Me gjithë kohën e zënë: punë, familje, shoqëri, të kesh mundësi të merresh me shëndetin, shpesh duket e pamundur. Por, pavarësisht se jetojmë në një botë të vrullshme, ka shumë hapa të thjeshtë që mund ta kthejnë kontrollin e jetës dhe shëndetit tuaj. Që nga një dush e ftohtë e deri tek gjetja e kohës për të kryer marrëdhënie seksuale, një skuadër prej 10 ekspertësh të shëndetit dhe mirëqenies ka dhënë disa këshilla për një shëndet më të mirë.
Në fund të çdo dite, gjeni kohën për t’iu përgjigjur pozitivisht këtyre tre pyetjeve:
- Ç’kam bërë për trupin tim, a kam ngrënë shëndetshëm dhe a kam bërë ushtrime mjaftueshëm?
- Ç’kam bërë për mendjen time, a kam lexuar diçka të rëndësishme?
- Ç’kam bërë për shpirtin tim, a kam medituar apo qeshur me miqtë?
Programoni një kohë të këndshme
Programoni aktivitete të këndshme në ditarin tuaj, siç do të bënit me punën. Lumturia është zakon dhe kushdo mund ta ketë atë përmes praktikës.
Lexoni jetën reale
Mos lexoni libra këshillues. Në vend të tyre lexoni biografi. Jini kuriozë se ç’kanë bërë njerëzit që admironi. Mendoni jetën reale. Zgjidhjet më të mira vijnë kur arrini të njihni formën e jetës suaj.
Dhembshuri
Mbajeni zemrën hapur. Kur ne e mbyllim zemrën, atëherë lëndohemi. Askush nuk lëndon një person që ofron dashuri nga një vend i fuqishëm.
Perspektiva
Shikojeni gjithçka si një mundësi për t’u kënaqur ose për të mësuar. Nuk ka asgjë që në thelb është negative në univers, vetëm ushtrime për shpirtin të cilat shpesh i lexojmë si dhimbje.
Bollshmëria
Fillojeni ditën duke lexuar faqe frymëzuese. Nisja e ditës me një shënim të ëmbël, duke marrë frymë qetë, duke medituar më pas duke e lëvizur trupin për të rigjeneruar energjinë dhe për ta filluar ditën me gëzim.
Lidhjet
Lidhuni me veten dhe të tjerët duke e përgatitur veten për një ditë të bukur dhe duke lejuar një buzëqeshje nga brendësia e zemrës të shfaqet në fytyrë. Kur i buzëqeshni të tjerëve, ndiheni më mirë për veten dhe gjithçka tjetër.
Nëse keni një partner, atëherë dërgojini dashuri që para se t’i takoni.
Nëse jeni beqarë praktikoni buzëqeshjet dhe komplimentet ndaj njerëzve. Fillojeni me njerëzit ndaj të cilëve s’jeni shumë i tërhequr në mënyrë që të fitoni vetëbesimin për dikë që ju pëlqen shumë.
Shërim në natyrë
Çdo ditë mundohuni të gjeni kohën për të qenë në natyrë, mundësisht zbathur, në mënyrë që t’i lejoni vetes të hiqni fushën elektromagnetike që merrni nga celularët etj. Pini shumë ujë. Ndodh që kur jemi të inatosur apo të trembur, të jemi edhe të dehidratuar.
Dashurojini takimet me veten
Bëni aktivitete që ju pëlqejnë, si: të shkoni në një qendër SPA, të dilni të bëni pazar ose të harxhoni kohë në natyrë. Bëjini këto gjëra vetëm dhe rregullisht.
Programoni kohë për seks
Po, e keni lexuar në rregull. Në stilin tonë të jetesës, tepër të zënë, edhe marrëdhëniet seksuale shpesh na dalin nga programi për shkak të lodhjes dhe mungesës së imagjinatës. Por ashtu siç në punë bëheni një shef më i mirë, edhe gjetja e kohës për të dashurit rregullisht do të mbështesë një lidhje më të mirë e cila stimulon trupat dhe mendjet në një mënyrë fantastike./ Përgatiti për “Shëndet+”: Arlinda Gjypi


