Esido Barkaj
Ndodh shpesh që fëmija shfaq probleme me shikimin në momentin që fillon klasën e parë, pasi nuk arrin dot të shikojë qartë të gjitha shkronjat në tabelën e zezë. Kjo për okulistët është pasojë e neglizhencës së prindërve. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, okulistja Suzana Zhuka shprehet se kontrolli rutinë duhet bërë përpara se fëmija të shkojë në klasën e parë. Zhuka shton se në këtë kontroll diagnostikohen edhe probleme të tjera, nëse fëmija ka, por që nuk dallohen dot nga prindërit. Për shembull, fëmija mund të vuajë edhe nga “syri dembel” apo dhe anomali të tjera që, nëse nuk diagnostikohen përpara moshës 10-vjeçare, nuk arrijnë të shërohen më.
Si paraqitet tendenca e problemeve të syve tek fëmijët?
Të paktën 15 vitet e fundit konstatohet që ka një rritje të sëmundshmërisë tek fëmijët nga grupmoshat 3-15 vjeç, që është dhe mosha e rritjes së trupit. Me rritjen e trupit kemi dhe rritjen e bushtit të syrit dhe fillojnë të shfaqen më shumë anomalitë e refraksionit që kanë të bëjnë me përthyerjen e rrezeve të dritës që vijnë nga një ambjent i jashtëm, futen nëpërmjet kontaktit të parë me kornen (xhami i syrit), hyjnë pastaj në segmentit e brendshëm nëpërmjet pupilës të syrit saktësisht në segmentit e mesëm (media) dhe në fund bëhet shëmbëllimi i dritës në retinë.
Kemi disa anomali të refraksionit: kemi miopinë, hipermetropinë, astigmatizmin hipermetropik, astigmatizmin miopik dhe astigmatizmin e përzier. Miopi paraqitet tek okulisti me ankesën që nuk shikon mirë larg. Më shumë këto konstatohen në moshën e fillimit të shkollës. Ndërsa në moshën 3 apo 4-vjeçare është e vështirë për t’i kuptuar, vetëm nëse ka diçka të dukshme, siç është strabizmi. Pra, nëse prindi e shikon që njëri sy i fëmijës devijon nga brenda ose jashtë mund ta sjellë tek okulisti para moshës shkollore. Prandaj, përsa i përket shikueshmërisë, kuptohet në klasën e parë ku fëmija nuk dallon nga larg shkronjat apo figurat.
Pse diagnostikohen në moshën shkollore?
Ky diagnostikim në moshën shkollore vjen si rrjedhojë e neglizhencës totale nga ana e prindërve. Ka prindër që edhe pse mund ta dinë që fëmija e tyre ka probleme, pra që e mbaj afër librin, nuk e sjellin tek okulisti. Për disa prindër, vazhdon të mbetet mendësia që fëmija është më mirë pa syze. Në fakt, kjo është gjëja më e lehtë dhe më e mirë për t’u bërë. Me vendosjen e një xhami (syze) arrijmë të korigjojmë një anomali të refraksionit dhe të fokusojmë objektin në retinë. Pra, miopi me vendosjen e syzes fillon të shikojë qartë dhe pastër dhe në shkollë arrin të kuptojë mësimdhënien.
Cilat janë patologjitë më të shpeshta tek fëmijët?
Patologjitë më të përhapura në këto mosha është hipermetropia dhe miopia. Në fakt, hipermetropët shoqërohen edhe me strabizëm (devijim i syve) dhe ambliopia.
Çfarë është ambliopia?
Ambliopia është syri dembel, pra, kemi të bëjmë me uljen e shikimit nga njëri sy, një në të dy. Pra, fëmija shikon me njërin sy 100 përqind, ndërsa me syrin tjetër mund të shikojë 10 apo 20 përqind. Ambliopia nuk të jep shenja, sepse fëmija shikon me të dy sytë por në momentin që ne bëjmë testin e mbulimit, pra mbulohet njëri sy dhe fëmijën e vendosim përpara tabelës së vizusit në distancës 4 ose 5 metër dhe aty konstatojnë që fëmija shikon më dobët me njërin sy.
Si “luftohet” ambliopia?
Sa më herët të kapet, aq më mirë është për fëmijën. Luftohet deri në moshën 10-vjeçare. Mbas kësaj moshe nuk luftohet. Prandaj ne okulistët insistojmë shumë që fëmijët nën moshën 10-vjeçare të kontrollohen dhe duhet bërë depistimi masiv i fëmijëve pa pasur probleme. Pra, duhet kapur në kohë.
Si korrigjohet ambliopia?
Mbyllet syri i shëndoshë (që shikon 100 përqind), pra, mbulohet me një napë dhe fëmija kryen ushtrime që të shikojë sipas varësisë së shikimit. Orët e mbulimit të syrit llogaritet nga mjeku okulist në bazë të përqindjes së shikimit. Në këtë mënyrë aktivizohet syri dembel, pra, fëmija kur shikon me syrin e dobët, impulset fillojnë të shkojnë në retinë dhe nëpërmjet nervit shkon deri në tru. Kjo praktikë ka shumë rezultat. Shpeshherë dhe ne si specialistë befasohemi nga ky rezultat. Fëmija mund të arrijë të shikojë me syrin dembel nga 10 përqind deri në 70 – 80 përqind. Ky është një sukses që do kohën e vet. Pra, duhet të flasim shumë për të sensibilizuar prindërit që të kontrollojnë fëmijët e tyre në mënyrë që ta parandalojmë atë.
(Intervista e plotë u botua në numrin e 16 qershorit 2014 të gazetës “Shëndet+”)



