Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Samiti Rinor “Fuqizimi i Gjeneratës së Ardhshme të Liderëve dhe Aktivistëve Shqiptarë”...

Samiti Rinor “Fuqizimi i Gjeneratës së Ardhshme të Liderëve dhe Aktivistëve Shqiptarë” i organizuar nga “Përtej Barrierave”

0
Shpërndaje

Organizata “Përtej Barrierave” zhvilloi një samit rinor të suksesshëm, pjesë e projektit “Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të liderëve dhe aktivistëve shqiptarë”. Samiti mblodhi mbi 80 të rinj, aktivistë, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve publike, dhe figura të rëndësishme nga qeveria dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Eventi u mbajt me qëllim fuqizimin e të rinjve shqiptarë, duke i angazhuar ata në diskutime të thella mbi aktivizmin dhe angazhimin politik. Pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë me Ministrin e Shtetit për Fëmijët dhe të Rinjtë znj. Bora dhe Zëvendës Shefen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun znj. Amanda Roberson, të cilat ofruan perspektivat e tyre mbi rolin e të rinjve në zhvillimin e vendit.

Në fjalimin e saj, ministrja Bora Muzhaqi u ndal në dy aspekte të rëndësishme. Së pari, në aspektin personal, ajo ndau me të rinjtë përvojën e saj dhe sfidat me të cilat është përballur në politikë, duke theksuar se “në bazë të ligjit të rinisë ka shumë pak përfaqësim rinor në politikë dhe kjo ka qenë një ndër arsyet që unë vetë vendosa në fillimet e mia t’i përkushtohem politikës”.

Së dyti, në aspektin e detyrës së saj, Muzhaqi ndau arritjen e krijimit të 61 këshillave rinor vendor dhe bëri thirrje institucioneve, të rinjve dhe shoqërisë civile që të ndihmojnë bashkarisht për ndërmarrjen e hapave të rëndësishëm për bërjen funksionale dhe aktive të këtyre këshillave rinor. Ajo shtoi: “Të përpiqemi bashkarisht ti bëjmë këshillat rinorë vendor sa më funksional, ti bëjmë këta të rinj aktiv për të thënë cfarë është e rëndësishme në qytetet e tyre”.

Amanda Roberson, Zëvendës Shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve, duke thënë: “Mbështetja e liderëve të rinj, lidershipi rinor dhe angazhimi qytetar i të rinjve është prioritet për ambasadën, sepse të rinjtë si në Shqipëri, SHBA dhe në të gjithë botën janë liderët e së tashmes që do të drejtojnë.” Ajo gjithashtu vlerësoi projektin për ofrimin e praktikave në Parlamentin e Shqipërisë: “Në këtë projekt ju ofruat praktikë në Parlament, që është pikërisht ajo që duhet bërë për të ofruar përvojë për të rinjtë. Këto janë llojet e dyerve që duhet t’i mbajmë të hapura.”

Samiti përfshiu diskutime në panel me tema të ndryshme ku u theksua rëndësia e aktivizmit rinor dhe pjesëmarrjes politike. Panelistët ndanë përvojat dhe këshillat e tyre mbi sfidat dhe mundësitë që të rinjtë shqiptarë hasin në rrugën e tyre drejt lidershipit.

Gjithashtu, gjatë samitit u organizuan grupe diskutimi për lidershipin dhe aktivizmin rinor, ku të rinjtë patën mundësinë të shkëmbejnë ide dhe të zhvillojnë strategji konkrete për përmirësimin dhe rritjen e angazhimit të tyre në çështjet sociale dhe ato politike.

Ky samit ishte një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një rrjeti të fortë të liderëve dhe aktivistëve të rinj, të cilët do të luajnë një rol kyç në formësimin e së ardhmes së Shqipërisë.

Organizata “Përtej Barrierave” mbetet e përkushtuar në mbështetjen e të rinjve dhe në promovimin e aktivizmit dhe lidershipit rinor, duke krijuar mundësi për zhvillimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e zërave të rinj në aspektin social dhe politik të vendit.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here