Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati
7 milion njerëz vdesin në të gjithë botën çdo vit nga ndotja e ajrit. Të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se, 9 nga 10 njerëz marrin frymë në ajër që përmban nivele të larta ndotjeje. Shifrat kanë mbetur të pandryshuara në vitet e fundit, e ndotja globale e ajrit mbetet e lartë.
Nga smogu që qëndron sipër qyteteve tek tymi brenda shtëpive, ndotja e ajrit përbën një rrezik serioz për shëndetin dhe klimën. Efektet e kombinuara të ndotjes së ajrit në ambientet e jashtme me atë në ambjentet e brendshme shkaktojnë rreth 7 milionë vdekje të parakohshme çdo vit, si rezultat i rritjes së mortalitetit nga goditja në tru, sëmundjet e zemrës, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, kanceri i mushkërive dhe infeksionet respiratore.
Më shumë se 80% e njerëzve që jetojnë në zonat urbane, të cilat e monitorojnë ndotjen e ajrit, janë të ekspozuar ndaj niveleve të cilësisë së ajrit që tejkalojnë kufijtë e vendosur në udhëzimet e OBSH. Këtë problem e vuajnë më shumë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Burimi: OBSH

