Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Njerëzit me autizëm janë më pak të rrezikuar të vuajnë nga kanceri, ka zbuluar një studim i ri. Edhe pse ata kanë më shumë mutacione gjenetike që shkaktojnë kancerin, janë 66% më pak të rrezikuar të diagnostifikohen me këtë sëmundje, kanë zbuluar shkencëtarët.
Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti Iowa, në SHBA, vëzhguan të dhënat e më shumë se 1800 pacientëve me autizëm dhe i krahasuan ato me 9000 pacientë të tjerë të diagnostifikuar me sëmundje të tjera, për të parë përqindjen e secilit grup të diagnostifikuar me kancer. Ata zbuluan se 3.9% e pacientëve pa autizëm kishin kancer. Ndërsa tek pacientët me autizëm përqindja ishte më e vogël se 1.3.
Efekti mbrojtës i autizmit ishte më i madh tek pacientët më të rinj të grupit, ndërsa fillon të bjerë me kalimin e moshës. Tek pacientët nën moshën 14 vjeç të prekur nga ky çrregullim, shanset për t’u diagnostifikuar me kancer ulej me 94%.
Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se nuk ka asnjë lidhje midis autizmit dhe sëmundjeve të tjera, si tensioni i lartë i gjakut, diabeti, problemet me rrahjet e zemrës, alergjitë dhe ekzema.
Autizmi është çrregullim neurobiologjik që veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprim shoqëror dhe sjellje të përsëritura, dhe rreze të kufizuar interesash.
Dr. Darbro, profesor tek Universiteti IOWA, shpjegon se gjenet e shumta që shkaktojnë kancer mbivendosen me ato që çojnë në zhvillimin e çrregullimeve si autizmi. Sipas tij, kjo mbivendosje është shumë më e gjerë në nivelin gjenetik, dhe në një farë mënyre kjo mund të përkthehet në një rrezik më të ulët për t’u prekur nga kanceri.”
Shkencëtarët shpresojnë që ky studim i ri të shërbejë më vonë për gjetjen e trajtimeve për kurimin e kancerit.
Studimi është publikuar tek revista PLOS ONE.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


