Per Gazeta Shendeti, dr. Imelda Zeqa, mjeke infeksioniste
Candidida Albikans, që në popull njihet si myku, ndodhet në organizmin e çdo njeriu. Nëse myku takohet në sasi të paktë, mund të themi se është i parrezikshëm, por nëse ai gjen ambient të përshtatshëm dhe shtohet, mund të bëhet i rrezikshëm për organizmin. Myku në organizmin e njeriut në sasi të pakta është i parrezikshëm në sajë të mikroflorës (ose të baktereve të mira, siç i quajmë ne), por nëse kjo mikroflorë dëmtohet nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve, barnave citotoksike ose nga mosshoqërimi i antibiotikëve me antimykotikë apo me barna mbrojtëse të mikroflorës, atëherë pa u vënë re, në mënyrë të ngadaltë dhe të fshehtë, myku fillon të përhapet në trupin tonë duke prekur të gjithë organizmin, që nga trakti gastrointestinal (goja, gjuha, fyti, zorrët etj.) Ai nuk lë pa prekur asnjë pjesë të organizmit, madje edhe thonjtë.
Kur sistemi ynë imunitar punon si duhet, sasia e mykut në organizëm mbetet e paktë dhe e parrezikshme për organizmin. Por, kur ky imunitet dobësohet apo nuk funksionon si duhet, kur mikroflora e organizmit nuk e mban dot nën kontroll, atëherë myku fillon të shtohet duke shkaktuar probleme të ndryshme në organizëm.
Një sistem imunitar i shëndoshë e mban mykun nën kontroll dhe në ekuilibër me mikroorganizmat e tjerë.
Myku i traktit tretës
Normalisht është patologji që e hasim kryesisht te moshat e treta. Pacientët vijnë me ankesa të tipit: diarre që nuk pushon. Një diarre e ujshme, e vazhdueshme, që nuk ndikohet fare nga mjekimi simptomatik që përdorim zakonisht në rastet e diarreve, por që do mjekimin e vet, sepse ka një mjekim specifik.
E hasim shpesh, përshembull, në këtë sezon gripi apo virozash, ku shumë njerëz antibiotikun e përdorin pa hesap dhe e marrin pa rekomandimin e mjekut. Dihet që antibiotiku, në një virozë nuk bën efekt, dhe detyrimisht përmes marrjes së antibiotikut, prishin florën intestinale.
Duket më tepër si një predispozitë me moshën, por nuk ka një shkak të mirëfilltë. Pra, mund ta quajmë idiopatike. Kështu i quajmë patologjitë që nuk kanë një shkak të mirëfilltë.
Sa e shprehur?
Kandidoza e traktit tretës haset në çdo lloj moshe, edhe në mosha fëmijënore, por më shumë vihet re te të rriturit.
Meqë simptomatika më e shprehur është diarreja, a ngatërrohet me patologji të tjera?
Normalisht, ngatërrohet. Ajo çfarë ne na e ndan është analiza e ujit të trashë. Pra, feçe që ne e nisim për kandida, e cilësojmë. Sepse normalisht një diarre të tillë, mund ta japë edhe një parazitozë, mund ta japin edhe problematika të tjera shëndetësore.
Një diarre e zgjatur në kohë, çfarë problematikash i sjell organizmit?
Diarreja e zgjatur sjell dehidratim, detyrimisht edhe prishje të ekuilibrave të elektroliteve që mund ta çojnë pacientin në një gjendje lipotimie ose të fikti.
Si trajtohet myku i traktit tretës?
Ka mjekimin e vet specifik, me antimykotik. Preparate kundër mykut, që ecin shumë mirë. Në varësi edhe të gravitetit, sa e gjatë ka qenë kjo diarre etj.
Nuk ka sezonalitet, si sëmundje. E hasim gjatë gjithë vitit./ Shendeti.com.al


