Denisa Canameti
Skandali i denoncimit në QSUT nga Ardian Galdini në lidhje me mjekimin me abirin avastinë, ka sjellë një sërë reagimesh nga institucione të ndryshme. Lidhur më këtë denoncim hidhen akuza se bari është i skaduar.
Burime pranë Spitalit Onkologjik në QSUT bëjnë të ditur për gazetën “Shëndet Plus” se Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka dërguar një grup pune për të marrë kampionë të barit avastinë në QSUT për të verifikuar nëse është i skaduar.
Ndërkohë edhe drejtoria e QSUT-së ka filluar lëvizjet e saj, pasi ka dërguar një grup pune të drejtuar nga drejtoresha ekonomike e QSUT-së, Albana Fico, për të marrë në pyetje personelin lidhur me ngjarjen dhe këto hetime të drejtorisë kanë filluar nga dhoma e kapës, ku bëhet shkrirja e citostatikëve për trajtimin e pacientëve me kancer.
Denoncimi publik u bë nga shtetasi Ardian Galdini. Ky i fundit denoncoi se i afërmi i vet i trajtuar në QSUT me kimioterapi, me barin avastinë, pas analizave të kryera në Turqi rezultoi se në gjak nuk kishte shenjë të ilaçit të përdorur çka nënkupton ose përdorimin e një ilaçi të skaduar, ose përdorimin e një ilaçi fals.


