Nënpesha, ja cilat sëmundje fsheh

Bisedoi: Elona Tereziu

Termi “nënpeshë” i referohet një peshe trupore më të vogël se ajo që konsiderohet si pesha “ideale” apo “e shëndetshme”. Shkaku më i shpeshtë i saj është kequshqyerja, si në aspektin sasior, edhe atë cilësor, por këtu nuk bën përjashtim as gjenetika. Nëse nëna vuan nga një problem i tillë, në 40% të rasteve kjo trashëgohet edhe tek fëmija.

Por, a është nënpesha e lidhur me ndonjë sëmundje dhe çfarë pasojash ka ajo në organizëm? Yllka Themeli, mjeke endokrinologe pranë Spitalit Continental në Tiranë, tregon se jo në pak raste nënpesha mund të jetë edhe pasojë e ndonjë sëmundje fizike ose mendore të tilla si: hipertireoza, diabeti, kanceri, tuberkulozi, sida, patologjitë e aparatit tretës dhe anoreksina nervore.

Përsa i përket pasojave në organizëm, pavarësisht nga shkaku i nënpeshës, fiziologjik apo patologjik, ajo çon në uljen e aftësive mbrojtëse të organizmit, duke e bërë atë më të prekshëm nga infeksionet.

Ndërkohë që tek femrat me nënpeshë të theksuar mund të kemi edhe mungesë  menstruacionesh, paaftësi për të mbetur shtatzënë apo probleme gjatë saj, por mund të konstatohet edhe me anemi dhe rënie flokësh, që konsiderohet edhe si faktor risku për osteoporozën.

Doktoreshë, çfarë kuptojmë me termin “nënpeshë”?

Termi “nënpeshë” i referohet një peshe trupore më të vogël se ajo që konsiderohet si pesha “ideale” apo “e shëndetshme”. Pra, shpreh një peshë më të vogël sesa ajo që duhej të kishte një individ i caktuar, në raport me gjatësinë e tij. Duke iu referuar BMI-së (indeksit të masës trupore), që përfaqëson raportin e peshës trupore  (në kilogramë) me katrorin e gjatësinë trupore (në metër), çdo vlerë e saj nën 18,5 zakonisht interpretohet si nënpeshë.  Për shembull, nëse një person është 1.6 m i gjatë dhe peshon 60 kg, BMI-ja e tij është 60/(1.6×1.6) = 23.4

A është nënpesha gjithmonë e lidhur me regjimin ushqimor?

Shkaku më i shpeshtë i nënpeshës është kequshqyerja, qoftë në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor. E shprehur më thjesht, kequshqyerja është një gjendje që karakterizohet nga respektimi i një regjimi ushqimor, në të cilin disa ushqime mungojnë ose merren me tepricë, ose në raporte jo korrekte me të tjerat.

Një gjendje e tillë zakonisht shkaktohet nga ushqyerja për një kohë të gjatë në mënyrë jo të rregullt, jo në oraret e vakteve, si dhe duke konsumuar në sasi të mëdha produkte të varfra në vlera ushqyese, të ashtuquajtura “pa kalori”. Marrja e tepërt e këtyre produkteve, që janë tunduese për shkak të formës së tyre të gatshme ose gjysmë të gatshme, lë jashtë dietës së përditshme ushqime të tjera të pasura me fibra, vitamina dhe minerale, që janë vërtet me vlera të pazëvendësueshme për organizmin.

A është e trashëgueshme nënpesha?

Shumë njerëz janë nënpeshë për shkak të tendencës së tyre gjenetike, pra trashëgimisë. Në fakt, kjo është e rëndësishme nëse njëri nga të afërmit e gradës së parë është nënpeshë. Kështu, nënat nënpeshë kanë fëmijë nënpeshë në 40 % të rasteve. Në këtë aspekt, pa dyshim që ndikon edhe mënyra e ushqyerjes, orientimi ndaj produkteve të caktuara ushqimore, si dhe shpërndarja e ushqimit gjatë ditës, që nëna trashëgon tek fëmijët.

A ka shkaqe të tjera që çojnë në nënpeshë?

Sigurisht që ka! Nënpesha si pasojë e varfërisë: Shumë njerëz, veçanërisht në vendet e botës së tretë, e vuajnë këtë situatë për shkak të pamundësisë për të siguruar ushqimet e nevojshme për një peshë normale, pasojë kjo e nivelit të ulët ekonomik.

Nënpesha e lidhur me stilin e jetesës: Duke respektuar si pikënisje faktin që pesha trupore është një reflektim i drejtpërdrejtë i raportit të kalorive të marra nëpërmjet ushqimit dhe atyre të harxhuara nëpërmjet aktivitetit të përditshëm, stili i jetesës luan një rol vendimtar në këtë drejtim. Nënpesha është zakonisht pasojë e harxhimit më të madh të kalorive, në krahasim me sasinë e kalorive që individi merr nëpërmjet ushqimit. Kjo është karakteristikë e njerëzve me profesione të lidhura me punën fizike, që nuk ushqehen në mënyrë të rregullt.

A mund të jetë nënpesha pasojë e ndonjë sëmundjeje?

Nënpesha shpeshherë mund të jetë rezultat i një sëmundjeje mendore ose fizike. Si të tilla mund të përmendim hipertireozën, diabetin e sheqerit, sëmundjen e kancerit, tuberkulozin, sidën, patologjitë e aparatit tretës dhe anoreksinë nervore.

Hipertireoza është një sëmundje e gjendrës tiroide që karakterizohet nga shtimi i funksionit të saj. Pra, kjo gjendër prodhon hormone në sasi më të mëdha se zakonisht dhe efektet e këtyre hormoneve në organizëm do të jenë të ekzagjeruara. Një hallkë e rëndësishme ku këto hormone veprojnë fuqishëm është metabolizmi i lëndëve. Ato e nxitin metabolizmin e lëndëve, duke e përshpejtuar atë. Kjo reflektohet, ndër të tjera, edhe me dobësimin trupor (rënien në peshë). Në rastin e hipertireozës, nënpesha shoqërohet nga oreksi i tepruar, pra me ngrënie të sasive të mëdha të ushqimit. Ky binom karakteristik i kësaj patologjie ka vlerë mjaft të madhe në vënien e diagnozës. Zakonisht hipertireoza shfaqet tek femrat, në moshën mbi 40 vjeç.

Diabeti i sheqerit është një sëmundje e cila karakterizohet nga rritja e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të tjera të metabolizmit në organizëm. Ashtu si edhe në rastin e hipertireozës, rënia në peshë shoqërohet me oreks të shtuar, por edhe me simptoma të tjera të rëndësishme si tharja e gojës, etja e ekzagjeruar dhe urinimi i shpeshtë.

Sëmundja e kancerit shfaqet me simptoma lokale, të lidhura me zonën ku gjendet kanceri, dhe me simptoma të përgjithshme, që përfshijnë të gjithë organizmin. Një ndër këto të fundit është rënia në peshë, e cila shoqërohet zakonisht me mungesën e oreksit, ndjenjën e pafuqisë (lodhjes trupore), të përziera, të vjella, etj. Faktorët ambientalë (duhani, obeziteti, infeksionet, rrezatimi, stresi, jeta sedentare, ajri i ndotur) janë mjaft të rëndësishëm në shfaqjen e kancerit. Ato shkaktojnë shfaqjen e 90-95% të kancereve. Ndërkohë që trashëgimia ndikon në shfaqjen e 5-10% të tyre.

Tuberkulozi është një sëmundje infektive e shkaktuar nga mykobakteri i tuberkulozit. Ajo prek kryesisht mushkëritë, por mund të dëmtojë edhe organe të tjera si sistemi nervor qendror, sistemi limfatik, aparati urinar, aparati gjenital, kockat,etj. Rënia në peshë përbën një nga simptomat e shumta të kësaj patologjie, që janë kolla kronike, e shoqëruar me gëlbazë me gjak, temperatura e lartë, djersitja gjatë natës, mungesa e oreksit dhe lodhja trupore.

Sida është një sëmundje kërcënuese për jetën e shkaktuar nga virusi HIV, që mund të shkaktojë rënie të padëshiruar në peshë. Një person me virusin HIV/AIDS mund të mos ketë simptoma për vite me radhë. Gjatë kësaj periudhe virusi mund të shkaktojë infeksione të lehta ose simptoma kronike si zmadhim të gjendrave limfatike, rënie në peshë, diarre, temperaturë ose vështirësi në frymëmarrje. Çdo individ që mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura me partnerë të ndryshëm ose me ndonjë partner të infektuar me virusin HIV, që ka injektuar drogën me shiringa të përdorura, që ka një sëmundje tjetër seksualisht të transmetueshme ose që i është nënshtruar transfuzionit të gjakut, paraqet risk të lartë për HIV/AIDS. Për këtë arsye duhet të testohet në këtë drejtim.

Sëmundjet e aparatit tretës (të stomakut dhe zorrëve) zakonisht shkaktojnë rënie të padëshiruar në peshë. Kështu, në sëmundje të tilla si: koliti ulceroz, sëmundja Crohn, ulcerat peptike dhe sëmundja celiake, rënia në peshë mund të jetë pasojë e uljes së oreksit ose e mosthithjes së plotë të ushqimeve në nivelin e zorrëve.

Rënia në peshë në këto raste shoqërohet edhe me simptoma të tjera specifike, si ndjesi e fryrjes pas ngrënies, diarre, dhimbje barku, hemorragji gjatë jashtëqitjes, të përziera ose të vjella. Në mjaft raste, njerëzit vazhdojnë të bien në peshë edhe pse mund të ushqehen normalisht. Pjesa më e madhe e këtyre patologjive menaxhohen nëpërmjet ndryshimeve në mënyrën e ushqyerjes, marrjes së medikamenteve, ose edhe kirurgjisë.

Është mjaft i rëndësishëm diagnostikimi dhe trajtimi sa më i hershëm i tyre, pasi marrja e pamjaftueshme e lëndëve ushqyesve nga organizmi mund të çojë në shfaqjen e osteoporozës, depresionit dhe përgjumjes.

Anoreksia nervore është një çrregullim i ushqyerjes, që karakterizohet nga një rënie shumë e madhe në peshë. Haset kryesisht në adoleshencë dhe rininë e hershme, 10 herë më shumë tek femrat. Këta individë janë të uritur gjatë gjithë kohës, por konsumojnë sasi të pakta të ushqimit, nga frika se mos shëndoshen. Në bazë të këtij çrregullimi qëndron një perceptim i deformuar i këtyre individëve për trupin e tyre, që i shtyn ata të kufizojnë sasinë ditore të ushqimit në 600-800 kalori (nga 2000-2500 kalori që është normalja). Është alarmant fakti që vitet e fundit mosha në të cilën haset më tepër kjo patologji, ka pësuar ulje nga 13-17 vjeç në 9-12 vjeç.

Çfarë pasojash ka nënpesha për organizmin tonë?

Problemi kryesor në rastin e nënpeshës është të sqarohet nëse ajo është parësore, pasojë e faktorëve që e kanë shkaktuar (gjendja e keqe ekonomike, stili i jetesës, sëmundjet e ndryshme si: hipertireoza, diabeti i sheqerit, kanceri, tuberkulozi, sida, sëmundjet e stomakut dhe zorrëve, anoreksia nervore) apo dytësore, pra simptomë e një sëmundjeje tjetër.                                                                                                                                                Pavarësisht nga shkaku i nënpeshës, fiziologjik apo patologjik, ajo çon në uljen e aftësive mbrojtëse të organizmit, duke e bërë atë më të prekshëm nga infeksionet.

Gjithashtu, femrat me nënpeshë të rëndësishme, mund të kenë amenorrhe (mungesë të menstruacioneve), të shfaqin paaftësi për të mbetur shtatzëna (infertilitet), si dhe ndërlikime të mundshme gjatë shtatzënisë edhe nëse e realizojnë atë. Mund të konstatohet edhe anemi dhe rënie e flokëve.

Nënpesha konsiderohet edhe si një faktor i madh risku për osteoporozën, madje edhe në moshat e reja. Kjo pasojë zhvillohet në heshtje, pa dhënë shqetësime të veçanta që të mund ta alarmojnë personin. Episodi i parë i dukshëm i saj mund të jetë një frakturë (thyerje) spontane e kockës, që korrespondon me një stad të avancuar dhe të parikthyeshëm të dëmtimit të kësaj të fundit.

Edhe pse nënpesha nuk konsiderohet një problem aq i madh sa obeziteti, ajo shkakton po aq vdekshmëri sa edhe obeziteti ekstrem (obeziteti morbid, BMI >40). Ato së bashku mund të konsiderohen reflektime të mirëfillta të mënyrës moderne të yshqyerjes dhe presionit social, me pasoja të rënda për shëndetin.

A mund të trajtohet nënpesha?

Sigurisht që mund të trajtohet. Skema e trajtimit të personave që janë nën peshën e tyre ideale konsiston në kombinimin e disa faktorëve të rëndësishëm, si ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes, stilit të jetesës, dhe/ose përdorimit të disa medikamenteve që nxisin oreksin.

Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes

Mënyra më e shëndetshme për të shtuar në peshë bazohet në rritjen e një kalorazhi ditor, që të tejkalojë sasinë e kalorive që mund të harxhohen gjatë ditës.

Lidhur me këtë, rekomandohet shtimi në ushqimet që konsumohen, i sasive të duhura të  produkteve si: gjalpi, ajka e qumështit, gjalpi i kikirikut, vaji i ullirit, salca e bardhë dhe ajo e domates, majoneza, farat dhe arrat, pasi shtojnë kalorazhin e tyre.

Gjithashtu, mjaft efikase në këtë drejtim mund të jetë ngrënia e ushqimeve me shumë kalori, me përmbajtje të lartë proteinike dhe me yndyrna të shëndetshme, si: peshku ton, salmoni, merluci, sardelet, fileto e kraharorit të pulës dhe gjelit, mishi i viçit pa dhjamë, veza, frutat (4-6 fruta të ndryshme në ditë), perimet (kryesisht fasulja, bathët, bizelet, brokoli, lakra, karota, patatja), qumështi dhe kosi me pak yndyrë, djathi dhe salca e tij, makaronat e bardha, orizi i bardhë, buka e bardhë.

Për sa i takon lëngjeve, rekomandohet kryesisht pirja e ujit gjatë gjithë ditës, por edhe e lëngjeve me shume kalori, si: boza, qumështi dhe lëngu i frutave.

Respektimi i një regjimi ushqimor të rregullt është gjithashtu i rëndësishëm për shtimin në peshë. Kështu, rekomandohen 6 vakte në ditë, 3 vakte kryesore dhe 3 vakte të vogla ndërmjet tyre. Shëtitjet në ajër të pastër e nxisin oreksin. Gjumi i regullt, në orare dhe kohëzgjatje normale, gjithashtu ndihmon në shtimin në peshë.

Mund të jetë e nevojshme edhe marrja e komplekseve vitaminike zëvendësuese, për personat që nuk marrin mjaftueshëm vitaminat ose mineralet nëpërmjet ushqimit.

Aktiviteti fizik

Konsiderohet një faktor tjetër i rëndësishëm që ndihmon për të shtuar në peshë. Aktiviteti fizik ndihmon direkt në shtimin në peshë nëpërmjet shtimit të masës muskulare, që reflektohet  me shtimin e  masës trupore. Gjithashtu, aktiviteti fizik ndikon indirekt në shtimin në peshë, sepse nxit oreksin.

Nxitësit e oreksit

Shumë medikamente mund të rritin oreksin, qoftë si një efekt direkt, qoftë edhe si efekt anësor (i padëshiruar) i tyre. Antidepresantët (mirtazapina ose amitriptilina), antipsikotikët (Klorpromazina, Haloperidoli, Tetrahidrocanabinoli), Benzodiazepinat (Diazepami), Antihistaminikët (Prometazina) e shtojnë oreksin si një efekt të padëshiruar.

Në rastet me humbje ekstreme të oreksit, të shkaktuara nga kanceri, sida ose gjendje të vazhdueshme të ankthit, mund të lejohet përdorimi i marijuanës mjekësore.

Suplementet e ndryshme vitaminike e kanë efekt parësor shtimin e oreksit.

Respektimi i rekomandimeve të mësipërme ndihmon në shtimin në peshë në mënyrë të shëndetshme dhe estetikisht të kënaqshme. Pasi të keni filluar aplikimin e tyre, duhet të peshoheni çdo javë, por pa pritur mrekulli. Shtimi në peshë nuk duhet të jetë i menjëhershëm, por gradual: 0,5-1 kg në javë. Nëse vini re që nuk po shtoni më, duhet të konsumoni më shumë ushqim. Nëse kjo ndodh për 2 javë rresht, duhet të shtoni në sasinë ditore edhe 250 kalori të tjera./ https://shendeti.com.al/

ADRESA

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore