Falënderoj Zotin që më bekoi me një vajzë. Nuk ka kënaqësi më të madhe teksa e shoh kur më buzëqesh, edhe pse është akoma shumë e vogël
Bisedoi: Denisa Canameti
Kush e do këngën popullore, është e pamundur të mos e njohë Nertila Vreton. Vajzën e ëmbël që vazhdon të kënaqë njerëzit me zërin e saj të bukur. Përveçse një këngëtare e suksesshme, ajo është edhe një nënë model, kjo sepse Nertila di ta menaxhojë mjaft mirë marrëdhënien punë-familje. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Nertila na tregon disa gjëra për karrierën e saj, për familjen e veçanërisht vajzën e vogël prej së cilës merr kënaqësitë më të mëdha.
Si nis një ditë e zakonshme për Nertilën?
Një ditë e zakonshme nis me zgjimin në orën 6. Kjo sepse të qenit nënë kërkon tjetër përkushtim. Vajza kërkon të ushqehet dhe pastaj punët e shtëpisë, si çdo nënë apo amvisë. Kohën më të madhe ia kushtoj vajzës.
Kur flitet për emrin tuaj, njerëzit kanë parasysh nje vajzë të ëmbël, të qeshur e të qetë, e tillë jeni edhe jashtë ekranit, në jetën e përditshme?
Unë ndihem e lumtur kur njerëzit më vlerësojnë për atë çka jam në të vërtetë. Jam munduar gjithmonë të kem një ekuilibër mes skenës dhe jetës normale.
Çfarë do të thotë për Nertilën “lumturi”?
Lumturi për mua është familja!
Nertila, ju jeni e bekuar me një vajzë të vogël shumë të bukur, çfarë përgjegjësish sjell për ju fjala “nënë”?
Falënderoj Zotin që më bekoi me një vajzë. Nuk ka kënaqësi më të madhe teksa e shoh kur më buzëqesh, edhe pse është akoma shumë e vogël. Të qenit nënë, për mua, do të thotë të japësh shpirtin. Të mos kursesh asnjë sekondë nga koha jote dhe t’i përkushtohesh krijesës tënde.
Sa e vështirë është të menaxhosh punën dhe familjen për të qenë e suksesshme në të dyja?
Nuk mund të them që nuk është e vështirë, sepse të dyja kërkojnë përkushtim të veçantë. Por, me ndihmën e motrave të mia çdo gjë bëhet më e lehtë. Bashkëshorti është i së njëjtës fushë dhe ka angazhimet e tij. Kështu që nuk mund të më ndihmojë.
Si ka ndikuar në jetën tuaj familjare të qenit “vajzë ekrani”?
Nuk ka asnjë ndryshim, sepse familja është ajo që më mbështet në çdo gjë.
Zëri juaj i bukur është i trashëguar apo dhuratë e natyrës?
Falënderoj Zotin për këtë dhuratë (zërin) që më ka bërë. Besoj se pa talent e punë, nuk mund të arrish atje ku do.
Sot ka shumë këngëtarë në treg. Çfarë mendoni se duan dhe presin njerëzit prej dikujt që del në ekran?
Ndihem mirë kur shikoj që dita-ditës dalin këngëtarë të rinj, sepse kështu rritet konkurrenca. Duhet akoma më shumë punë. Pastaj, janë njerëzit ata që bëjnë dallimin e këngëtarëve dhe preferencat ndaj tyre.
Cila është marrëdhënia me mjekun dhe cilin mjek takoni më shpesh?
Mjeku që takojmë më shpesh tani është pediatri (qesh)
Marrëdhënia me duhanin?
Dëmton rëndë shëndetin.
Ç’mendim keni për kirurgjinë plastike? I ndihmon apo i transformon njerëzit, veçanërisht ata të fushës suaj?
Çdokush ka mendimin e tij për kirurgjinë plastike. Unë nuk jam kundër, por të kalosh masën dhe të transformohesh në një kloun nuk më pëlqen. (qesh)
Dalja në ekran të ka bërë ndonjëherë t’u japësh rëndësi dietave e sidomos atyre që të lënë me javë pa ngrënë?
Nuk kam mbajtur kurrë dietë. Nuk e di rëndësinë e saj, sepse kam një metabolizëm të shkëlqyer. Jam me fat në këtë drejtim.
Çfarë mendon se vlerësojnë njerëzit më shumë nga Nertila?
Nuk mund të flas për veten. Por ata që më njohin vërtet, thonë se më vlerësojnë për thjeshtësinë e sinqeritetin.
Nëse do të përshkruaje veten me 1 fjali, cila do të ishte ajo?
Si do ta përshkruaja veten? Ndihem e plotësuar. Falënderoj Zotin për gjithçka!


