Elena Beta, gazeta “Shëndet +”
Workshopi me temë “Ndërveprimi nëpërmjet rrjeteve online” i fokusuar tek industria më e re në Shqipëri, pagesat online dhe telefon, ishte eventi i radhës i Innovation Hub, si gjithmonë me fokus inovacionin tek sipërmarrësit e rinj. Ky takim kishte për qëllim ndërveprimin me njëri tjetrin duke sfiduar idetë dhe duke nxitur kreativitetin e të pranishmëve. Tematikat kryesore që u shtruan gjatë këtij takimi ishin sfidat, rreziqet, eksperiencat personale apo dhe frika ndaj suksesit ose dështimit, të cilat u trajtuan si bashkëudhëtarë të procesit krijues.
Moderatorja e eventit znj. Lindita Shomo, drejtore ekzekutive e Easy pay Albania, foli rreth eksperiencave profesionale dhe personale, si dhe për rëndësinë e një bashkëpunimi efektiv dhe effiçent të një sipërmarjeje të re.
Ajo foli rreth pagesave me celular dhe pagesave online nëpërmjet programit Easy pay, duke i konsideruar ato si një lehtësim për të gjithë përdoruesit e aplikacionit. “Duke futur një gjë të re në treg, ti po eksperimenton, prandaj duhet të marrësh parasysh se mund të përballesh edhe me sfida gjatë rrugës, por i rëndësishëm është produkti që ti merr në fund të ditës i cili të jep sadisfaksion. Duhet shumë punë, jo vetëm ide, prandaj dhe ndodh të shohim kaq pak startuap-e të suksesshme në Shqipëri” tha Shomo duke inkurajuar të pranishmit të përballen me çdo vështirësi dhe sfidë që mund të hasin në fillimet e krijimit të një biznesi të ri. Ndërtimi i besimit, bashkëpunimi, vizioni i qartë apo qëndrueshmëria e biznesit ishin disa nga pikat më të forta që Shomo evidentoi gjatë prezantimit të procesit të krijimit të një biznesi të qëndrueshëm dhe pse jo fitimprurës”
Pjesëmarrësit e interesuar ishin të shumtë, mes tyre edhe të rinj sipërmarës të cilët morrën përgjigje konkrete rreth hapave që duhet të ndjekin në të ardhmen për të ndërtuar një sipërmarrje të qëndrueshme dhe të suksesshme.
“Ka shumë gjëra që mungojnë, shumë ide që nëse vijnë në tregun Shqipëtar, mund të rezultojnë shumë të suksesshme” Përfundoi Shomo duke premtuar takime pasuese të cilat do ndihmojnë të rinjtë në idetë e tyre inovative drejt suksesit.