Ndikimi i tërmeteve të vjeshtës 2019 dhe COVID-19 në sipërmarrjet e drejtuara nga gratë dhe nevoja për ndërhyrje 

Shqipëria në këto 12 muajt e fundit ka përjetuar dy fatkeqësi natyrore, tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit 2019, të cilat krijuan dëme e humbje në një vlerë mbi 980 milion Euro, dhe pandeminë COVID-19, dëmet dhe humbjet e të cilës nuk janë llogaritur ende. Të gjitha këto kanë ndikuar ndjeshëm ekonominë e brishtë shqiptare, konsumatorin dhe sipërmarrjen private në vend. 

Këto dy fatkeqësi patën ndikim masivisht negativ tek bizneset e drejtuara nga gratë. 93% e bizneseve të drejtuara nga gratë deklarojnë se COVID-19 ka patur ndikim negativ në aktivitetin e tyre deri në mes të muajit qershor, sipas studimit “Përmirësimi i fuqizimit ekonomik të grave pas pasojave të tërmetit dhe shpërthimit të COVID-19”, realizuar nga shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim. Më shumë se 8 nga 10 ndërmarrje të drejtuara nga gratë në këto tre qarqe janë ndikuar negativisht (shumë ose disi) si pasojë e tërmeteve. 

Shumica e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë (60%) janë mbështetur në një formë ose tjetrën nga qeveria për të përballuar efektet e pandemisë COVID-19. 

Por edhe pse ka kaluar 6 muaj nga miratimi i paketës së plotë fiskale e ndihmuese të qeverisë për ndihmën ndaj popullatës dhe biznesit të dëmtuar nga tërmeti, më pak se 1 nga 5 ndërmarrje të drejtuara prej grave kanë marrë mbështetje nga pushteti qendror ose lokal. Pjesa më e madhe e tyre (66%) nuk kanë marrë asnjë lloj mbështetjeje edhe pse janë ndikuar negativisht nga tërmeti.

Gratë sipërmarrëse besojnë se pasojat kryesore biznesi do t’i vuajë në shumë aspekte, kryesisht në 6-mujorin e parë të pandemisë (maj – tetor 2020), por një pjesë do të vijojë edhe më tej. Gjysma e tyre parashikojnë ulje të xhiros dhe fitimit, ndonëse vetëm 1 në 4 pret që të ul volumin e prodhimit gjatë kësaj periudhe. Gati 3 nga 10 biznese do të mendojnë huamarrjen, gjysma e të cilëve prej bankave (15%) dhe gjysma tjetër prej individëve të njohur (14%). 

Biznesi i drejtuar prej grave në rrethana normale has një sërë vështirësish dhe në kushtet e efekteve të amplifikuara prej tërmetit dhe pandemisë, problematikat janë thelluar e shtuar, duke e bërë edhe më të nevojshme ndërhyrjen e shtetit dhe aktorëve të tjerë. 

Për këtë arsye, teksa shteti shqiptar harton paketat lehtësuese dhe ndihmuese ndaj sektorit privat, gratë sipërmarrëse kërkojnë që të ketë një vëmendje të shtuar ndaj ndërmarrjeve të tyre.

Sipas Studimit 72% e grave kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale ose reduktimin e TVSH-së dhe taksave qendrore e vendore, minimalisht për një periudhë 6-12 mujore. Rreth 40% e sipërmarrëseve kërkojnë nga shteti politika lehtësuese ose reduktimin e kontributeve shëndetësore e shoqërore që duhet të paguajnë për personelin; si dhe ofrimin e granteve e subvencioneve. 

Problematikat për biznesin shqiptar në përgjithësi dhe gratë sipërmarrëse në veçanti mund të rriten më tej, nëse nuk hartohen dhe zbatohen strategji me ndjeshmëri gjinore për t’i luftuar dhe tejkaluar këto barriera. 

Nevoja për ndërhyrje nga qeveria dhe institucionet financiare është emergjente në situatën e krijuar në vend, ndërkohë që deri tani përgjigjet e institucioneve ndaj pasojave të tërmetit dhe pandemisë nuk adresojnë në asnjë moment pabarazitë ekzistuese gjinore në sipërmarrje.

Postime të ngjashme

Administrata e Trump bën gati planin, hiqet vaksina e Covid-19 për fëmijët dhe gratë shtatzëna
Ja pse rreziku i infeksioneve ushqimore tek fëmijët rritet në verë!
Ja si të mënjanojmë pickimin nga insektet në verë
Psikologu, ende jo miqësor për shqiptarët
Jeni me antibiotikë? Ja çfarë duhet të hani për të mos prishur ekuilibrin mikrobik të zorrëve
Nga diell në shi, si po ndikon ndryshimi i temperaturës në shëndetin tuaj!
Çfarë i bën dashuria trupit
Vaksina anti-Covid ofron 80 % mbrojtje, Bino: Kush rrezikojnë më shumë nga virusi