Bardha Nergjoni/ Eglantina Bardhi
Fshatrat Balldren dhe Vidhas në komunën Papërr të rrethit të Elbasanit kanë së bashku rreth 20 mijë banorë. Për shkak të vendosjes në gropë, këto dy fshatra janë më të ekspozuara ndaj ndotjes. Balldreni ndodhet shumë pranë industrisë së rëndë dhe pak më tej edhe fshati Vidhas. Statistikat tregojnë se në 10 vjet në këto dy fshatra kanë vdekur rreth 80 veta nga kanceri dhe 17 persona nga sëmundjet kancerogjene që lidhen kryesisht me ndotjen.
Drejtuesja e qendrës shëndetësore, Besa Zhupa, që gjithashtu banon pranë metalurgjikut thotë se e shqetësuar ajo vetë ka mbajtur statistika dhe ka vënë re që ndotja sjell pasoja tek këta banorë. “Nëse do të bëja një bilanc gati 10-vjeçar për këto dy fshatra, shoh që kanceri i mushkërisë ëshë goxha i shprehur. Janë 12 raste që kanë ndërruar jetë që shumica janë në Balldren. Kemi kancer të stomakut, kancer të laringut, të lëkurës që mund të kenë lidhje me ndotjen, pasi sa më pranë zonës industriale, aq më të shumta janë rastet”.
Por tregues të pasojave të ndotjes nuk janë vetëm të vdekurit nga kanceri, por edhe pacientët që jetojnë me sëmundjet që vijnë nga ajri i ndotur. Mjekja Zhupa tregon se astma bronkiale është një sëmundje që vjen dhe ndikohet shumë nga ndotja e mjedisit. Madje, ajo tashmë e ka provuar këtë gjë në rastin e largimit të pacientëve nga vendi ku jetojnë në një vend tjetër.
“Unë mbuloj Balldrenin, Vidhasin dhe Jateshin. Dhe në këto dy fshatra që janë afër zonës industriale, janë të shprehura më shumë sëmundjet respiratore. E them këtë pasi vetëm me astmë bronkiale nga 9 raste që i ndjek çdo muaj, gjashtë i kam vetëm në fshatin Balldren. E kemi vënë re ndryshimin kur pacienti është larguar dhe banon në një vend tjetër. Ka pasur raste që ka lënë mjekimin, por me kthimin në fshat është kthyer në gjendjen e mëparshme. Këtë e kanë provuar disa pacientë. Në pamundësi largimi për kushtet ekonomike, shumë persona me astmë bronkiale vazhdojë të jetojnë aty dhe pasojat e sëmundjes vazhdojnë të rëndohen”.
Këta banorë duket se janë të destinuar të kalojnë vështirësisht sëmundje nga më të ndryshmet dhe si shkak vetë mjekja e kësaj zone quan sërish ndotjen.
“Vetë si mjeke shoh që fëmijët që kanë një sëmundje të lehtë, një bronshit për shembull, e kalojnë më rëndë sesa në një zonë tjetër. Trajtimi është më i gjatë dhe sëmundja është më rezistente. Normalisht bronshiti azmatik nuk duhet të ishte kaq i shprehur se në zona të tjera dhe kjo më bën të dyshoj që ka një shkak më tepër”.
Por mjeku është edhe një tjetër vend ku banorët mund të ankohen përveçse në media. Mjekja Zhupa thotë se ata shpesh ankohen për ajrin, për erën e rëndë, frutat me pluhur, për veshjet. “Edhe unë jetoj në atë zonë dhe i ndjej edhe vetë ajrin e ndotur, erërat e rënda, frutat e perimet me pluhur. Është vërtet mjaft problem për këto zona duke qenë edhe në një pozicion ku depozitimi i pluhurave është më I madh”.
Dëshmitë e të sëmurëve nga astma bronkiale
Ata që i ndjejnë drejtpërdrejt pasojat e ndotjes sa herë që marrin frymë, janë personat që vuajnë nga astma bronkiale. Frymëmarrja e vështirë tregon se si të sëmurët, kryesisht gra, jetojnë çdo ditë me mjekim.
Kafaze Zhguni është një prej tyre. Ajo është rreth 55 vjeç dhe ka rreth 6 vjet që vuan nga astma bronkiale. Ndërsa dëshirojmë të flasim, ajo mbushet me frymë me vështirësi dhe kokën e ka tërësisht të mbuluar për t’i shpëtuar përkeqësimit të sëmundjes. “Doktoresha më thotë, po nuk ike nga lagjja, ti nuk shërohesh. Ku të shkoj? Shtëpitë djali i ka bërë këtu. Kam lëvizur tek vajza në Greqi dhe jam ndjerë shumë mirë, madje hoqa dorë nga mjekimi. Erdha këtu, menjëherë m’u kthye sëmundja dhe përdor ilaçet. Madje, edhe sikur tek vajza tjetër të shkoj, që e kam në Krastë, marr frymë më lehtë. Vete atje edhe një natë të rri, fyti s’më bën gërr fërr. E kam nga e keqja që rri këtu”.
Pyetjes se ku e sheh ajo ndotjen çdo ditë, gruaja hedh sytë nga dyshemeja. “E laj në mëngjes shtëpinë dhe pasdite nuk e vë dot dorën, aq pluhur ka. Jemi shumë keq. Të gjithë fëmijët janë me probleme. Edhe vajza e djalit është thuajse me astmë. Edhe fëmijët e tjerë nuk janë mirë, me bajame, astmatike. Të gjithë kështu janë këtu. Kjo lagje e gjithë këtë muhabet ka për ndotjen dhe problemet e shëndetit. Më keq se Balldreni nuk do ketë në asnjë vend, them unë. Ata thonë Tirana, po më keq se këtu besoj se nuk ka”.
Me astmë janë edhe dy gra të tjera. Në pak metra janë tre 50-vjeçare që vuajnë nga astma bronkiale, ndërsa oxhakët e tullave refraktare dhe të uzinës së ferrokromit janë pak më tej dhe aroma e squfurit të shoqërin ngado. Disa e kanë vështirë edhe të flasin. Edhe Erlin Hasa, djali i njërës prej grave që vuajnë nga astma, shprehet se nëna e tij deri në orën 10 nuk del nga shtëpia, pasi ndihet shumë keq.
“E ndiejmë shumë ndotjen. Është e përditshme për ne të gjithë. E dimë që astma vjen nga tymrat, nga gjithçka. Gjatë natës është shumë keq. Tym sa të duash. Sidomos kur ngrihemi në mëngjes, e vëmë re këtë. Nëna ime del nga shtëpia pas orës 10, pasi më parë ndjen shumë shqetësim”.
Rrahim Zhguni, ndërsa mundohet të flasë me vështirësi shprehet se nuk ka ku të shkojë, por do të kishte ikur nga ky fshat pasi vuan çdo ditë pasojat. “Tymrat më shqetësojnë shumë. Sidomos kur ndryshon koha. Ju e shikoni vetë. Ku do të shkojë më shumë se kaq? Nga pluhurat e kam edhe këtë frymëmarrje. Duhet të iki, por ku do shkojmë? Njerëzit janë pa punë. Ku kemi mundësi për t’u larguar? Gjithmonë tymrat, tullat reflektare, uzinat e tjera. Ne jemi të braktisur”
Zonat e rrezikuara
Balldren – 970 banorë
Vidhas – 1200 banorë
Statistikat
Kancer i mushkërisë
Balldren – 5 raste vdekjesh/ Vidhas – 2 raste
Kancer i stomakut
Vidhas – 4 raste
Kancer i mëlçisë
1 rast – Vidhas
Kancer i gjirit
Balldren – 1 rast/ Vidhas – 2 raste
Leucemi
Vidhas – 1 rast
Astma bronkiale
Balldren – 7 raste/ Vidhas – 2 rast
Kancer i lëkurës
1 rast





