Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Ministria e Mjedisit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) organizuan një workshop me temë “Vlerësimi i vulnerabilitetit dhe masat për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike në zonën bregdetare”.
Në këtë aktivitet u bë prezantimi i gjetjeve në kuadrin e komunikimit të tretë kombëtar për konventën kuadër të OKB-së për ndryshimet klimatike.
Programi parashikonte referimin e 11 temave nga specialistë të klimës, si: Eglantina Bruci, Vangjel Mustaqi, Liri Muçaj, Elona Pojani etj. Fjala përshëndetëse u mbajt nga koordinatorja e Projektit në kuadër të Programit të Ndryshimeve Klimaterike, Mirela Kamberi.
Ndryshimet klimaterike që kanë ndodhur gjatë këtyre dekadave të fundit në botë, janë ndier edhe në vendin tonë. Sipas specialistëve, vija bregdetare është zhvendosur dhe, nëse nuk merren masa adaptimi, zhvendosja do të jetë akoma më e madhe, si dhe pasojat akoma më ekstreme.
Si pasojë e ndryshimit të klimës, kanë ndryshuar karakteristikat për disa stinë, ku tashmë dimri në Shqipëri është më i butë, ndërkohë që luhatja e temperaturave po pëson ndryshime drastike. Brigjet përgjatë Adriatikut po gërryhen në të gjithë gjatësinë e bregdetit për shkak të rritjes së nivelit të detit. Në disa zona deti ka përparuar duke shkatërruar pyjet bregdetare dhe bimësinë, si dhe duke rritur kripësinë e lagunave dhe fushave pranë bregdetit.
Sipas specialistes Miriam Ndini, pritet shtimi i thatësirave e si rrjedhojë ngjarjet ekstreme. Priten ndryshime në të gjitha stinët. Ekstremet, si përmbytjet, ashtu edhe thatësirat do të jenë të shpeshta. Jo vetëm që do të reduktohen reshjet, por do të ndryshojë edhe struktura e tyre. Reshjet në formë dëbore do të jenë të pakta.
Të gjitha këto ndryshime, si: ngrohja ekstreme, thatësira, zjarret, stuhitë, përmbytjet ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut. Njerëzit janë nën ndikim direkt të ndryshimeve klimatike, pasi me ndryshimet klimatike ndryshon edhe kualiteti i ujit, ajrit dhe i ushqimit.
Ndryshimet klimatike të cilat flasin për një rritje të temperaturave mesatare paraqesin rreziqe shumë serioze për zonën bregdetare, ndryshime të cilat kërkojnë një përgjigje dhe menaxhim të menjëhershëm.
Cili është ndikimi që do të kenë ndryshimet klimatike në bujqësi? Avdulla Diku, specialist pyjesh, në prezantimin e tij theksoi se bujqësia është një sektor kompleks që përfshin parametra të ndryshëm (mjedisore, ekonomike dhe sociale). Bujqësia është fort e varur nga burimet ujore dhe kushtet klimatike, veçanërisht në zona të cilat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj rreziqeve klimatike. Aty ku situata ekonomike dhe sociale shpesh janë të paqëndrueshme janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve në faktorët e mjedisit. Kjo është veçanërisht në rastet kur kapacitetet teknologjike për përshtatje ndaj thatësirave dhe përmbytjeve është më pak i avancuar, dhe ku faktorët kryesorë që ndikojnë në prodhimin fizik (toka, terrenit, klima) janë më pak të përshtatshme për bujqësnë. Prodhimi i drithërave është shpeshherë i varur nga luhatjet e mëdha të motit. Sëmundjet dhe dëmtuesit varen gjithashtu nga moti.
Si rezultat i këtyre ndryshimeve klimaterike, specialistët e klimës thonë se nëse nuk merren masa për adoptim në vitet në vazhdim, si rezultat i ndryshimit të klimës shumë shpejt do të kemi ngjarje ekstreme të motit (furtuna, ciklone), mungesë reshjesh dhe thatësirë, rritje të nivelit të detit dhe futje të ujërave të kripura, reshje të shumta jashtë sezoneve të pritshme.


