Kryefaqja Aktualitet Ndërron jetë dietologu i parë shqiptar, Qazim Bakalli

Ndërron jetë dietologu i parë shqiptar, Qazim Bakalli

0
Shpërndaje

Ka ndërruar jetë dietologu i parë shqiptar, Qazim Bakalli. Të afërmit e tij bëjnë të ditur për Gazeta Shendeti se mjeku është ndarë nga jeta mbrëmjen e një nate më parë dhe varrimi do të bëhet nesër (më datë 13 qershor) në orën 11:00 në Tufinë.

Qazim Bakalli lindi në Tiranë, më 11 maj 1921. Ai është dietologu i parë shqiptar që punoi për shumë vite në Spitalin Shtetëror të Tiranës, si mjek patolog dhe dietolog.

Pasi mbaroi shkollën plotore dhe gjimnazin në Tiranë, ku doli me rezultate të shkëlqyera, Bakalli vazhdoi studimet në Bolonja në Universitetin më të vjetër në Fakultetin e Mjekësisë, në vitet 1941-43 kur ai u kthye në Tiranë.

Mjekun e ri tashmë e caktojnë në Tiranë në Spitalin nr.1, ku punoi shumë pak sepse u transferua në spitalin e Vlorës, ku u prit në një mjedis shumë të mirë mjekësh si doktori i shquar Pavli Flloko, Mihal Angjeli etj, të cilët e ndihmuan dhe e respektuan mjekun nga Tirana. Më pas, më 1951, Qazim Bakalli përsëri transferohet tashmë në veri, në spitalin e Burrelit, ku punoi rreth 4 vite duke ndihmuar shumë popullin matjan për të cilin kishte një simpati meqë familja e tij kishte marrëdhënie shumë të mira me familjen e Zogut dhe këtë simpati Qazimi e vazhdoi edhe kur erdhi dhe u instalua në Shqipëri demokracia dhe ai shumë shpesh e vizitonte djalin e mbretit Zog, Leken, kur ai erdhi në Tiranë. Më 1959 dr. Qazimin e veshin ushtarak dhe ai punoi në Shkodër si mjek ushtarak dhe përsëri pas një viti e dërgojnë në Burrel dhe më pas mjek në Llixhat e Elbasanit për 2 vite, dhe përsëri në Burrel dhe më në fund transferohet në spitalin e Tiranës në pavijonin 15 ,ku punoi rreth 30 vite deri sa doli në pension. Në spitalin e Tiranës ai krahas punës që bënte si mjek patolog, së bashku me dr. Ylli Popën u dha pas dietologjisë të cilën e kish dashur shumë që kur ishte në Bullgari.

Dëshira e tij u plotësua kur erdhi nga B.S.(Rusia). Mjekja e shquar ruse me përvojë 25 vjeçare si dietologe në spitalin e Moskës Ekaterina Borinskaja e përgatiti vetë dr. Qazimin, i cili me të drejtë mund të quhet dietologu i parë shqiptar në spitalin nr. 1 të Tiranës. Bashkë me mjeken ruse ai studioi nga ana dietologjike shumicën e sëmundjeve të brendshme dhe shumë shpesh jepte këshilla në televizion dhe radio për dietat përkatëse. Dietologjia ishte një punë shumë e vështirë sidomos në patologji sepse pas largimit të mjekes ruse që e specializoi dhe e ndihmoi dr. Qazim Bakallin, ky ishte vetëm, prandaj me të drejtë zgjodhi një pediatre të re dr. Bafturi Matin e cila kishte shumë dëshirë të bëhej dietologe dhe me propozimin e tij, pasi i kishte mësuar diçka për dietologjinë e fëmijëve, e dërguan në Bullgari për një vit ku u specializua për dietologji, sidomos atë pediatrike, gjë kjo që e ndihmoi shumë dr. Qazimin në këtë specialitet për të gjithë spitalet. Ishte ai i pari që në kohën kur ishte mjekja ruse që thyen konceptet në shumë mjekë duke ngritur shumë rolin e dietoterapisë në shumë sëmundje. Ai përgatiti shumë kuadro të mesëm me kurset e shumta në dietologji për të gjithë spitalet e vendit.

Gjatë punës ishte shumë serioz dhe pedant në hartimin dhe zbatimin e dietës për të sëmurët, duke thënë shpesh se ushqimi është antibiotiku natyral për mbarëvajtjen dhe shërimin e shumë sëmundjeve si për të rritur ashtu edhe për fëmijët. Në të gjithë spitalet e Tiranës së bashku dhe me pediatren tashmë dietologe, dr. Qazimi arriti shumë suksese duke bërë një kuzhinë dietologjike sipas parametrave bashkëkohore, duke nxjerrë në pah një rregullore të veçantë me dietat përkatëse për të gjithë spitalet jo vetëm të Tiranës por të gjithë Republikës. Në kujtimet e saja infermierja e vjetër Donika Agolli kujton me respekt te madhe mësuesin e saje te anatomisë te kursit te infermiereve ne vinin 1961 duke thënë se dr. Qazimi ishte jo vetëm një mjek i shquar por dhe një mësues i madhe për ne infermieret e reja. Me gjithë streset që i krijoheshin nga dashakeqësit ose të paaftët që kishte edhe në spital si dhe biografia e tij, sepse njeri vëlla, Emini, kishte mbaruar shkollën e Fullcit dhe regjimi komunist e dënoi 2 herë me vdekje por e falën dhe kjo gjë bëri që dr. Qazimi të punonte pa u lodhur 10-12 orë në ditë dhe e kishte zakon që të vinte në darkë në spital e të qëndronte pasi të ndahej darka dhe në disa raste të kontrollonte dhe t’i pyeste të sëmurët për ushqimin si ishte etj. Ishte një mjek i përkushtuar shumë për të sëmurët dhe që punoi tërë jetën me humanizëm dhe ndërgjegje të lartë. Edhe këto ditë kur i bëmë me dr. Safet Këllicin një vizitë në shtëpi, rregullsia, edukata dhe etika mjekësore megjithëse është në moshën 95-vjeçare, me një kujtesë të ruajtur shumë , nuk i kishin humbur këtij mjeku tiranas që mendoi tërë jetën për dietologjinë shqiptare. Ai së bashku me shumë mjekë të tjerë shkonte çdo muaj në spitalet rurale të Tiranës, si Kërrabë etj, duke dhënë një kontribut në kurimin dhe dietën e shumë pacientëve. Ai është i pasionuar edhe pas muzikës dhe fëmijët e tij janë bërë muzikantë shumë të aftë dhe e çojnë muzikën shqiptare në Evropë në vendet ku punojnë./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here