Përshtati në shqip: Blertina Koka
Kina konfirmoi dje rastin e parë në botë të gripit të shpendëve H7N4, një lloj tjetër e virusit gripal të përhapur nga shpendët. Ky rast është identifikuar tek një 68-vjeçare nga një qytet me 5 milionë banorë në lindje të Kinës.
Gripi i shpendëve është një sëmundje infektive e shpendëve, e shkaktuar nga një lloj i virusit A.
Ky lloj gripi mund të përhapet direkt nga shpendët tek njeriu. Deri tani njihen 15 lloje të ndryshme virusesh të gripit të shpendëve. 3 prej tyre kanë shkaktuar probleme serioze: H5N1, H7N9, H5N6.
Njerëzit mund të preken nga ky virus nëpërmjet kontaktit të afërt me shpendët e infektuar, sidomos ata që punojnë në ferma me pula të infektuara janë më të rrezikuar.
Ky rast është konfirmuar në Kinë në periudhën kur ka më shumë lëvizje, duke qenë se më 16 shkurt është Viti i Ri Kinez dhe miliona njerëz udhëtojnë drejt vendeve të lindjes për të festuar.
Rasti i parë në botë me gripin e shpendëve është raportuar në Hong Kong në vitin 1997, ku 6 njerëz gjetën vdekjen nga virusi H5N1. Me qindra njerëz më pas kanë gjetur vdekjen nga viruset pasuese të përhapura në të gjithë botën, sidomos nga virusi më vdekjeprurës H7N9.
Rastet e transmetimit të gripit të shpendëve nga njeriu tek njeriu janë të rralla, megjithatë kanë ndodhur në të shkuarën. Rasti i parë i transmetimit të këtyre viruseve është raportuar në Tajlandë në vitin 2004, kur një nënë humbi jetën pasi u kujdes për vajzën e prekur nga gripi i shpendëve.
Burimi: Daily Mail / Shendeti.com.al