Publiku më do, sepse gjatë gjithë karrierës sime artistike jam munduar që me repertorin e këngëve të mia shqiptare dhe veçanërisht ato shkodrane t’i kënaq pa masë
Bisedoi: Elena Beta
Mes shumë çmimesh e vlerësimesh ndër vite, ai mban titullin “Mjeshtri i Madh i Artit” e nëpërmjet krijimtarisë artistike ka dhënë një kontribut të madh në artin shqiptar, në veçanti folklorin muzikor me këngë popullore. Mund të thuhet me plot gojën se me zërin e Bujar Qamilit janë rritur breza e se kënga shkodrane identifikohet me zërin dhe figurën e tashmë prej 40 vitesh. I angazhuar në koncerte në të katër anët e botës, afër publikut që e do dhe e ndjek me fanatizëm, Bujari rrefen për gazetën “Shëndet+” reputacionin që gëzon në publik, udhëtimet në të gjitha shtetet e Evropës, si dhe tregon se si ia del të jetë njëkohësisht edhe pranë familjes në ditët e festave kur i duhet të jetë i pranishëm në koncerte të gjata e të largëta. Këto dhe shumë detaje të tjera interesante mund t’i lexoni në Intervistën më poshtë…
Një Mjeshtri i Madh si Bujar Qamili sa e vlerëson shëndetin?
Mund të them se shëndeti për mua dhe për çdo kënd është gjithçka. Pa shëndet s’ka kurrgja!
Cili është raporti me mjekun dhe me cilin prej tyre i keni marrëdhëniet më të mira?
Faktikisht unë gëzoj shëndet të mirë dhe nuk kam pasur probleme, por kam respekt për mjekët. Sidomos për mjekët kirurgë të Shkodrës.
Të është dashur të shkosh në spitalet tona shtetërore në rolin e pacientit apo të shoqëruesit? Si të kanë pritur? Ke marrë vëmendjen dhe kujdesin e duhur?
Të them të drejtën, në rolin e pacientit ende jo, nuk kam rastisur, por në rolin e shoqëruesit po dhe mund të them se më pëlqen kujdesi i mjekësisë në përgjithësi.
Çfarë vlerësimi do të jepje për mjekët?
Për mua janë humanistët më të mëdhenj, sepse kanë të bëjnë me jetën e njerëzve dhe gjë më të shtrenjtë se jeta nuk ka.
Vitet e fundit duket se ke humbur disa kile. “Dieta” ka lidhje me ty apo ha ç’të mundesh, pa naze?
Preferoj shumë zarzavatet, mishin e viçit dhe peshkun, sepse nuk është frigorifer ai në shtëpi nëse nuk ka peshk brenda. Këtë e kam parim timin!
Kafja e mëngjesit dhe respekti që më bëjnë qytetarët e mi çdo ditë me përshëndetjet e tyre të sinqerta.
Mjafton një kërkim i shpejtë në profilin tënd në “Facebook” dhe kuptohet sa shumë të duan njerëzit. Çfarë mendon se e bën publikun të të dojë dhe të të kërkojë në koncerte në të gjithë botën?
Gëzoj një reputacion të padiskutueshëm në publik, koncertet e mia janë të panumërta në 4 kontinentet e botës. Kjo më gëzon pa masë. Publiku më do, sepse gjatë gjithë karrierës sime artistike jam munduar që me repertorin e këngëve të mia shqiptare dhe veçanërisht ato shkodrane t’i kënaq pa masë, gjë të cilën e kam arritur në sajë të vokalit tim dhe nëpërmjet duartrokitjeve të publikut. Mund të them se jam krenar për këtë që kam arritur.
Duke qenë se për festa je i angazhuar nëpër koncerte, larg vendit, siç e përmendët edhe vetë, në 4 kontinente. Sa e vështirë është për një familjar që ditët e festave të jetë në punë dhe jo pranë të dashurve të vet?
Është e vërtetë që nuk jam shumicën e rasteve, sidomos të festave kombëtare. Për shembull Vitin e Ri kam 15 vjet që nuk e festoj në shtëpi. Kjo është e vështirë për mua dhe familjen time, por është e pamundur t’i shkëputem këtyre ftesave ku shqiptarët kudo që kam dhënë koncerte, si: në Melburn, Sidnei, Adelajde, Nju York, Çikago, Florida, Detroit, si dhe në të gjitha shtetet e Evropës, duke përfshirë edhe Kosovën, Malin e Zi, shqiptarët kanë pasur dëshirë që të më kenë pranë. Në të tilla evenimente, në shumicën e rasteve, familjen e kam pasur me vete.
Mund të themi se brezi juaj ka nxjerrë artistë të mëdhenj që kanë korrur famë dhe suksese edhe larg Shqipërisë. Mendon se ju ofrohet një e ardhme e mirë brezit të ri të artistëve në vendin tonë?
Jo Shqipëria, se Shqipëria ka këngë shumë të bukura ku brezi im dhe unë kemi marrë një emër shumë të madh me këngët shqiptare, ndërsa tek të rinjtë, varet tek përkushtimi që ata kanë, sa e duan ata këngën apo artin.
Ç’mund të thuash për këtë tendencë të të rinjve për të mbajtur dieta drastike, për të qenë të palestruar etj., duke i kthyer këto aktivitete në përparësi?
Mirë është që jo vetëm të rinjtë, por edhe ne që i përkasim një brezi tjetër të mundohemi që të mbajmë një dietë dhe kur them dietë, e kam fjalën për një regjim të shëndetshëm ushqimor, pasi çdo gjë e tepruar nuk bën mirë. Sigurisht jam kundër dietave drastike.
Cila është gjëja më e shtrenjtë për ty?
Për mua, janë nipërat dhe mbesat. Ata që kanë se ç’të tregojnë për ne kur të rriten, sepse kemi lënë një gjurmë.
Lexon për shëndetin?
Shumë pak, por dëgjoj me shumë vëmendje, sidomos emisionet që drejton rubrika e shëndetit, miku i të gjithëve dhe në veçanti i imi, z.Flamur Topi.
Çfarë mesazhi do t’u jepje lexuesve të gazetës “Shëndet+”?
Kujdesuni për shëndetin tuaj, sepse nuk ka gjë më të shtenjtë se shëndeti. Kot nuk kanë thënë, “shnet e pare”!/ https://shendeti.com.al/



