Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
Pothuajse të gjithë kujtojnë me nostalgji Gentin në filmin “Unë, ti dhe Kasandra”. Ndaj aktori Neritan Liçaj, i angazhuar në role të ndryshme në teatër dhe film, vazhdon të jetë tepër i dashur për publikun shqiptar. Në këtë intervistë për gazetën “Shëndet+”, Neritani flet më shumë për jetën e tij jashtë teatrit dhe filmit, kujdesin që ai dhe familja e tij tregojnë për ushqimin që konsumojnë, marrëdhënien me mjekët, dashurinë për aktrimin dhe vëshshtirësinë që i duhet të kalojë për të interpretuar ato role të veçanta që shpesh na mbajnë mbërthyer pas ekranit për orë të tëra duke na përcjellë aq shumë emocion…
Një aktor si ty Neritan, si do ta përkufizonte shëndetin?
Shëndeti mbi të gjitha, siç thotë dhe populli. Nuk i bëj dot një përkufizim të saktë, por mund të them se shëndeti është parësor. Është një nga instinktet bazë njerëzore, përveçse të ushqehet dhe të vishet, njeriu duhet të kujdeset edhe për të ruajtur shëndetin e tij, pasi ai është primar në jetën e çdo personi. Jo më kot ekzistojnë aq shumë shprehje të urta popullore lidhur me shëndetin, të cilat i përdorim edhe sot.
Nëse do të të jepej rasti të luaje rolin e një dietologu, çfarë ushqime do t’u rekomandoje klientëve të tu?
Absolutisht do t’ju këshilloja ushqimin bio, të shëndetshme. Fast-food-et kategorikisht jo, pasi mund të jenë të mira në shije, por jo të shëndetshme. Jo më kot toka ka dhënë aq shumë fruta dhe perime, ushqime të shëndetshme, jo të parafabrikuara. Ato do të ishin këshilla më e mirë që mund t’i jepja gjithsecilit, dietolog apo jo (qesh).
Po ti sa kujdesesh për ushqimin që konsumon? Të del koha të ushqehesh si duhet pavarësisht angazhimeve të shumta që ke çdo ditë?
Kur kemi kohë, hamë si duhet dhe ushqehemi shëndetshëm (qesh). Në fakt. pavarësisht provave të gjata, ne si aktorë kemi një orar të tillë që na lejon të konsumojme vaktet në orarin e duhur. Edhe në familjen time bëjmë shumë kujdes me ushqimin që konsumojmë. Përpiqemi gjithmonë të konsumojmë ushqime sa më pak të fabrikuara. Fatmirësisht, asnjëri prej pjesëtarëve të familjes sime nuk ka naze lidhur me preferencat e gjellëve, i hamë të gjitha. Ime gjyshe thonte gjithmonë: “S’ka si ushqimi me lugë!” Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë shprehjes…
Di të gatuash?
Po, di të gatuaj gjëra shumë të mira. Mbase ndikon dhe fakti që kam jetuar vetëm në Itali për një periudhë të caktuar kohore dhe më është dashur të mësoj të gatuaj, gjë e cila më ka vlejtur, pasi çdo njeri është mirë të dijë të kënaqë shijet e veta ushqimore, pse jo edhe të familjes së tij.
Po marrëdhënien me mjekun si e ke?
Të them të drejtën, bëj kontrolle vazhdimisht. Jo shumë shpesh ashtu si perëndimorët, të cilët shkojnë 1 herë në 6 muaj apo 1 herë në vit për të bërë analiza e trupit apo për kontroll tek dentisti, por prapë se prapë, bëj. Kjo gjë më është bërë zakon që në kohën kur jetoja në Itali dhe shkova për të bërë dokumentat e makinës. Isha 22 vjeç dhe kur më pyeti aplikuesi se çfarë grupi gjaku kisha, unë nuk dija t’i jepja një përgjigje, sepse nuk e dija grupin tim të gjakut. Ai mbeti i shokuar, mendoi që isha duke bërë shaka (qesh). Ka qenë kryevepër! Fatmirësisht nuk më ishte dashur deri në atë moment të bëja analiza e kontrolle, por gjithsesi njeriu duhet të njohë më mirë trupin e tij, të kontrollohet vazhdimisht.
Çfarë mendon për sistemin shëndetësor në Shqipëri?
Personalisht nuk kam ndonjë pakënaqësi lidhur me sistemin shëndetësor. Në rastet kur kam pasur nevojë, unë apo familja ime, mund të them se kemi marrë kujdesin e nevojshëm. Një rast që më ka ndodhur, kanë qenë problemet me këmbën që ka pasur mamaja ime. Mund të them që mjekët na u gjendën pranë dhe problemi i saj u zgjidh në kohë, pa 2000-lekësha dhe 5000-lekësha nëpër xhepat e infermierëve apo mjekëve të spitalit, flas për spitalin shtetëror. Nuk përjashtoj faktin që mund të jetë ndikues edhe fakti që unë jam figurë publike. Mbase nëse do të isha në pozitat e një qytetari të thjeshtë, mund të kisha hasur edhe probleme. Por në rastin tim mund të them se jam i kënaqur.
Nëse për hir të një roli do të të duhet të bëjë ndryshime drastike në pamje (të shëndosheshe, të dobësoheshe apo të pësoje transformime ne fytyrë), do ta bëjë? Apo do preferoje të hiqje dorë nga roli?
Sigurisht që do ta bëja. Do të ishte mirë nëse do të më duhet të shtoja në peshë (qesh), duke qenë se pesha ime ka qenë pothuajse e njëjtë përgjatë gjithë jetës sime.
Përtej shakasë, besoj se çdo aktor do të bënte të njëjtën gjë, pasi përshtatja fizike është kusht bazë që t’i të futesh tamam në rol dhe të përcjellësh tek spektatori sa më real personazhin që po interpreton. Mund të përmend edhe raste të aktorëve të mëdhenj të cilët janë transformuar për hir të roleve, si Robert De Niro, të cilit i është dashur të shtojë peshë, dhe jo pak kile në një nga rolet e tij më të famshme në Hollivud.
Je një aktor i angazhuar si në film, edhe në teatër. Nëse do të të duhej të bëjë një zgjedhje, kë do të preferoje, cila të më tepër kënaqësi?
Nuk mund të veçoj asnjërën, secila mbart emocionin dhe bukurinë e vet. Megjithatë, mund të them se në teatër ti ke një kontakt më të afërt me spektatorin, e ndjen atë më shumë, nëpërmjet duartrokitjeve, që janë një kënaqësi e paçmueshme për ne si aktorë.
Edhe filmi është i veçantë, është pak më vështirë, pasi ke kameran gjatë gjithë kohës shumë afër dhe nuk mund të bësh shumë manovra, ndërkohë që në teatër ke mundësi. Për shembull, mund të bësh dhe një puthje teknike dhe të duket si e vërtetë, ndërkohë që në film bie më shumë në sy kjo gjë.
Ke mbaruar studimet e larta për regjizurë. Kur mendon që mund të kemi përballë një vepër teatrale nën regjinë tënde?
Për momentin, nuk e kam në mendje diçka të tillë. Nuk kam asgjë me profesionin si regjisor, përkundrazi, unë kam mbaruar studimet në atë degë dhe sigurisht që një ditë mbase do të vë në punë gjithë atë çka kam fituar gjatë atyre viteve të shkollimit. Por, për momentin, dua të vazhdoj si aktor në teatër. Është një profesion tej mase i bukur dhe, mbi të gjitha, nuk të mërzitet kurrë. Je në çdo kohë në kontakt me role të reja, me personazhe të reja, me publik të ndryshëm. Mbase në një të ardhme, do të mendoj për regjizurën.
Cili është roli më i vështirë që të është dashur të luash?
Tani… çdo rol ka vështirësinë e vet, por roli i një kllouni tek vepra “Me syrin e një klouni”, është ndër më të vështirët. Të futesh brenda një kllouni, mund të them se do dyfish punë, pasi kllounada ka vështirësinë e vet pak më të madhe krahasuar me rolet e tjera. Ata kllounë që përtej ekranit duken gjithmonë të buzëqeshur, u duhet një punë e madhe për të arritur të interpretojnë dhe të përcjellin personazhin e kllounit tek spektatori.
Je baba i dy fëmijëve (djem). Nëse ata do të donin të ndiqnin rrugën tënde, do t’i lejoje?
Po, patjetër. Ata e zgjedhin vetë rrugën e tyre, unë thjesht do t’i këshilloja se çfarë ishte më e mira për ta, pastaj gjithsecili e ka në dorë vetë të zgjedhë se çfarë profesioni do t’i dedikohet në të ardhmen. Ajo që unë kam këmbëngulur shumë tek fëmijët e mi, është zëvendësimi i teknologjisë me libra. Jam i mendimit që mund të marrësh më shumë informacion cilësor, i cili të mbetet gjatë në kujtesë nga leximi i një libri sesa nga interneti. Jam dakord që të gjithë e përdorim internetin për të marrë një informacion që mund të na hyjë në punë, por jo të kthehet në kusht. Besoj është më e shëndetshme për shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve…
Të gjithë ju mbajnë mend në rolin e Gentit në filmin “Unë, ti dhe Kasandra”. Sa e vështirë ishte për ty të hyje aq brenda në rol sa t’i vije të gjithë në dyshim nëse ai personazh ishte thjesht një rol apo ishe ti?
Sigurisht, ndikuan të gjithë komponentët (pesha trupore, makiazhi) që unë të isha një pasqyrim i qartë i personazhit që po interpretoja. Studimi i personazhit me shumë kujdes dhe imtësi të lejon të futesh aq brenda në rol, sa në sytë e publikut nuk mund të ekzistojë dallimi, nuk ka unë apo personazhi, vjen një pikë kur ti dhe personazhi jeni një!
Edhe pak ditë na ndajnë nga premiera e komedisë “Kujtesa e ujit”. Cila është fabula e saj?
Komedia “Kujtesa e ujit” është me regji të Rozi Kostanit. Bëhet fjalë për historinë e tre motrave pas vdekjes të së ëmës. Janë 3 karaktere të ndryshme që përjetojnë çdo gjë ndryshe nga njëra-tjetra. Interpretojnë Raimonda Bulku, Olta Daku, Violeta Banushi Trebicka, Jonida Vokshi, Marin Orhanasi dhe Neritan Liçaj. Unë kam rolin e të dashurit të njërës prej motrave dhe ndërkohë jam dhe i martuar (qesh). Ështe një komedi pas të cilës fshihet një punë kolosale nga i gjithë stafi dhe produkti mund të them se vërtet ia vlen.
Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”…
Ushqehuni shëndetshëm. S’ka si ushqimet bio dhe bëni vazhdimisht kontrolle mjekësore. Shëndeti është gjëja më e rëndësishme në jetën e gjithsecilit. Pa shëndetin, nuk ke asgjë!


