Ndryshimet në buxhet, shkurtohen fondet për shëndetësinë

Ndryshimet e mes-vitit të buxhetit 2025 që u miratuan pak ditë më parë nga parlamenti rrisin më tej financimin për projektet e infrastrukturës, teksa fondet për arsimin dhe shëndetësinë u reduktuan në krahasim me buxhetin e fillim vitit.

Shqipëria ka nevoja të mëdha për financimin e kapitalit njerëzor për të frenuar emigracionin dhe për të rritur produktivitetin nëpërmjet rritjes së cilësisë së dijes dhe shëndetit, por infrastruktura fizike vijon të mbetet prioritet i politikave publike.

Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë ka përfituar një rritje prej 2.85 miliardë lekësh në krahasim me buxhetin fillestar, me buxhet total 76.88 miliardë lekë sipas Aktit Normativ nr. 6, me rritje prej 4% në raport me buxhetin fillestar.

Financimet më të mëdha janë përqendruar në transportin rrugor, me një shtesë prej 2 miliardë lekësh ose 6.6% më shumë, që tregon prioritet ndaj projekteve rrugore.

Furnizimi me ujë dhe kanalizimet kanë rritje të buxhetit me 864 milionë lekësh ose 6.1% më shumë. Programi mbështetjen për energjinë ka rritje të financimeve me 200 milionë lekësh 6% në krahasim me buxhetin fillestar. Transporti hekurudhor ka pësuar një ulje prej 393 milionë lekësh ose 6.5%, që mund të tregojë ngadalësim të projekteve të reja në këtë sektor.

Nga ana tjetër për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, buxheti total është ulur me 100 milionë lekë në raport më buxhetin e fillim vitit. Brenda ministrisë ka lëvizje të mëdha në zërat e buxhetore. Arsimi Universitar ka pësuar një ulje prej 300 milionë lekësh ose -2%. Në të kundërt, Fondet për shkencën janë rritur me 100 milionë lekë ose me 7%, një sinjal pozitiv për kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Gjithashtu ndryshimet buxhetore të vitit 2025 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reflektojnë një ulje të përgjithshme të buxhetit me rreth 1 miliard lekë (-1.3%) krahasuar me buxhetin fillestar.

Sektori më i prekur është kujdesi parësor. Rënia më e madhe në përqindjeje ka ndodhur te Shërbimet e Kujdesit Parësor, me një shkurtim prej 1.3 miliardë lekësh (-19.3%). Kjo është një goditje e rëndë për hallkën e parë të kontaktit të qytetarëve me sistemin shëndetësor dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në shërbimet ambulatore, qendrat shëndetësore dhe diagnostikimet e hershme.

Edhe Shërbimet e Shëndetit Publik kanë pësuar një ulje të konsiderueshme prej 334 milionë lekësh (-6.7%). Kjo mund të përfshijë ndërhyrje në fushata të vaksinimit, kontrollin e sëmundjeve infektive, apo mbikëqyrjen epidemiologjike./ monitor

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore