj të shtruar në repartin e kardiologjisë. Përveç faktit që i duhet të blejë ilaçet, shpesh farmacistët ja ngatërrojnë qëllimisht, duke e detyruar që ti blejë dy herë ato. “Doktori më dha një recetë ku duhet të blija një ilaç të quajtur ‘manocinque’, por farmacistja më dha një medikament tjetër. Kur shkova përsëri ta ktheja për të marrë medikamentin e duhur, më tha që nuk është e mundur që unë ta kem ngatërruar” thotë Silvana. Edhe në repartin e Urologjisë mungojnë shumë medikamente, deri edhe serum. “Duhet që të merrja serum, dhe infermierja më tha që për momentin nuk kishin. Dërgova djalin që të blinte dy qese serum. Mirë kur pacientët janë të shoqëruar, po sikur të ishim vetëm, kush do të na i blinte?” pyet i çuditur Ismail Vreka, pacient. Mungesa e ilaçeve ka përfshirë gjithë repartet në QSUT. Edhe në neurologji ka mungesa të theksuara të tyre. Një prej tyre është gadoliniumi, ose siç njihet rëndom, lënda e kontrastit. Ajo është një lëdë e domosdoshme për kryerjen e rezonancës magnetike. Aktualisht në spital është e pamundur ta gjesh atë dhe duhet që ta blesh në farmacitë private. Çmimi i saj nuk është aspak i ulët, por plot 40 mijë lekë. Situata bëhet ende më e vështirë edhe nga zhvillimet e fundit politike, të cilat po ristrukturojnë drejtmin e spitalit. Çdo drejtues i ri që vjen ja hedh fajin paraardhësit, por jo të mundohet të zgjidhë problemin. Nëse fatkeqësisht je i detyruar të shtrohesh në spital, çdo pacient duhet të “përgatitet” mirë para se të niset.
Situata në Spitalin e Traumës, katastrofale
Situata në Spitalin Universitar të Traumës, ose të njohur nga të gjithë si Spitali Ushtarak është jashë çdo kushti minimal për tu quajtur spital. Mungojnë materialet themelore, të cilat janë të domosdoshme. Edhe nëse shkon paksa i dëmtuar në këtë spital, del i traumatizuar prej tij. Sipas mjekut A.D. në spital nuk ka asnjë materiale. Mungojnë serumet, vigoni, allçia, shiringat, etj. “Na vjen turp ndonjëherë pasi pacientët blejnë ilaçe që vlejnë 50-60 mijë lekë dhe nuk kemi shiringa apo vigonë për tu a injektuar. Ky është turp” thotë A.D. Në këtë spital i cili ka ndërruar emërtimin para pak kohësh kurohen personat që kanë pësuar troauma të forta. Por si mund të kurohesh në një spital ku mungon çdo gjë? A.D. thotë se shpeshherë vetë mjekët detyrohen të mbajnë rezerva, pasi vijnë pacientë gjatë natës dhe është e pamundur të gjesh barnat në atë kohë.
Çmimet
Nga 5 mijë deri në 70 mijë lekë kushtojnë ilacet që personave të interistuar u është dashur të blejnë pasi ato mungonin në spital. Shifra që rëndojnë tej mase xhepin e çdo qytetari shqiptar. Pjesa më e madhe e ilaçeve që nevojiten mungojnë dhe familjarët e pacientëve janë të detyruar ti blejnë. Por nëse pjesa më e madhe e ilaçeve kushtojnë te 10-20 mijë lekë të vjetra, ka dhe nga ato që kushtojnë 60 apo 70 mijë lekë.

