Kryefaqja Shendeti a-z A Mungesa e spermatozoideve tek meshkujt, trajtimi

Mungesa e spermatozoideve tek meshkujt, trajtimi

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Azospermia (mungesa e spermatozoideve në ejakulat) konsiderohet si një nga patologjitë më problematike që haset tek meshkujt infertilë. Ndahet në dy grupe të mëdha, azospermi obstruktive (spermatozoidi prodhohet në teste, por nuk ka mundësi të dalë jashtë me lëngun spermatik), dhe azospermi joobstruktive (kur qelizat që ndodhen në teste, janë të dëmtuara dhe të paafta për të prodhuar spermatozoidë).

Evin Dani, mjek androlog pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, tregon më tepër lidhur mbi këtë patologji duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek trajtimi, ndërkohë që thekson se është një problem krejtësisht i trajtueshëm, paçka se shpeshherë është vetë personeli mjekësor i patrajnuar që “pret” shpresat tek shumë çifte të rinj, duke keqinformuar se azospermia është  një problem pa zgjidhje.

Çfarë është azospermia?

Azospermia është një nga patologjitë më problematike që haset tek meshkujt infertile. Statistikat nxjerrin që gati 25% e çifteve të cilët nuk kanë një fëmijë brenda vitit të parë të martesës, kanë probleme me  aftësinë e tyre riprodhuese dhe në 50% të këtyre rasteve, shkak për këtë është infertiliteti mashkullor.

Shkaqet e infertilitetit mund të jenë të lindura ose të fituara, ndonjëherë edhe gjenetike, por problemet më të mëdha vijnë pothuajse gjithmonë nga defektet e aparatit uro-gjenital apo riprodhues.

Nëse një çift nuk koncepton dot një shtatzëni brenda vitit të parë të martesës me gjithë dëshirën e tyre për të pasur një fëmijë, quhen çifte infertile dhe janë të detyruar t’i nështrohen disa ekzaminimeve për të gjetur shkakun se nga vjen ky problem.

Shkaqet e azospermisë?

Shkaqet në këtë rast mund të jenë dëmtimet kongjenitale të testikujve, Sindromi klinefelter, Sindromi  germ cell aplasia, çrregullimet e ductus ejaculation, dëmtimet e epididimitit dhe sigurisht të kanaleve të kalimit të lëngut spermatik. Por një nga problemet kryesore të infertilitetit dhe ndoshta më i vështiri, është forma azospermike. Formë azospermike kemi atëherë kur një mashkull në bërjen e analizës, rezulton se nuk ka prrani spermatozoidesh në lëngun spermatik. Në këtë rast mendohet sikur ky mashkull është i pashpresë, i paaftë për t’u riprodhuar, dhe për fat të keq në këtë gjë e hasim shpesh në praktikës sonë, ku personel mjekësor i patrajnuar nxitohet duke dhënë konkluzione dhe shkaktuar kështu një traumë të rëndë tek çifti, edhe pse format e azospermisë tek ne janë të trajtueshme që mbas vitit 1992.

Format e azospermisë?

Format e azospermisë i ndajmë në dy grupe të mëdha: azospermi obstruktive dhe azospermi joobstruktive.

1-Azospermi joobstruktive do të konsiderojmë të gjitha ata forma klinike apo gjendje që kalon mashkulli ku qelizat germinale, qelizat që prodhojnë spermatozoidë dhe që ndodhen në teste, janë të dëmtuara dhe të paafta për të prodhuar spermatozoidë. Në raste të tilla ne kemi të bëjmë me disa patologji që për fatin tonë të mirë janë jo shumë të shpeshta si kriptokridia apo anorkidia (moszbritja e testikujve në skrotum). Mund të kemi dëmtime kongjenitale të formimit të testikujve (disgenisia testikulare). Formë tjetër do të kemi klinefelte sindrom, një patologji goxha serioze që ka të bëjë me çrregullimet kromozomale, Germ Cells Aplazia, dëmtime të qelizave të sertolit si dhe shkaqe të tjera idiopatike.

Trajtimi

Në formën e azospermisë joobstruktive një nga metodat e mjekimit të saj është marrja e materialit  brenda në teste përmes një ndërhyrje të vogël (prerje). Në gati 60% të këtyre rasteve ne e gjejme prezencën e qelizave germinale në stadin spermatik ose ndryshe spermatozoidin në stadin përfundimtar. Pas kësaj në e marrim lëngun e gjetur në teste (lëngun spermatik) i cili është jo në cilësinë e duhur, e përpunojmë në laborator për të bërë rivilatizimin,  dhe këta spermatozoidë bëhen plotësisht të aftë për të fekonduar vezën dhe lindur një fëmijë me teknikat ndihëse siç është Intracytoplasmic sperm injection (ICSI).

Në ditët e sotme, klinikat që merren me fertilitetin dhe që në vendin tonë nuk janë të pakta, i kanë këto metoda të përvetësuara dhe janë shumë efektive madje edhe në raste shumë të vështira siç mund të jetë klinefelter syndrome e cila ka të bëjë me dëmtimin e kromozomeve mashkullore seksuale,  ku çiftet janë gëzuar me një fëmijë pikërisht nga sasia e pakët, por  shpeshherë efektive për të pasur një shtatzani, gjithmonë me teknikat ndihmëse të riprodhimit.

2-Azospermi obstruktive kemi atëherë kur spermatozoidi prodhohet në teste/ në qelizat që prodhojnë spermatozoide tuboloseminiferm, por nuk ka mundësi për t;u ekspozuar, pra për të dalë jasht me lëngun spermatik. Pengesa në këtë rast është në rrugët e kalimit të spermatozoideve.  Këto janë forma shumë herë më të fovorshme për të pasur një shtatzëni. Në këtë rast pacienti nuk ka ndonjë klinikë të qartë dhe nuk dallohet nga pacientët e tjerë apo personat të cilët kanë aftësi riprodhuese. Këto kapen gjithmonë vetëm nëpërmjet lobaratorit, pasi testet janë në madhësi normale, nivelet hormonale që ne jemi të detyruar ti bëjmë konsiderohen normale dhe në rastin konkret vetëm analiza përcakton që kemi mungesë të spermatozoideve, pra azospermi. Raste të tilla janë shumë optimiste për arsye se vetëm me një ndërhyrje të lehtë nga jashtë nëpërmjet lëkurës në teste është e mundur që të marrësh spermatozoide nga epididymis,  dhe të kesh një fëmijë me teknika ndihmëse të riprodhimit.

Në këtë kuadër, ne inkurajojmë të gjitha çiftet që kanë edhe analiza të tilla të formave të rënda, mos të shqetësohen, mos të ligështohen. Rastet e formave të azospermisë tani janë shumë të shpeshta, por të mundshme për të pasur një fëmijë në kuadrin e atij momenti ndoshta deri para pak kohësh të pashpresë. Mjafton vetëm këmbëngulja dhe dëshira e pacientit që kjo gjë të shkojë drejt një përfundimi kaq shumë të dëshiruar./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here