Kryefaqja Aktualitet Ndërgjegjësimi ndaj kancerit të gjirit, mes mungesës së ilaçeve dhe numrit në...

Ndërgjegjësimi ndaj kancerit të gjirit, mes mungesës së ilaçeve dhe numrit në rritje

0
Shpërndaje

Një numër gjithnjë në rritje pacientësh po diagnostikohen me kancer në Shqipëri. Muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit kaloi me jo pak probleme në institucionet e kujdesit shëndetësor. Shqetësimi i parë në fillim të muajit që lamë pas u ngrit nga shoqatat e pacientëve, ku vlerësohej problematika e mungesës së medikamenteve për të sëmurët me kancer.

Në një letër të hapur drejtuar institucioneve, shoqatat ngritën shqetësimin se 120 paciente me kancer gjiri nuk po trajtohen sipas protokollit për shkak të mungesës së medikamenteve.

Të njëjtën problematikë për mungesë mediakamentesh, mediat e risollën në vëmendje gjatë të njëjtit muaj. Emisioni investigativ STOP publikoi  denoncimet e pacientëve për prishjen e aparaturës së rrezeve.

Më pas, krahas kësaj për disa ditë me radhë qytetarët reaguan sa i përket problemeve që kishin me oraret.

Dhjetëra qytetarë mblidheshin çdo ditë pranë Spitalit Onkologjik në QSUT për konsulta apo shërbime të tjera, por shpeshherë ktheheshin pa marrë shërbim. Përplasjet mes orareve si pasojë edhe e fluksit të lartë të qytetarëve, krijuan pakënaqësi mes personave që kërkonin të trajtoheshin në këtë spital.

Qytetarët raportuan pranë ProPacientit se duhej të paraqiteshin për ditë me radhë para se të merrnin shërbim pranë Spitalit Onkologjik.

Gjatë muajit tetor aktivitete të shumta sensibilizuese u zhvilluan në qytete të ndryshme të vendit. Në një takim të mbajtur në qytetin e Lezhës, ku ndër të tjera pjesëmarrëse ishte ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit, një grua lezhjane e prekur nga sëmundja e kancerit tregoi të vërtetat e saj mbi vështirësitë që i krijon sistemi shëndetësor. Nertila Çelestina nga Lezha kërkoi politika favorizuese për femrat e prekura nga këto sëmundje të rënda, e madje që duan të vijojnë edhe arsimin e lartë.

“Sot i kërkova Ministres së Arsimit publikisht të përjashtonte nga tarifa e studimeve universitare 9 gra minimalisht (nr.9 simbolikisht meqë është viti i 9-të që bëhet aktiviteti kundër kancerit të gjirit). Ajo ma dha fjalën mua dhe qytetarëve publikisht, kurse tani dëgjova që Ministrja premtoi që do përjashtohen të gjitha gratë e prekura nga tumori”, deklaroi pacientja pas aktivitetit.

Më pas, Çelestina dha një intervistë për ProPacientit, ku evidentoi problematikat me të cilat përballen të sëmurët çdo ditë.

“Mua nuk më tremb asgjë që e them të vërtetë dhe me fakte. Aq më tepër kur faktin ia jap në dorë atyre që kanë mundësi dhe detyrë t’i sistemojnë gjërat siç duhet. Të krijojnë hapësira e politika sociale në një vend si Shqipëria që rroga mesatare e një qytetari është 20.000 lekë, e më shumë se gjysma kushtojnë ilaçet nëse”, deklaroi Çelestina duke folur për ProPacientit.

Gjatë muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit ProPacientit gjithashtu solli në vëmendje historinë e 51-vjeçares Sofie Lula, e cila kishte sakrifikuar çdo gjë vetëm për të kuruar sëmundjen, por që në fund nuk ia doli. Në ditët e fundit të muajit tetor, ajo ndërroi jetë duke lënë pas mesazhin e sakrificës për të vazhduar jetën edhe në vështirësi e sëmundje.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme dhe nismave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë muajit tetor për ndërgjegjësimin e grave.

Megjithatë, edhe pas përfundimit të muajit sensibilizues ndaj kancerit të gjirit, nismat për diagnostikimin e tij në kohë vazhdon. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në shërbim qendrat e lëvizshme të mamografisë, të cilat do të mundësojnë falas rreth 5000 ekzaminime në vit./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here