Nga Lira Gjika: Si të qetësoni fëmijën tuaj nëse laget natën

Lira Gjika

Ani 3 vjeç, sapo u zgjua në mëngjes nga gjumi, kontrolloi veten, prapë ishte lagur. U mërzit aq shumë dhe filloi të qajë. Menjëherë erdhi mami dhe e pyeti:

– Po qan se je lagur? Mos u mërzit, – vazhdoi mami. – Po të tregoj përrallën e trurit dhe fshikëzës së urinës apo qeses së çiçit.

“Truri drejton çdo proces në trupin e njeriut. Ai e realizon këtë kontroll nëpërmjet postierëve të shumtë që ka në dispozicion. Ata shkojnë në çdo cep të trupit duke çuar komanda.

“Një postier punon vetëm për vezikën urinare apo “qesen e çiçit”. Kur njeriu është i vogël, si ti Ani, edhe postieri është i ri dhe nuk mund të ecë shpejt, sepse nuk e di mirë rrugën dhe kështu komanda që i dërgon truri “qeses së çiçit”, arrin me vonesë në destinacion.

“Mbas moshës tre vjeç, postieri fillon edhe bëhet më i shpejtë e më i zoti, e njeh mirë rrugën dhe blen edhe një makinë dhe kështu e dërgon më shpejt komandën dhe “qesja” nuk e hap “derën” para kohe, fiton kontroll.

“Natën, truri nuk fle, por punon edhe më shumë dhe i çon vazhdimisht komanda qesës së çiçit që të mos e hapë derën pa dëgjuar zilen e postierit. Por qesja qëllon gjumashe dhe nuk e dëgjon zilen kur vjen postieri, prandaj urinojmë pa e kuptuar. Siç të ndodh ty, Ani.

“Atëherë, truri vendos dy roje dhe u ngarkon detyrën që të zgjojnë qesen kur i bie ziles postieri, që ta hapë derën në kohën e duhur. Por ndodh që edhe rojet të mos jenë akoma profesionistë të mirë. I zë gjumi.

“Por me kalimin e kohës ata të gjithë rriten së bashku: rojet, postieri, qesja dhe fëmija edhe bëhen shume të zotë. Siç po përpiqesh ti Ani të bëhesh, dhe do ia dalësh shumë shpejt”.

Kështu e përfundoi përrallën mami duke përkëdhelur kokën e Anit që tashmë ishte qetësuar.

Postime të ngjashme

Spitalet rajonale nën kapacitet, 40% e shtrimeve përqendrohen në Tiranë
Rasti i pacientit në Durrës: Një alarm për aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit
Lirohet nga burgu ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj
Çfarë duhet të bëni nëse sytë tuaj thahen nga kondicioneri?
Pse na rrudhen gishtat kur i mbajmë në ujë për një kohë të gjatë?
Rasti i pacientit në Durrës, MSHMS urdhëron nisjen e hetimeve
Dietologët zbulojnë ushqimin nr. 1 që mund të rrisë menjëherë sheqerin në gjak
Shpërthimi i sëmundjes së Legjionarëve në New York, 6 viktima dhe 90 raste të konfirmuara