Kryefaqja Aktualitet Në shërbimin e hematologjisë pacientët përcillen pa kryer kimioterapinë, mungon Mabthera

Në shërbimin e hematologjisë pacientët përcillen pa kryer kimioterapinë, mungon Mabthera

0
Shpërndaje

Covid-19 është një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin e qytetarëve, ndaj e gjithë vëmendja e sistemit shëndetësor aktualisht është e përqëndruar në menaxhimin e kësaj krize. Por, ajo çfarë është paralajmëruar disa herë edhe nga gazeta “Shëndet Plus” është nevoja për të garantuar shërbim shëndetësor edhe për të sëmurët e tjerë që vazhdojnë të marrin shërbim në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor.

Aktualisht në shërbimin e hematologjisë, ku trajtohen sëmundjet e rënda të gjakut, mungon kimiopreparati MABTHERA. Pacientët po përcillen prej disa ditësh pa trajtim. Krahas mungesës së këtij medikamenti me vlerë financiare të lartë, pacientët kanë hasur vështirësi edhe me kryerjen e analizave.

Shërbimi i Hematologjisë pranë QSUT trajton sëmundjet e rënda të kancerit në gjak dhe është shërbim unik mjekësor për pacientë nga zona të ndryshme të vendit.

Mungesa e kimiopreparateve është një problematikë e hershme e spitaleve në Shqipëri, që duket se do të vazhdojë të sfilisë pacientët me sëmundje të rënda. Pacientët nuk mund ta blejnë këtë medikament jashtë ambienteve të spitalit, sepse është medikament për përdorim spitalor, por edhe nëse e fusin ilegalisht nga vende të tjera, kostoja e tij është e lartë dhe dërrmuese për ekonominë e një familje shqiptare.

Farmacia e spitalit nuk ka dhënë një përgjigje pacientëve lidhur me kohën se kur pritet të vijë medikamenti, i domosdoshëm për ta, duke detyruar kështu pacientët që të shoqëruar nga familjarët të bëjnë vajtje-ardhje në spital, një ambient ku aktualisht veç të tjerash, për shkak të virusit përbën një rrezik akoma më të madh për shëndetin e tyre.

MSHMS, rimburson 100% barin Mabthera në 2019-n

Një prej problemeve më të mëdha për trajtimin me terapi të targetuar për sëmundjet malinje të gjakut ka marrë zgjidhje përfundimtare në 2019-n, me rimbursimin e barit Mabthera 100% nga shteti, i cili trajton limfomat malinje.

Jam e kënaqur që arritëm të sigurojmë për të gjithë limfomat malinje trajtimin me terapi të targetuar 100% falas, edhe nëpërmjet formëdozave siç është formëdoza e re që kemi futur që është ajo subcutane ose nën lëkurë, duke garantuar plotësimin e nevojave dhe rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve”, tha Ogerta Manastirliu në shërbimin e Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Në atë kohë mjekët e shërbimit të Hematologjisë theksuan se tashmë plotësojmë terapitë e mjekimit si në çdo vend të Botës. “Sapo ka filluar përdorimi subcutan i Mabtherës, i cili i  kombinuar me një tjetër medikament që e disponojmë  për trajtimin e limfomave dhe të një lloj leuçemie, bën të mundur trajtimin e të sëmurëve me limfoma malinje, mjekimi të cilave për shërbimin e hematologjisë bëhet njëlloj si në çdo vend të Botës”, u shprehën mjekët e shërbimit të Hematologjisë.

Nga 42 pacientë që trajtoheshin më parë, sot trajtohen 70 pacientë në këtë shërbim (2019), pra plotësohen nevojat për këtë medikament tepër të kushtueshëm që trajton sëmundjet malinje të gjakut. Manastirliu deklaroi se, duke futur në listën e rimbursimit barin Mabthera subcutane kemi zgjidhur përfundimisht trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje që kanë nevojë për këtë bar të kushtueshëm, njëlloj siç bëmë me herceptinën për kancerin e gjirit.

Sëmundjet malinje të gjakut, trajtim vetëm në QSUT

Shërbimi i hematologjisë në QSUT, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë po përgatit infrastrukturën e nevojshme për të filluar realizimin për herë të parë të transplantit të palcës së kuqe për pacientët me sëmundje malinje të gjakut.

Sherbimi i hematologjisë në QSUT është unikal në Shqipëri, ku trajtohen sëmundjet malinje të gjakut, leuçemite, limfomat, mieloma, etj. Hapja prej gati dy vitesh e shërbimit ambulator në Hematologji ka lehtësuar dukshëm shërbimin ndaj të sëmurëve, pasi aty aplikojnë kemioterapinë dhe disa analiza për të cilat i sëmuri më parë duhej të shtrohej në spital, si, biopsinë e palcës së kockave, etj. Aktualisht në këtë shërbim është mundësuar sigurimi për të sëmurët me sëmundje malinje gjaku mjekimi i targetuar, që ka bërë të mundur ndryshimin e jetës së të sëmureve dhe jetëgjatësinë e tyre me 2-3 herë.

Gjatë vitit të fundit është përmirësuar trajtimi për sëmundjet tumorale. Janë 20 milionë euro në vit që Ministria e Shëndetësisë financon për sëmundjet tumorale.

Gazeta Shëndet + 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here