Prej 8 vjetësh familja e Qemal Buzit qëndron në Itali dhe nuk kthehet dot në atdhe për shkak gruaja dhe vajza vuajnë nga problemet me veshkat, ndërsa nga spitali në Tiranë marrin përgjigjen: s’ka vende
Aishe Thartori
“Nuk ka vende të lira, më vjen keq”. Kjo është ajo çka shefi i shërbimit Nestor Tereska apo kryeinfermierja e dializës Drita Gjoshi u thotë të afërmve të pacientëve që vijnë për të regjistruar familjarët e tyre në shërbimin e dializës. Qemal Buzi ka disa ditë që vjen pranë QSUT-së për të regjistruar bashkëshorten për t’iu nënshtruar dializës. Çifti pensionist prej disa vjetësh jeton në Itali. Zymbyle Buzi, si dhe e bija vuajnë nga veshkat dhe pavarësisht planeve për t’u kthyer në Shqipëri, fakti që në spital nuk u ofrohet shërbimi për dializën, i ka bërë ta zvarrisin ardhjen. Dhe situata me të cilën Qemal Buzi është ndeshur ditët e fundit, ka vërtetuar edhe një herë se vendimi për të mos u kthyer, ka qenë i drejtë.
Rrëfimi
“Vitet e fundit kam jetuar në Itali me familjen dhe tani vendosëm të kthehemi në Shqipëri. Ky është vendi ynë. Mirëpo kam 4 ditë që endem lart e poshtë nga Lushnja në Tiranë. Vajza dhe bashkëshortja ime vuajnë nga veshkat dhe dializën e kanë të nevojshme. Këtu më thanë që duke qenë se vij nga jashtë, duhet të marr fillimisht një letër miratimi nga Ministria e Shëndetësisë. Vajta dhe e mora, pasi ia dorëzova shefit të shërbimit Nestor Tereskës dhe pas një pritjeje të gjatë disa orëshe, ai më tha që nuk ka vende. Megjithatë më kërkoi të zbrisja poshtë tek kryeinfermieria për të parë nëse do gjendej ndonjë vend i lirë. Kryeinfermierja më tha të njëjtën gjë: nuk ka vende. Më la numrin e telefonit që ta telefonoj herë pas here në rast se do të lirohet ndonjë vend.
“Imë shoqe ka 8 vjet që nuk vjen në Shqipëri vetëm për shkak të sëmundjes. Ne kemi dashur shumë herë të kthehemi, mirëpo fakti që këtu ka probleme me mjekimin, na e bën të pamundur. Po na mohojnë të drejtën që na takon. Nuk po mundim të kthehemi e të jetojmë në vendin tonë. Shtet është ky që i mohon të drejtën qytetarëve të tij për të marrë shërbimin shëndetësor publik?”
Kostot
Reparti që ofron dializën, për shkak të mungesës së infrastrukturës aktualisht nuk mund të ofrojë më shërbim për pacientët e rinj. Kështu, të sëmurët me veshka që duhet t’i nënshtrohen dializës, duhen të drejtohen tek spitalet private. Mirëpo sa mirë sikur çdo gjë të mbaronte këtu. Në fakt, një seancë dializë në spitalet private shkon nga 100-130 euro. Duke bërë një përllogaritje të shkurtër, i bie mbi 300 euro në javë dhe diçka më shumë se 1200 euro në muaj. E një shumë të tillë vetëm për dializën, një familje shqiptare normale nuk do të mund t’i përballonte asnjëherë, pasi bëhet fjalë për mesatarisht 15 000 euro në vit.
Marrëveshje e pafrytshme
Thuhet se ka një marrëveshje midis shtetit dhe spitaleve private që të ofrojnë shërbimin e dializës për të sëmurët dhe ndërkohë për çdo rast, do të jetë shteti ai që do të kompensojë spitalet private. E megjithatë duket se kjo marrëveshje nuk po funksionon. Të sëmurët tregojnë se sa herë i janë drejtuar spitaleve private, kanë marrë të njëjtën përgjigje: nuk ka vende!
Problemet
Pavarësisht problemeve të tjera si bashkëjetesa me një sëmundje të tillë, mungesa e mjeteve të transportit, hera-herës mungesa e barnave dhe mosmarrja e rimbursimit në kohë nga ana e instancave shtetërore, listës së halleve të këtyre pacientëve u shtohet edhe mosmarrja e shërbimit për shkak të mungesës së aparaturave. Deri më tani reparti i Nefrologjisë është e vetmja qendër në QSUT, ku të sëmurët me probleme në veshka kryejnë dializën. Edhe pse në këtë repart aktualisht po punohet me tre turne, duket se nuk arrihet të gjenden hapësira boshe për pacientët e rinj.
Vetë bluzat e bardha bëjnë me dije se të gjitha aparaturat që ndodhen në pavion, tashmë janë vendosur në dispozicion 24 orë, përjashtuar katër aparaturave që qëndrojnë “të paprekura” për rastet e emergjencës apo të ndonjë avarie me aparaturat e tjera.
Ky problem për të cilin është ngritur zëri në vite, nuk po gjen zgjidhje ende sot e kësaj dite. QSUT nuk është e vetmja qendër që po vuan mospërballimin e fluksit të pacientëve. Mësohet se të njëjtin problem kanë edhe qendrat e tjera në Elbasan, Durrës apo Fier.
Aktualisht janë 139 pacientë të cilët i nënshtrohen dializës në QSUT. Shumica prej tyre vijnë nga rrethet nga ku 25 pacientë i përkasin rrethit të Korçës. Pavioni ka në dispozicion vetëm 23 shtretër dhe aparatura. Sipas kryeinfermieres së repartit, Drita Gjoshi, situata është rënduar sidomos gjatë dy javëve të fundit:
“Aktualisht, situata në pavion është tepër e rënduar. Janë vënë në gjendje pune të gjitha kapacitetet që kemi. Janë 4 aparatura që janë lënë të lira për rastet akute apo në rastet kur prishen aparaturat e tjera që janë në përdorim, të cila kërkojnë kohë derisa të ndreqen. Nuk është vetëm Tirana, e cila ndodhet në këtë situatë. Probleme ka edhe Fieri, Durrësi apo Elbasani. Në mënyrë imediate duhen marra masa në hapjen e qendrave të tjera”.
Drejtoria e QSUT-së: S’ka zgjidhje!
Burime zyrtare nga drejtoria e QSUT-së të pyetur nga gazeta “Shëndet Plus” lidhur me faktin se çfarë është në plan të bëhet për të zgjidhur situatën e të sëmurëve me veshka të cilët duhet të marrin shërbimin e dializës, shprehen se ende nuk është gjetur një zgjidhje për menaxhimin e situatës.

