Nëse Omicron është më pak i rëndë, pse po rriten vdekjet nga COVID-19?

Nga Rusia e deri në Brazil, numrat e rasteve të infektimeve me COVID-19 po arrijnë shifra rekord, ndërsa varianti Omicron vazhdon të përhapet në të gjithë globin.

Edhe numri i vdekjeve po vazhdon të rritet. Më 28 janar, Australia pati ditën me numrin më të lartë të humbjeve të jetëve për shkak të pandemisë që nga fillimi i saj, me afro 100 vdekje.

Në SHBA, Omicron po merr mesatarisht 2,200 jetë çdo ditë – më shumë se sa varianti Delta, i cili e arriti pikën më të lartë në shtatorin e vitit të kaluar, kur mesatarja shtatëditore kapi shifrën 2,078 fatalitete, sipas analizës së Reuters.

Por, shkencëtarët kanë zbuluar se Omicron është më pak i rëndë se varianti Delta dhe, gjithashtu, tani ka më shumë njerëz të vaksinuar, pasi numri i dozave të vaksinave të shpërndara në rang global është më shumë se 10 miliardë.

Atëherë, pse vazhdojnë të vdesin kaq shumë njerëz?

Omicron, më i transmetueshëm se Delta

Siç kemi parë gjatë dy viteve të pandemisë, vdekjet kanë një vonesë në raport me shtimin e numrit të infektimeve, kështu që ka të ngjarë të ketë një shtim të numrit të vdekjeve në një kohë kur rastet e infektimit me Omicron vazhdojnë të rriten në disa vende, duke përfshirë Rusinë dhe Brazilin.

Është zbuluar se Omicron përhapet shumë më shpejt se varianti dominues i mëparshëm Delta – disa studime sugjerojnë se ai është katër herë më i transmetueshëm se Delta.

Shumica e atyre që po vdesin nga Omicron në SHBA janë të pavaksinuar, duke treguar kështu se vaksinat kanë ndikim në reduktimin e shtrimeve në spital dhe të vdekjeve.

“Variantet më infektive kanë tendencë të përhapen shumë shpejt te popullsia,” tha Wafaa El-Sadr, profesore e epidemiologjisë dhe e mjekësisë në Universitetin e Kolumbisë në New York City. “Edhe nëse këto variante të reja shkaktojnë një sëmundje më pak të rëndë (veçanërisht te personat e vaksinuar dhe që kanë marrë dozat përforcuese), ka të ngjarë të kemi një rritje të shtrimeve në spital dhe të vdekjeve, për shkak të vulnerabilitetit të të pavaksinuarve dhe të atyre që nuk kanë marrë dozat përforcuese.

“Do të duhet kohë derisa të kemi një ulje të numrit të vdekjeve, pasi personat e sëmurë rëndë nga COVID mbeten të shtruar në spital për një kohë të gjatë”, tha ajo.

Omicron është më pak i rëndë, por “jo i lehtë”

“Ne kemi gjithmonë e më shumë informacione se Omicron është më pak i rëndë se Delta, por gjithsesi, ai mbetet një virus i rrezikshëm,” thotë Dr. Maria Van Kerkhove nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një video të fundit që shpjegon ndikimin e këtij varianti.

“Po vëmë re se njerëzit me sëmundje dytësore, njerëzit në moshë të madhe dhe të pavaksinuarit, mund të kalojnë një formë të rëndë të COVID-19 pas infektimit me Omicron.

“E dimë se njerëzit po vazhdojnë të shtrohen në spitale [pas infektimit me Omicron] dhe po humbin jetën, kështu që është e rëndësishme të japim informacione që janë të sakta. Vërtet, Omicron është më pak i rëndë se Delta, por nuk është i lehtë.”/Monitor

Postime të ngjashme

Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese
Studimi: Vaksina kundër kancerit mund të zhdukë plotësisht tumoret
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale