ADN-në tonë e shoqërojnë më shumë se 30.000 gjene. Nutrigjenetika është relativisht një fushë e re që merret me identifikimin e gjeneve për çdo individ të cilat mendohen se janë të përfshirë në metabolizmin e njeriut. Deri më tani janë identifikuar forma të ndryshme të këtyre gjeneve, kështu që çdo individ ka disa variante të veçanta të këtyre gjeneve dhe në varësi të analizës së tyre krijohet një llojë profili gjenetik i personit. E thënë ndryshe nutrigjenetika është një lloj “manual përdorimi” për organizmin tonë, e cila e përqendron vëmendjen mbi individin dhe karakteristikat e tij gjenetike duke i ndarë sipas ushqyerjes, metabolizmit, dispozitave individuale apo mjedisit ku ai jeton.
Specifikisht Nutrigjenetika merret me gjetjen e varieteteve të vogla gjenetike karakteristike për secilin, që mund të përkthehen në “përgjigje të gabuara” të organizmit pas futjes së një ushqimi të caktuar.
Grigor Zoraqi, gjenetist dhe drejtues i Qendrës së Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike në Tiranë, flet në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus” lidhur me këtë shkencë.
“Të gjithë e dimë që edhe dietat më të njohura japin efekt vetëm për disa persona ose sesi disa individë vuajnë nga tensioni i lartë edhe pasi ndjekin dieta të ulëta kripe, ndërsa të tjerët shfaqin nivele të larta kolesteroli edhe pse ushqehen me produkte me nivel të ulët yndyre. Çelësi gjendet tek ndryshueshmëria gjenetike individuale”, shprehet gjenetisti. Sipas tij, nuk ekziston një ushqim i shëndetshëm në terma absolutë, por një ushqim më i drejtë dhe i përshtatshëm për secilin nga ne. Deri më tani këto koncepte ishin koncepte empirike, ndërsa sot zbulimet e fundit në lidhje me gjenomin e njeriut na japin mjetet dhe bazën për të kuptuar mekanizmat molekularë dhe për t’i zëvendësuar dietat standarde me një ushqyerje të personalizuar të marrë nga ADN-ja e çdo individi.
Dieta e gjenomit të ADN-së është një dietë e përshtatur sipas nevojave të një organizmi të caktuar jo vetëm për të humbur peshë në mënyrë të përhershme, por duke parandaluar edhe sëmundjet.
Testet e Nutrigjenetikës mund të jenë të dobishme edhe për të zbuluar intolerancat ndaj ushqimeve të caktuara të tilla, si: laktoza (e cila prek 1 ndër 10 persona), gluteni ose për të testuar aftësinë e trupit tonë për të metabolizuar ose jo përbërësit e dietës, për të eliminuar toksinat dhe radikalet e lira të tepërta. Një mangësi e këtyre aktiviteteve mund të shkaktojë sëmundje të rënda të tilla, si: osteoporoza, diabeti, obeziteti, çrregullime kardiovaskulare, kanceri apo edhe shumë lloje të tjera sëmundjesh.
Testet e Nutrigjenetikës realizohen për të kuptuar intoleranca të ndryshme të trupit njerëzor.
Një ndër testet që Nutrigjenetika realizon është testi i intolerancës ndaj laktozës. Qumështi dhe nënproduktet e tij janë i vetmi burim natyral i laktozës dhe shpesh ai vendoset nëpër ushqime të ndryshme të përgatitura. Individët me tolerancë të ulët laktoze duhet të njohin këto produkte elementare që përmbajnë laktozë, edhe pse në doza të vogla. Rreth 70 % e popullsisë së botës është intolerante ndaj laktozës.
Laktoza e cila është sheqer natyral, gjendet në të gjitha llojet e qumështeve. Në fëmijëri enzima laktozë e bën të tretshme duke e ndarë në dy sheqere të thjeshtë. Me rritjen arrihet një reduktim të enzimës duke arritur deri në mungesë të plotë. Intoleranca ndaj laktozës, e cila është intoleranca enzimatike më e përhapur (70% e popullsisë së botës vuajnë nga kjo intolerancë) është pra paaftësia për të tretur sheqerin e qumështit. Përpara së të përdoret nga organizmi, laktoza duhet të jetë e ndarë në glukozë dhe galaktozë, në të kundërt një deficit i kësaj enzime bën që laktoza e pahidralizuar në pamundësi për t’u ndarë, arrin zorrën e trashë duke shfaqur një efekt osmozik me pasoja fermentimi bakterial të sheqerit dhe formimin e acidit laktik.
Intoleranca ndaj laktozës mund të manifestohet në forma, si: përzierje, enjtje, fryrje, lodhje, dhimbje koke, dhimbje të kyçeve, manifestim lëkuror, dhimbje barku dhe diarre.
Një tjetër test është testi që bëhet ndaj intolerancës së kafeinës, që i lejon individëve të kuptojmë nëse kanë një metabolizëm që e “tret” lehtë apo shpejt kafeinën. Në Europë nga 10-30 % e popullsisë është intolerante ndaj saj.
Kafeina është metabolizuar në organizëm nga enzima e citokromit P450 1A2. Çdo individ posedon dy kopje (të marra nga secili prind) të gjeneve CYP1A2. Janë dy variantet e gjeneve që i përkasin metabolizmit të kafeinës në organizëm.
Individët që zotërojnë të dyja kopjet CYP1A2 janë metabolizues të shpejtë, ndërsa individët që zotërojnë vetëm një kopje të CYP1A2 janë metabolizues të ngadaltë.
Individët që e metabolizojnë në mënyrë të ngadaltë kafeinën duhet të kenë në mbikëqyrje dozën ditore të saj. Nëse e konsumojnë në mënyrë të tepërt (2 apo 3 kafe në ditë) mund të kenë efekt negativ në organizmin përfshirë edhe riskun për një atak kardiak të mundshëm.
Testit duhet t’i nënshtrohen të gjithë përdoruesit e kafesë ose të pijeve që përmbajnë kafeinë. Gratë me dështim të përsëritur ose me probleme infertiliteti testet specifike të së cilave nuk kanë zbuluar një lidhje më shkakun.
Në një studim të kryer të publikuar nga Shoqata e mjekësisë Amerikane, autorët kanë monitoruar rreth 4000 mijë individë nga të cilët 2000 mbijetues nga infarkti i miokardit, duke marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, si: konsumi i ushqimit, aktiviteti fizik ose statusi social-ekonomik, kërkimi i tyre ka evidentuar sesi personat me metabolizëm të ngadaltë të kafeinës ishin të lidhur me një tjetër rrezik ataku, rrezik i cili rritet në bazë të numrit të kafeve që konsumonin.
“Rreziku i infarktit rritet me 36% në organizmat që e metabolizojnë ngadalë kafeinën dhe arrin në 64% për konsumatorët e fortë të kafeinës”, theksojnë studiuesit.
Ndërsa përsa i përket individëve të cilët e metabolizojnë shpejt kafeinën rezultojnë të jenë të mbrojtur ndaj infarktit.
Në kërkimet e fundit shëndetësore është vënë në raport kafeina me fertilitetin dhe shtatzëninë. Këto studime treguan që gratë me metabolizim të ngadaltë të kafeinës janë më të riskuara ndaj abortit dhe të reduktojnë fertilitetin e tyre ndërkohë që gratë me metabolizim të shpejtë të kafeinës nuk rrezikohen nga të tilla rreziqe, edhe pse duke konsumuar të njëjtat doza kafeje.
Mirëpo kafeina nuk gjendet vetëm në kafe, por edhe në shumë pije të tjera, si: çokollata, çaji, kolat, pijet energjike etj. Ndaj personat të cilët kanë një organizëm intolerant ndaj kafeinës duhet të tregojnë kujdes në përdorimin e të gjitha produkteve me përmbajtje kafeine.
Një tjeter lloj analize gjenetike që realizohet për intolerancat është intoleranca ndaj glutenit, për të kuptuar nëse organizmi yt e suporton ose jo glutenin, i cili gjendet në pjesën më të madhe të drithërave.
Një diagnozë e vonshme mund të shkaktojë inflamacion kronik duke shkaktuar sëmundje serioze, si: osteoporozën, infertilitetin, aborte të përsëritura, tiroide autoimune, epilepsi etj.
Sëmundja “Celiachia”, siç njihet intoleranca ndaj glutenit, mund të shfaqet në periudha të ndryshme të jetës, shpesh pas një ngjarje stresuese, ngjarje të tilla siç mund të jetë një shtatzëni, një operacion ose një infeksion i zorrëve.
Kjo sëmundje jo gjithmonë shfaqet në mënyra të qartë, forma tipike shfaq si simptomë diarre apo humbje të peshës.
Testi gjenetik është një instrument i shpejtë dhe i besueshëm qoftë për individët me diagnozë antitrupash të dyshimtë, qoftë edhe për individët me familjaritet pozitiv.
Sulfitet
Një tjetër intolerancë kundrejt së cilës “vuajnë” organizmat njerëzor është edhe intoleranca ndaj sulfiteve.
Sulfitet janë substanca të cilat përdoren si konservues që nga kohërat e antikitetit. Romanët dhe egjiptianët e lashtë përdornin dioksidin e squfurit për të ripastruar nga bakteriet enët ku fermentonin verën. Megjithatë, përdorimi i tyre u bë mbresëlënës vetëm shekullin e kaluar në lidhje me kërkesat e diktuara nga zhvillimi industrial. Sulfiti dhe derivatet e tij përdoren sot në sasi të mëdha nëpër ushqime të ndryshme me qëllim për të ruajtur ngjyrimin e tyre natyral, duke ndaluar rritjen e mikroorganizmave dhe nëpër barna për të ruajtur aktivitetin teuperatik etj.
Mund të jenë burim i rëndësishëm sulfiti: verërat dhe pijet alkoolike, produktet e furrës si buka, biskotat, frutat e thata, marmalata, shurupet, lëngjet e frutave, salsiçet, konservat e domateve, karamelet, disa barna etj.
Dëmet që mund të shkaktohen nga sulfitet janë: alergjia, astma, rëndim i sistemit të dektostifikimit etj.
Një tjetër test i nutrigjenetikës është edhe testi ndaj pranisë së një lloj gjeni i cili prodhon një lloj proteine që është i identifikuar si i lidhur me shëndetin e tepruar, me persona të cilat e kanë një variant të tilla që kanë predispozitë të bëhen obezë. Një nga 4-5 testet që bëhen në laboratorët e ADN kundër obezitetit, është edhe testi kundër një receptori gjenetik që duhet të ketë një formë të caktuar, që jep një predispozitë ndaj kësaj sëmundje.
Shqipëri
Në Shqipëri bëhen aktualisht testimi për 4 intoleranca përkatësisht ndaj: laktozës, kafeinës, glutenit dhe obezitetit (receptorin Beta 2AR )
Kostoja
Për të analizuar një individ të gjithë ADN e tij, për të kuptuar të gjithë dispozitat që vetë individi mund të ketë, diskutohet për një çmim diku tek 10 000 euro. Një testim të plotë për herë të parë e ka realizuar personi që ka zbuluar molekulën e ADN-së, James Watson.







